REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Familja

Rëndësia e bamirësisë ndaj prindërve – Shejh Abdullah el Buhari

O besimtarë! O besimtarë! Bamirësia e prindërve është madhështore, dhe mirësia e tyre [mbi ty] është që përpara [se të rriteshe].

Meditoni – ju ruajtë Allahu – kur keni qenë të vegjël dhe përkujtoni brishtësinë e fëmijërisë!

رَبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا

“O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” [el Isra’: 24]. Ajo (nëna) të ka mbajtur me mund, dhe me mund të ka lindur. Nëna yte të ka mbajtur nëntë muaj në barkun e saj, mundim pas mundimi, ku rritja yte i shtonte asaj vetëm rëndesë dhe dobësim. Gjatë lindjes, ajo ka parë vdekjen me sytë e saj, mirëpo, kur të ka parë përkrah, shumë shpejt i harroi gjitha dhimbjet, dhe gjitha shpresat i lidhi për ty.

Tek ti ka parë shendin dhe bukurinë e jetës, më pas, natën dhe ditën e saj i angazhoi me shërbimin tënd, duke të ushqyer me shëndetin e saj. Gjirin e saj ta ka dhënë për ushqim, prehërin ta ka bërë shtëpi, duart t’i ka bërë mjet lëvizjeje, kurse gjoksi dhe shpina e saj të mbulojnë dhe të ruajnë. Ajo uritet që të ngopesh ti, rri pa gjumë që të flesh ti, ajo është e mëshirshme dhe ndjen dhembshuri për ty.

Nëse ikën prej teje e thërret, nëse largohet e kërkon, dhe nëse të godet ndonjë gjë keqe i kërkon asaj ndihmë; mendon se gjithë e mira është tek ajo, dhe mendon se e keqja nuk të godet nëse të përqafon, apo nëse të ndjek me sytë e saj.

Kurse babain tënd.. kurse babain tënd.. ti e bën të frikësohet dhe të jetë koprrac. Ai lodhet dhe punon.. largon prej teje llojet e ndryshme të dëmit.. zhvendoset nëpër udhëtime.. kalon shkretëtirat.. dhe përballon rreziqet në kërkim të kafshatës së gojës. Ai për ty shpenzon, të rregullon dhe edukon. Po të hysh tek ai ngazëllehet, po të shkosh tek ai qeshën, dhe nëse ai ikën, ti lidhesh pas tij.

Këta dy.. këta dy o dashamirë! Këta janë prindërit e tu, ndërsa ajo është fëmijëria jote. Pse e mira të kthehet me të keqe?! Pse kjo vrazhdësi dhe ashpërsi?! Sikur të jesh ti ai që i ka bërë këto të mira. O Zot sa çudi! O Zot sa çudi!

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani