REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

BetimetFikh

Si bëhet shpagimi për prishjen e betimit – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: një person më ka dhënë shumën prej një qind rijalëve saudianë që të blej kefaretin (shpagimin) dhe ta jap për të. I kam blerë ushqimet me vlerë nëntë dhjetë rijalë dhe e kam ndarë ushqimin në dy pjesë. Secilën prej pjesëve, ia kam dhënë një personi të vetëm, e në fund më kanë tepruar dhjetë rijalë. Pas një jave, me ato dhjetë rijalë kam blerë ushqim, të cilin ia kam dhënë njërit nga personat që i dhashë kefaretin (shpagimin) herën e parë, duke patur parasysh, se ata dy janë shumë nevojtarë për ushqim. Pyetja ime është: a mjafton ajo çfarë kam bërë? Apo keni tjetër orientim për mua? Na mësoni, Allahu jua shpërbleftë, që të heq nga vetja përgjegjësinë!

Përgjigjja: nëse bëhet fjalë për kefaretin (shpagimin) e betimit, atëherë obligimi është që ushqimi t’i shpërndahet dhjetë të varfërve dhe nuk mjafton që t’ia japësh dy personave, sepse Allahu i Lartësuar thotë në suren el Maideh:

لا يُؤَاخِذُكُمُ اللّهُ بِاللَّغْوِ فِي أَيْمَانِكُمْ وَلَكِن يُؤَاخِذُكُم بِمَا عَقَّدتُّمُ الأَيْمَانَ فَكَفَّارَتُهُ إِطْعَامُ عَشَرَةِ مَسَاكِينَ مِنْ أَوْسَطِ مَا تُطْعِمُونَ أَهْلِيكُمْ أَوْ كِسْوَتُهُمْ أَوْ تَحْرِيرُلرَقَبَةٍ فَمَن لَّمْ يَجِدْ فَصِيَامُ ثَلاَثَةِ أَيَّامٍ ذَلِكَ كَفَّارَةُ أَيْمَانِكُمْ إِذَا حَلَفْتُمْ وَاحْفَظُواْ أَيْمَانَكُمْ

“Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja!” El Maideh: 89.

Nga kjo mëson, se personi që ka për të dhënë kefaretin (shpagimin) dhe të ka ngarkuar me këtë punë, duhet të ushqejë edhe tetë të varfër të tjerë, duke vepruar siç thotë ajeti fisnik. Kjo vlen nëse ta fal atë çfarë ke bërë, e nëse nuk ta fal, atëherë ti duhet ta zhdëmtosh dhe duhet t’i japësh kefaretin tetë personave që kanë mbetur; secilit prej tyre i jep gjysmë sa’ prej ushqimeve bazë të vendit, si hurmi i arabisë, gruri etj. Kjo, nëse ai të ka urdhëruar që kefaretin t’ia japësh dhjetë personave, sepse me punën që ke bërë, e ke kundërshtuar çfarë të ka urdhëruar, andaj e ke për detyrë ta zhdëmtosh.

 

Burimi: Mexhmu’ fetaua 23/152.

Përktheu: Besmir Cacani