Allahu i Lartësuar thotë:
أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّينِ (1) فَذَٰلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيمَ (2) وَلَا يَحُضُّ عَلَىٰ طَعَامِ الْمِسْكِينِ (3) فَوَيْلٌ لِّلْمُصَلِّينَ (4) الَّذِينَ هُمْ عَن صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ (5) الَّذِينَ هُمْ يُرَاءُونَ (6) وَيَمْنَعُونَ الْمَاعُونَ (7)
“A e ke parë atë që e përgënjeshtron Ditën e Gjykimit? Ai është që e përzë jetimin me ashpërsi dhe nuk nxit për ushqyerjen e të varfrit. Mjerë për ata që falen, të cilët janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre, ata që shtiren dhe pengojnë ndihmën e vogël.”
Allahu i Lartësuar qorton atë që i lë pas dore të drejtat e Tij dhe të drejtat e robërve të Tij, duke thënë:
أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّينِ
“A e ke parë atë që e përgënjeshtron Ditën e Gjykimit?”
Domethënë: atë që e përgënjeshtron ringjalljen dhe shpërblimin, e për rrjedhojë nuk beson në atë me të cilën kanë ardhur të dërguarit.
فَذَٰلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيمَ
“Ai është që e përzë jetimin”, domethënë: e shtyn dhe e largon me dhunë e ashpërsi, pa treguar mëshirë ndaj tij, për shkak të ngurtësisë së zemrës dhe sepse nuk shpreson në shpërblim e nuk i frikësohet dënimit.
وَلَا يَحُضُّ عَلَىٰ طَعَامِ الْمِسْكِينِ
“Dhe nuk nxit” të tjerët “për ushqyerjen e të varfrit”. E aq më parësore është që ai vetë të mos e ushqejë të varfrin.
فَوَيْلٌ لِّلْمُصَلِّينَ
“Mjerë për ata që falen”, domethënë për ata që angazhohen në kryerjen e namazit, por “janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre”; pra e neglizhojnë atë, e lënë pas kohës së tij dhe nuk i përmbushin shtyllat e tij. Kjo vjen si pasojë e mungesës së kujdesit të tyre ndaj urdhrit të Allahut, pasi e kanë lënë pas dore namazin, i cili është prej adhurimeve më të rëndësishme dhe prej veprave më të virtytshme me të cilat njeriu afrohet tek Allahu.
Pakujdesia (e qëllimshme) ndaj namazit është ajo për të cilën personi meriton qortim dhe fajësim. Ndërsa pakujdesia (pa dashje ose harresë) brenda namazit, kjo mund t’i ndodhë çdokujt, madje edhe Pejgamberit ﷺ.
Për këtë arsye, Allahu i cilësoi këta njerëz me shtirje dhe ashpërsi të zemrës, si dhe me mungesë mëshire, duke thënë:
الَّذِينَ هُمْ يُرَاءُونَ
“Ata që shtiren”, domethënë: i kryejnë veprat e tyre për t’u parë nga njerëzit dhe për të fituar vlerësimin e tyre.
وَيَمْنَعُونَ الْمَاعُونَ
“Dhe pengojnë ndihmën e vogël.” Domethënë: pengojnë dhënien e gjërave, dhënia e të cilave nuk u shkakton dëm, qoftë në formën e huazimit, qoftë si dhuratë, siç janë ena, kova, sëpata dhe të ngjashme me to, prej gjërave që sipas zakonit njerëzit i japin hua dhe tregohen bujarë në ofrimin e tyre.
Këta njerëz, për shkak të koprracisë së tyre të madhe, pengojnë edhe gjërat më të vogla e më të parëndësishme. Atëherë, si do të ishte gjendja e tyre përballë gjërave që janë më të mëdha se këto?
Në këtë sure gjendet nxitja për nderimin dhe trajtimin me mirësi të jetimit dhe të varfërve, si dhe inkurajimi për këtë. Gjithashtu, ajo përmban nxitjen për t’i kushtuar kujdes namazit, për ta ruajtur atë dhe për të qenë të sinqertë në të dhe në të gjitha veprat.
Po ashtu, ajo nxit për kryerjen e veprave të mira dhe për dhënien e gjërave me vlerë të vogël, si huazimi i enës, kovës, librit dhe të ngjashmeve me to, sepse Allahu i Lartësuar e ka qortuar atë që nuk i kryen këto vepra.
Allahu i Madhëruar e di më së miri të vërtetën dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani