REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Si e prisnin Selefët Ramazanin – Shejh Salih el Feuzan

Pyetja: si e prisnin Selefët e devotshëm muajin e madh të Ramazanit, Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe i mëshiroftë? Si ka qënë udhëzimi i tyre? Si ka qenë rruga e tyre?

Çështja e dytë: shejh i nderuar! Si duhet të përgatitet muslimani për shfrytëzimin e këtyre netëve dhe ditëve që po i përjeton tani? Si duhet përgatitur nga aspekti i dijes, i njohjes së dispozitave të agjërimit dhe njohjes së gjërave që e prishin atë? Disa njerëz nuk kanë njohuri rreth këtyre çështjeve dhe nuk i mësojnë çështjet themelore të agjërimit që i kanë për obligim.

Sikur shejhu të tërhiqte pak vëmendjen lidhur me këtë çështje!

Përgjigjja: me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Ue alejkumus-selam ue rahmetullahi ue bereketuhu! Allahu të begatoftë për këtë që sapo tërhoqe vëmendjen në këto dy pyetje madhështore.

Pyetja e parë: gjendja e Selefëve në muajin Ramazan.

Gjendja e Selefëve, sikurse është përmendur dhe transmetuar nëpër libra dhe është transmetuar nga të besueshmit.. ata e lusnin Allahun azze ue xhel-le që ta arrinin Ramazanin përpara se ai të fillonte. Ata e lusnin Allahun që ta arrinin Ramazanin, për shkak të mirësive të mëdha dhe dobive të përgjithshme që dinin për këtë muaj. Kur Ramazani fillonte, Selefët e lusnin Allahun që t’i ndihmonte në bërjen e vepra të devotshme gjatë tij. Ndërsa kur Ramazani mbaronte, ata e lusnin Allahun që t’ia pranonte, sikurse thotë Allahu xhel-le ue ala’:

وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوْا وَقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ ۝ أُولَئِكَ يُسَارِعُونَ فِي الْخَيْرَاتِ وَهُمْ لَهَا سَابِقُونَ

“Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre. Ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.”[1]

Ata përpiqeshin në bërjen e veprave (të mira) dhe pasi i kryenin veprat e tyre ata merakoseshin; a do t’u pranohej apo nuk do t’u pranohej?

E gjithë kjo, për shkak të dijes që kishin rreth madhështisë së Allahut azze ue xhel-le dhe për shkak se ata e dinin që Allahu pranon vetëm atë çfarë bëhet sinqerisht; për hir të Fytyrës së Tij dhe në përputhje me Sunetin e Pejgamberit. Ata nuk i lëvdonin vetet e tyre, ata madje frikësoheshin se veprat e tyre mos të prishen. Selefët merakoseshin më shumë për pranimin e veprave sesa për lodhjen në kryerjen e tyre, sepse Allahu xhel-le ue ala’ thotë:

إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ اللَّهُ مِنَ الْمُتَّقِينَ

“Allahu pranon vetëm prej të devotshëmve.”[2]

Në këtë muaj, Selefët angazhoheshin me adhurim dhe i pakësonin veprat e dynjasë. Ata e ruanin kohën e tyre për t’u ulur në Shtëpitë e Allahut azze ue xhel-le (në xhamia) dhe thonin: “Po e ruajmë agjërimin tonë dhe nuk po përgojojmë asnjeri”. E merrnin Kuranin dhe e studionin mes tyre Librin e Allahut azze ue xhel-le. Kohën e tyre në Ramazan e ruanin nga humbja, ata nuk neglizhonin – si shumë njerëz sot – përkundrazi, e ruanin kohën duke u falur natën, agjëruar ditën, duke lexuar Kuran, duke bërë dhikër dhe vepra të mira. Ata nuk neglizhonin asnjë minutë dhe asnjë çast pa bërë një vepër të mirë.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani

______________________

[1] El Mu’minun: 60-61.

[2] El Maideh: 27.