Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
من صام رمضان و أتبعه ستاً من شوال كان كمن صام الدهر
“Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë prej Sheualit, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin.”
Ky hadith përmban vlerën e agjërimit të gjashtë prej Sheualit – gjashtë ditëve nga Sheuali – , për atë që ka agjëruar muajin Ramazan. Ai bashkon mes dy vlerave; atë të agjërimit të Ramazanit dhe të gjashtë ditëve prej Sheualit.
Vlera [e këtyre ditëve] është sikur të ketë agjëruar kohën – dmth vitin, qëllimi me “kohën” është viti – kjo sepse një e mirë vlerësohet për dhjetë të tilla. Ramazani ka vlerë për dhjetë muaj, ndërsa gjashtë ditët e Sheualit kanë vlerë për dy muaj; në total janë dymbëdhjetë muaj, që është një vit. Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë prej Sheualit, atëherë arrin shpërblimin e atij që ka agjëruar të gjithë vitin; e kjo është mirësi prej Allahut subhanehu ue teala.
Fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “gjashtë ditë prej Sheualit”, tregon se lejohet agjërimi i tyre një pas një, apo të ndara gjatë muajit, dhe tregon se lejohet agjërimi i tyre në fillim, në mes dhe në fund të muajit, sepse ka thënë: “gjashtë ditë prej Sheualit”, është e pakushtëzuar.
Po ashtu, hadithi tregon se kush nuk e ka agjëruar Ramazanin, atëherë ai nuk e ka të ligjëruar agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit, sepse ka thënë:
فأتبعه ستاً من شوال
“Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë prej Sheualit”. Pra, kush është ushqyer gjatë Ramazanit për një prej arsyeve, nuk mund të agjërojë gjashtë ditë prej Sheualit, përkundrazi ai fillon me agjërimin e Ramazanit.
Gjithashtu, nëse është ushqyer gjatë Ramazanit për një arsye fetare, atëherë nuk i agjëron gjashtë ditët e Sheualit derisa të kompesojë ditët e Ramazanit, më pas i agjëron gjashtë ditët e Sheualit nëse kanë mbetur ditë, sepse Pejgamberi sal-Allahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “dhe e pason me gjashtë ditë prej Sheualit”, pra agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit e ka kushtëzuar me agjërimin e Ramazanit më parë.
Nëse ka agjërim të prapambetur nga Ramazani – të gjithin apo një pjesë të tij – atëherë fillon me farzin, sepse farzi ka përparësi ndaj nafiles (vullnetares).
Për agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit, shumica e dijetarëve kanë thënë se është e pëlqyer agjërimi i tyre, përveç imam Malikut Allahu e mëshiroftë, i cili nuk e mendon që të agjërohen këto gjashtë ditë, nga frika se mos njerëzit mendojnë se janë pjesë e Ramazanit. Ai dëshiron të mbyllë rrugët, që njerëzit mos të mendojnë se këto gjashtë ditë janë pjesë e Ramazanit.
Mirëpo, sido të jetë argumentit i jepet përparësi ndaj mendimit. Argument është Suneti dhe, fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka përparësi ndaj fjalëve të çdokujt. Imam Maliku Allahu e mëshiroftë nuk pajtohet me këtë, ndërsa imam Ibën AbdulBerr e ka arsyetuar [imam Malikun] me faktin se nuk i ka mbërritur ky hadith. Po!
Burimi: Sherhu kitab es-sijam min bulugil meram, kaseta 3.
Përktheu: Besmir Cacani