Allahu i Lartësuar thotë:
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ (1) فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ (2) إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ (3)
“Vërtet, Ne të kemi dhënë ty (o Muhammed) El-Keutherin. Prandaj, falu për Zotin tënd dhe bëj kurban! Me të vërtetë, ai që të urren ty është i shkëputuri (i poshtëruari, shterpë e vulëhumbur).”
Allahu i Lartësuar, duke ia kujtuar dhe duke e nderuar Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ, thotë:
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ
“Vërtet, Ne të kemi dhënë ty (o Muhammed) El-Keutherin.”
“El-Keutheri”, nënkupton të mirën e shumtë dhe mirësinë e panumërt, të cilën Allahu ia ka dhuruar të Dërguarit të Tij ﷺ, që ndër to është edhe lumi që quhet El-Keuther në Botën Tjetër, gjithashtu (mirësi) është edhe pellgu (El-Haud), gjatësia e të cilit është sa një muaj (udhëtim) dhe gjerësia e tij po aq. Uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Enët e tij janë si yjet në qiell, si për nga numri, ashtu edhe për nga shkëlqimi i tyre. Kushdo që pi njëherë prej tij, nuk do të ndiejë kurrë më etje.
Pasi përmendi mirësinë që i kishte dhuruar Profetit të Tij, Allahu e urdhëroi atë që ta falenderonte për të, duke thënë:
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ
“Prandaj, falu për Zotin tënd dhe bëj kurban!”
Këto dy adhurime u përmendën në mënyrë të veçantë, sepse ato janë ndër adhurimet më të mira dhe veprat më madhore me të cilat robi afrohet tek Allahu.
Namazi përfshin përuljen e zemrës dhe të gjymtyrëve ndaj Allahut dhe shfaqjen e kësaj përulësie përmes formave të ndryshme të adhurimit. Ndërsa në flijimin e kurbanit gjendet afrimi tek Allahu përmes ofrimit të më të mirës që robi posedon nga kafshët e kurbanit, si dhe shpenzimi i pasurisë, ndaj së cilës shpirtrat njerëzore janë krijuar me prirje për ta dashur dhe për të qenë dorështrënguar me të.
إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ
“Me të vërtetë, ai që të urren ty”, domethënë: ai që të urren, të përçmon dhe të nënvlerëson ty, “është i shkëputuri”, pra, ai është i shkëputur nga çdo e mirë; i shkëputur nga veprat e mira dhe i shkëputur nga përmendja e mirë.
Sa i përket Muhamedit ﷺ, ai është vërtet i përsosuri, të cilit i është dhënë përsosmëria që është e mundshme për një krijesë: duke ia ngritur përmendjen e tij, numrin e madh të përkrahësve dhe pasuesve të tij.
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani