Pyetje tjetër: a na lejohet të caktojmë një dijetar selefi – siç është shejh Ebul Haseni [1] – që të jetë për ne referencë e merkezit tonë në rast mospajtimi, sidomos për arsyen se ky dijetar ka njohuri të shumta lidhur me problemet dhe mos pajtimet tona, duke patur parasysh se i lejohet vëllezërve që të kenë lidhje me cilindo dijetar tjetër në fetvatë personale dhe ato të përgjithshme? Ndërsa, për çështjet e mospajtimeve të menhexhit që lidhen me merkezin tonë, kthimi të bëhet vetëm tek ky dijetar, në mënyrë që mos të shkojë cilido tek një dijetar tjetër, ta telefonojë, të marrë fetva dhe t’i godasë vëllezërit me anë të saj. Cila është këshilla juaj, për atë që shkon tek një dijetar dhe e pyet për gjykimin në mospajtimet e menhexhit, pa dijeninë e palës tjetër, e kjo me qëllim që mos të bëhet ndonjë dredhi në pyetje, duke e shtuar grindjen dhe mospatimin. Cila është këshilla juaj, Allahu jua shpërbleftë?
Përgjigjja: d.m.th. këto gjëra vetëm Ebul Haseni i kupton, ndërsa dijetarët tjerë nuk dinë, a janë bagëti?!
O vëlla! Shumë qartë, shumë qartë! Shumë njerëz i njohin njerëzit e Londrës dhe njerëzit e vendeve të tjera përpara Ebul Hasenit, dhjetëra vite përpara.
Dëgjo! Ebul Haseni është një prej vëllezërve, dhe unë [fjalë e paqartë] nga kjo pyetje. Disa njerëz grupohen me dijetarët e Shamit, disa grupohen me dijetarët e Hixhazit dhe Rijadit, disa grupohen me dijetarët e Jemenit; kjo është përçarje.
Tani po grupohen me filanin e kjo është përçarje dhe hizbije. Dijetarët t’i keni të gjithë përpara vetes, qofshin nga Hixhazi, Nexhdi, Shami, Jemeni apo ndonjë vend tjetër; të gjithë i keni vëllezër, prindër, dashamirë dhe shokë.
Vetëm në këto ditë po njihemi me këtë dallim dhe me këtë ndarje.
Këto përpjekje kanë nisur; caktimin e filanit dhe filanit për zgjidhjen e problemeve, ndërsa ky tjetri nuk pranohet (për t’i zgjidhur).
Allahu ju begatoftë! Këto britma kanë ardhur nga Amerika, ku secili xhemat dëshiron t’i caktohet asaj një dijetar. Kjo është hizbije!
Konsideroni vetet tuaja kudo në botë një xhemat të vetëm! Të gjithë dijetarët në botë konsiderojini vëllezër! Lërini këto nacionalizma dhe dallime.
Allahu ju begatoftë! Ka dijetarë që tolerojnë, ka që janë të rreptë, ka të tjerë mesatarë dhe kështu. Kur shkon tek njëri që është i rreptë dhe kufizohesh me të, do të humbësh. Shkon tek njëri që është tolerat dhe kufizohesh me të, do të humbësh. Pra – Allahu të begatoftë – ne marrim disa burime me të njëjtin mehnexh; përfiton nga ky, nga ai tjetri, nga tjetri, nga ky dhe ai.
Allahu të begatoftë!
Pyetësi: Allahu ju shpërbleftë o shejh, Allahu ju dhëntë të mira! Përfunduan pyetjet.
Shejhu: Ju porosis që t’i frikësoheni Allahut! Këto pyetje më lejnë të kuptoj gjëra që më frikësojnë. Frikësohuni Allahut o vëllezër! Jua theksoj këshillën time për ju dhe jini të përkushtuar ndaj Allahut, ndërkohë ju jeni në vende të huaja. Mos i shtoni mospajtimet dhe fitnet mes jush, duke dhënë shembullin më të keq të Islamit, duke i larguar njerëzit nga Islami, duke i larguar grupet e devijuara të cilat Allahu mund t’i udhëzojë përmes jush, duke larguar po ashtu ata që janë mosbesimtarë në origjinë. Fatkeqësisht, këto gjëra ndodhin nga këto mospajtime dhe zënka.
Bashkohuni! Duajeni njëri-tjetrin për hir të Allahut dhe lëreni fanatizmin për njërin apo tjetrin. Dijetarët selefi të njohur për kuptimin e këtij menhexhi, të njohur për thellimin e tyre në të, të gjithë konsiderojini dijetarë dhe vëllezër tuaj, e të gjithë konsiderojini referencë për ju!
Allahu ju begatoftë, ju dhëntë sukses, na ruajttë ne dhe ju nga fitnet, ato që janë të qarta apo të pa qarta, vërtet Zoti ynë i dëgjon lutjet.
[1] Pyetja është shtruar kohë përpara se Ebul Haseni të shpallej i devijuar. (sh.p)
Burimi
Përktheu: Besmir Cacani