Allahu i Lartësuar thotë:
قُلۡ يَٰٓأَيُّهَا ٱلۡكَٰفِرُونَ (1) لَآ أَعۡبُدُ مَا تَعۡبُدُونَ (2) وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ (3) وَلَآ أَنَا۠ عَابِدٞ مَّا عَبَدتُّمۡ (4) وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ (5) لَكُمۡ دِينُكُمۡ وَلِيَ دِينِ (6)
“Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju adhuroni; dhe as ju nuk adhuroni Atë që unë adhuroj. As unë nuk jam adhurues i çka që ju adhuroni; dhe as ju nuk jeni adhurues i Atij që unë adhuroj. Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time.”
Domethënë: Thuaju jobesimtarëve, duke e shpallur dhe deklaruar qartësisht:
لَآ أَعۡبُدُ مَا تَعۡبُدُونَ
“Unë nuk adhuroj atë që ju adhuroni”, pra, distancohem haptazi dhe së brendshmi nga ato që ju adhuroni në vend Allahut.
وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ
“Dhe as ju nuk adhuroni Atë që unë adhuroj”, për shkak të mungesës së sinqeritetit tuaj në adhurimin e Tij (adhurimi juaj nuk është i pastër vetëm për Allahun). Adhurimi juaj ndaj Tij, i shoqëruar me shirk, nuk quhet adhurim i vërtetë.
Pastaj, kjo gjë përsëritet për të treguar, në rastin e parë, moskryerjen e veprimit, ndërsa në rastin e dytë, se kjo është bërë një cilësi e qëndrueshme dhe e pandashme.
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar bëri dallim ndërmjet dy palëve dhe vendosi një ndarje të qartë ndërmjet dy grupeve, duke thënë:
لَكُمۡ دِينُكُمۡ وَلِيَ دِينِ
“Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time.”
Kjo është në përputhje edhe me fjalën e Allahut të Lartësuar:
قُلْ كُلٌّ يَعْمَلُ عَلَى شَاكِلَتِهِ
“Thuaj: Secili vepron sipas mënyrës së vet.”
Si dhe me Fjalën e Tij:
أَنْتُمْ بَرِيئُونَ مِمَّا أَعْمَلُ وَأَنَا بَرِيءٌ مِمَّا تَعْمَلُونَ
“Ju jeni të shkëputur (të distancuar) nga ajo që unë bëj, dhe unë jam i shkëputur nga ajo që ju bëni.”
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani