REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Familja

Bashkëjetesa e mirë mes burrit dhe gruas – Shejh Abdullah el Buhari

Lavdi Allahut, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e vetëvetes dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka se kush e humb, ndërsa atë që Allahu e humb, nuk ka kush ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të pashok dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ

O ju të cilët keni besuar! Frikësohuni Allahut, ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”[1]

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ ۚ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا

O ju të cilët keni besuar! Frikësohuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Frikësohuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Vërtetë Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”[2]

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا (70) يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَمَن يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا

“O ju të cilët keni besuar! Frikësohuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”[3]

Më pas: fjala më e vërtetë është Libri i Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Punët më të këqia janë ato të shpikura, ku çdo shpikje është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të dërgon në Zjarr.

O besimtarë! Frikësohuni Allahut siç i takon Atij dhe kapuni për lidhjen më të fortë të Islamit!

O besimtarë! Gjendja e shumicës së njerëzve na përcjell sot forma të ndryshme të mos kokëçarjes në të  folur, në domethëniet e fjalëve dhe në frytet e tyre. Një fjalë e cila del nga gjuha e njeriut duke mos i dhënë asaj rëndësi, mund ta hedhë njeriun në humbje dhe në fëlliqësi. Disa prej tyre e kanë nënvlerësuar madhësinë e fjalës, madje nuk ia dinë fare kuptimin e saj. Këta nuk e dinë se zjarri ndizet me dy shkopinj dhe se lufta fillon nga fjala.

O besimtarë! A çuditet ndonjëri prej jush, nëse i thuhet se një fjalë prej fjalëve ia prishën kolonën mbajtëse familjes dhe shtëpisë?! A çuditet ndonjëri prej jush, nëse i thuhet se një fjalë prej fjalëve e kalon njeriun nga gëzimi dhe qetësia, për tek vështirësia dhe hidhërimi?! A e dini o besimtarë se cila është ajo fjalë? Ajo është fjalë që i ka bërë të qajë sytë, i ka copëtuar kraharorët dhe frikësuar zemrat. Një fjalë e vogël në dukje, mirëpo është fatkeqësi e madhe. Një fjalë që e frikëson të egrin, që e kthen gëzimin dhe harenë në zymtësi, ajo është fjala divorc! Eh po ta dish se ç’është fjala divorc, është fjala e lamtumirës, e ndarjes, e debatit dhe përplasjes. Pashë Allahun, sa shtëpi i ka shkatërruar kjo fjalë? Sa të afërm dhe të dashur i ka larguar dhe ndarë! Ah, sa çast i frikshëm dhe fatkeq, si çasti kur gruaja dëgjon se është e ndarë; loti fillon t’i rrjedhë dhe e përshëndet bashkëshortin e saj. Ah, çfarë çasti, si ai që thahen lotët e ndarjes, si ai i largimit nga lumturia dhe shtëpia e begatë e muslimane.

O besimtarë! Jetesa bashkëshortore është rrugëtim i veçantë i dashurisë së brëndshme që ska shembull që e përshkruan. Përmes saj, dy bashkëshortët gjejnë qetësi, trupat e tyre takohen dhe plotësojnë njëri-tjetrin, duke sjellë me këtë takim një krijesë si ata dy. Allahu azze ue xhel-le ka thënë:

وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا وَجَعَلَ لَكُم مِّنْ أَزْوَاجِكُم بَنِينَ وَحَفَدَةً

“Allahu bëri prej jush bashkëshortë (burrë e grua) dhe prej jush nxori fëmijë e nipëra.”[4]

Me të vërtetë, prishja e jetës bashkëshortore – ju ruajtë Allahu – vetëm se e shton zjarrin e përçarjes, i shton debatet dhe i ndez ato më tepër. Po ta donin dy bashkëshortët njëri-tjetrin me një dashuri të sinqertë, po të gjenin prehjen tek njëri-tjetri, atëherë do ta dashuronin njëri-tjetrin dhe për hir të asaj do t’i donin familjarët dhe farefisin, sepse dashuria midis bashkëshortëve është prej shkaqeve të lumturisë së farefisit, e lumturia e farefisit është shkak i lumturisë së umetit i cili përbëhet nga shumë fise, të cilat gjithashtu përbëhen nga çifte të martuara. Nga kjo harmoni dhe dashamirësi përbëhet gjendja e umetit, nëse ato janë të drejta dhe të plota, po ashtu do të jetë edhe baza e këtij umeti dhe do të jetë kënaqësi për të gjithë. Aq sa është e prishur dhe e dobët [dashuria në këtë jetesë], po aq do të jetë sëmundje për këtë umet dhe do të shkaktojë shkatërrim. Personi që nuk ka mirësi në të për familjen e tij, s’do të ketë mirësi në të për umetin e tij. Pejgamberi i nderuar salavatuAllahi ue selamuhu alejhi ka thënë në hadithin e përcjellë nga Tirmidhiu dhe është i saktë: “Më i miri prej jush është ai i cili është më i mirë me familjen e tij, dhe unë jam më i miri ndër ju me familjen time.”

O besimtarë! Pejgamberi i nderuar salavatuAllahi ue selamuhu alejhi ka thënë siç është përcjellur në dy sahihët (Bukhari dhe Muslim), në hadithin ku thuhet: “Zgjidh atë fetare, ndryshe mjerë për ty!”

Kjo është gruaja të cilën feja nxit për marrjen e saj, për kënaqjen me të, dhe bën dua kundër atij që don tjetër veç saj, që distancohet dhe e braktisën atë. Është e ditur o besimtarë, se gruan fetare e zgjedh vetëm ai që e ka zemrën e lidhur me fenë dhe vetja e tij është e dëlirë. Ai që e ka këtë gjendje, do të furnizohet me dashuri mes tij dhe gruas, sepse ky është fryti i ngjashmërisë së karaktereve dhe virtyteve me vlerë. E kundërta e kësaj, është ngjashmëria në virtytet e këqija dhe karakteret e ulëta; kjo nuk do sjellë dashuri. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë në hadithin e transmetuar nga Muslimi:  “Dynjaja është stoli dhe stolia më e mirë e dynjasë është gruaja e devotshme.”

Vërtetë kur është feja mes dy bashkëshortëve, sado që të bien në kundërshtim dhe problemet të ndërlikohen, për çdo problem ka një zgjidhje. Kush e bën të vështirë këtë fe, feja do ta mundë, mirëpo feja është e thjeshtë, e lehtë, është mëshirë, falje, është gjerësi dhe ngritje nga rënia poshtë. Ai që e ka këtë gjendje, nuk do refuzojë të jetë sikurse ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, siç transmetohet në dy sahihët:  “Ju porosis të silleni mirë me gratë, pasi ato janë robëresha tek ju.”

Prej fryteve të fetarisë së gruas, është edhe shfaqja e fetarirë së saj tek ajo, sikurse ka thënë Aishja radijAllahu anhe, në hadithin e transmetuar nga Ibën Ebi Shejbe me zinxhir transmetimi që ka dobësi:  “O gra! Po ta dinit të drejtën që kanë burrat tuaj mbi ju, atëherë ndonjëra prej jush do ta fshinte pluhurin nga fytyra e burrit të saj me faqen e vet.”

Sa injorant është ai burrë që sillet keq me gruan e tij, e sa e trashë është ajo grua që sillet keq me burrin e saj.

O besimtarë! Fjalën divorc nuk mund ta kundërshtojë askush kur ajo duhet, kur bëhet e pamundur jeta nën një hije, e kur largësia arrin limitin që s’mund të këtë më dashuri. Allahu ka thënë:

وَإِن يَتَفَرَّقَا يُغْنِ اللَّهُ كُلًّا مِّن سَعَتِهِ ۚ وَكَانَ اللَّهُ وَاسِعًا حَكِيمًا

“E nëse ata ndahen, Allahu me begatinë e Tij, çdonjërin prej tyre e bën të pavarur. Se Allahu është Dorëgjerë dhe i Urtë.”[5]

Më të vërtetë Allahu i Lartësuar, më Urtësinë e Tij nuk i ka krijuar të dy palët me personalitet të njëjtë, e kush mendon se është ashtu, atëherë jeton me ëndrra. Me të vërtetë, punët nuk shkojnë gjithmonë vaj në shtëpi, ambienti i jetesës mund të prishet, problemet mund të dalin, e kush pret rehatinë e plotë vetëm se gënjen veten. Logjikisht njeriu duhet të përgatisë veten për pranimin e disa vështirësive.

Allahu xhel-le ue ala’ ka thënë:

فَإِن كَرِهْتُمُوهُنَّ فَعَسَىٰ أَن تَكْرَهُوا شَيْئًا وَيَجْعَلَ اللَّهُ فِيهِ خَيْرًا كَثِيرًا

“Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.”[6]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë në hadithin që e ka përcjellë Muslimi në sahihun e tij: “Besimtari nuk e urren besimtaren; n.q.s. urren prej saj ndonjë moral, atëherë i pëlqen prej saj një tjetër.”

Shumë shtëpi e kanë humbur frymën e fesë, andaj po marrin frymën e një ambienti të ashpër dhe të turbullt – Allahu na mbrojtë –. Ato janë rrethuar nga fatkeqësi mendore, morale dhe shoqërore. Disa prej grave mund të ndahen për një copë mishi apo të ngjashme, andaj këta (burra) bëjnë veprime pamend, bëjnë veprime të çmendura, bien në gjynahe dhe padrejtësi, Allahu na ruajtë.

O besimtarë! Është shtuar divorci sepse në disa shoqëri burrat e kanë humbur autoritetin, duke kaluar në regres, në huti dhe larg burimit ku merret dituria, që është Kurani dhe Suneti sipas kuptimit të selefëve të këtij umeti. Një pjesë e njerëzve kanë rënë në burime të liga dhe jo të sigurta, të cilat i kanë ndryshuar kuptimin e jetës bashkëshortore dhe kanë prishur jetën bashkëshortore. Këto kuptime të gabuara i kanë marrë përsipër t’i përhapin mediat me gjitha format që i ka ajo. Kjo, përmes pamjeve të përsëritura, në të cilat ndërtohen mendime të gabuara, që janë në kundërshtim me ato që kanë ardhur në Sheriatin e pastër, duke i ndryshuar rregullat e jetesës bashkëshortore komplet. Ndoshta një pamje e vetme ku mund të shikohet nga 1000 gra për njëherë, nëse ajo pamje ngulitet dhe shëtit në mendje, ajo pamje mund t’ia marrë rehatinë dhe qetësinë, duke e vendosur në praktikë 1000 herë, me 1000 metoda në 1000 raste. Prandaj mos u çuditni – ju ruajtë Allahu -kur të shikoni që i vogli bëhet luan dhe i vogli i devesë të rritet. Realiteti – o muslimanë – është se brendësia e shtëpisë muslimane ndikohet më atë që ndodh jashtë, me thirrjet tolerante, me injorancën dhe epshet; nëse era frynë e fortë jashtë, atëherë hyn edhe brënda shtëpive dhe prej saj shpëton vetëm se atë që e mbron dhe mëshiron Allahu. Allahu xhel-le ua ala’ ka thënë:

وَمَن يَعْتَصِم بِاللَّهِ فَقَدْ هُدِيَ إِلَىٰ صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ

“Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në rrugë të drejtë.”[7]

O besimtarë! Jeta bashkëshortore është jetë shoqërore, kështu që në çdo shoqëri duhet të ketë një kryetar për t’u kthyer në mospajtimet e mendimeve dhe dëshirave, e burri është ai që më së shumti e meriton të jetë kryetar, sepse në shumicën e rasteve është më i dituri rreth dobive dhe më i aftë që t’i vejë në praktikë. Allahu xhele ue ala ka thënë:

الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاءِ بِمَا فَضَّلَ اللَّهُ بَعْضَهُمْ عَلَى بَعْضٍ وَبِمَا أَنفَقُوا مِنْ أَمْوَالِهِمْ

“Meshkujt janë kujdestarë për gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.”[8]

Konkurrimi i disa grave për t’i marrë burrit kujdestarinë, për shkak se janë ndikuar nga ambientet që i rrethojnë, është veçse një devijim i plotë dhe largim nga e vërteta, Allahu na ruajtë. Kujdestaria që ka burri (ndaj gruas) nuk do të thotë se ka të drejtë që të bëjë diktarorin dhe dhunuesin, sepse lidhja bashkëshortore nuk nënkupton robërim, por është një lidhje që përmban dashuri, mëshirë dhe përmbushje të premtimeve.

O besimtarë! Sot janë shtuar divorcet, sepse burrat që japin divorcin janë njëri prej dy personave:

Ose është person që ka përdorur autoritetin e tij dhe nuk ka përdorur ndjeshmërinë, duke qenë në shtëpi si zotëri, mirëpo në të vërtetë nuk e ka shijuar shijen e lumturisë, as të dashurisë, as nuk e ka njohur çiltërësinë dhe gëzimin.

Ose është person që shkon pas ndjenjave të tija, duke i ndjekur ato dhe duke mos e përdorur autoritetin e tij, duke e humbur këtë të fundit, e më pas jeton në shtëpinë e tij si skllav i robëruar.

Është shtuar divorci në ditët tona o besimtarë, sepse janë shtuar ziliqarët dhe gënjeshtarët, andaj kanë ndryshuar natyrën e njerëzve, kanë ndryshuar gjendjet, duke i bërë shkaqet e dashurisë në shkaqe urrejtjeje dhe armiqësie. Familjarët e bashkëshortëve mund të kenë qëndrime të hapura që janë bërë shkaqe të drejtpërdrejta në shumë kundërshtime. Ndoshta ndërhynë babai, e nganjëherë nëna, vëllai apo motra, andaj hyn dyshimi tek burri, se cilit t’i japë përparësi? A prindërve të cilët e njohin që të vogël dhe e kanë edukuar që i vogël, apo gruas së tij, që e ka shoqëruar, që është larguar dhe ndarë nga familja e saj për të? Ky është një vendim shumë i vështirë, ku më e lehta është tejet e vështirë, ndërsa më e ëmbla është tejet e hidhur.

Këto ndërhyrje në jetën bashkëshortore o besimtarë, ato përmbajnë rrezik për shumë familje. Ç’është puna me këta që sulmojnë shtëpitë, duke i marrë punët mbrapsht, duke i shqyer dhe shkatërruar, duke futur përplasje dhe urrejtje midis bashkëshortëve? Çfarë ndikimi mund të kenë këta në shtëpitë të cilat formojnë umetin, dhe në këtë umet i cili formohet nga shtëpitë? Çdo i mençur e di që e keqja e tyre është i madh dhe se ajo që bëjnë në umet është fitne e shkatërrim i madh në tokë.

O besimtarë! Lidhja bashkëshortore është lidhje e thellë, me rrënjë që i kanë shpresat larg, andaj Allahu e mëshiroftë atë burrë me histori të mirë, me shpirt të këndshëm, i lehtë, i butë dhe i mëshirshëm me familjen e tij, që i pason urdhërat e Allahut dhe të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke mos e ngarkuar gruan e tij me atë gjë që nuk e përballon.

Allahu i dhëntë bereqet asaj gruaje që nuk bëhet shkak që burri t’i flasë me ashpërsi, që nuk flet në prezencën e tij fjalë të kota. Përcjell Muslimi në sahihun e tij nga Ebu Seid el Khudrij, radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njerëzit me pozitë më të keqe tek Allahu në Ditën e Gjykimit janë burri dhe gruaja që i jepen njëri-tjetrit (për marrëdhënie) dhe pastaj i tregon sekretet e saja (fjalët dhe veprat që kanë bërë).” Pejgamberi  sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë siç e përcjell imam Ahmedi në musned, duke qenë hadith i mirë, ka thënë: “Nëse gruaja i fal pesë kohët e namazit, e agjëron muajin (e Ramazanit), e ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, atëherë do të hyjë në Xhenetin e Zotit të saj.”

Me gjithë këtë që përmendëm o besimtarë, kuptohet se shoqëria më e mirë që njeriu mund të shoqërohet me të gjatë jetës, që mund ta ndihmojë në obligimet që ka, është një grua e këndshme në bashkëjetesë, e mirë me moral, që kur e shikon burri gëzohet dhe ajo i bindet, që nuk e kundërshton burrin as në veten e saj dhe as në pasurinë e tij me diçka që ai e urren. Me të vërtetë kjo grua është shtylla e shtëpisë së lumtur dhe kolona e saj mbajtëse. Allahu xhel-le ue ala’ ka thënë:

فَالصَّالِحَاتُ قَانِتَاتٌ حَافِظَاتٌ لِّلْغَيْبِ بِمَا حَفِظَ اللَّهُ

“Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”[9]

Allahu na dhëntë begati mua dhe ju në Kuran dhe Sunet, na dhëntë dobi Allahu mua dhe ju me ajetet dhe urtësitë e tyre. I them ato që dëgjuat dhe i kërkoj Allahut falje për ju dhe për mua, vërtet Ai është Falës me robërit e Tij.

 

Hytbeja e dytë:

Lavdi Allahut, lavdi të shumta dhe të begata. Salavatet dhe selamet e plota dhe të përkryera qofshin për zotërinë e bijve të Ademit, Muhamedin birin e Abdullahiu, salauatullahi ue selamuhu ue bereketuhu alejhi, më pas:

O besimtarë! Çdo kush mund të kalojë disa kohë dobësie që nuk i pëlqen për vetveten, mirëpo i përballon dhe arsyetohet me arsyetime. Nëse është kështu çështja, nëse bën durim njëkohësisht, nëse praktikon urdhërin hyjnor për të bërë durim për gjithçka që heq njeriu, nëse është kështu, atëherë le të jetë kështu edhe çështja midis bashkëshortëve; ta arsyetojnë njëri-tjetrin, sepse besimtari kërkon arsyetime, dhe patjetër duhet të mbyllet njëri sy në rast rrëshqitjeje apo gabimi, që të bëhet e qëndrueshme jetesa midis bashkëshortëve. E gjithë kjo o besimtarë, kushtëzohet me faktin që mos të mbyllet një sy në hidhërim të Allahut xhel-le ue azze. Prej gjërave që i lehtëson vështirësitë, mundimet dhe lodhjet e jetës për dy bashkëshortët, është që ta ndihmojnë njëri-tjetrin, që ta ndjejë ai që është në nevojë prej atyre dyve se ka një person që e ndihmon dhe ndan me të vështirësinë.

Ja nëna e besimtarëve, Hatixhja radijAllahu teala anha ue erdaha, bashkëshortja e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dashuria për të ishte shumë e madhe në zemrën e saj, ajo ishte për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem sikur fjala “po”. Ajo sikur nuk ka thënë asnjëherë me “jo”, përveçse në dy Shehadetet. Ajo vazhdoi duke e përkrahur, mbështetur dhe ngushëlluar me pasurinë e saj, duke e gëzuar me fjalë dhe duke i thënë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kurrësesi! Përgëzohu, sepse betohem në Allahun se nuk ka për të turpëruar kurrë! Betohem në Allahun, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, je i sinqertë kur flet, e mban barrën e të tjerëve, e ndihmon atë që ka nevojë, e respekton mikun dhe e ndihmon atë që është në të vërtetë.” Siç është transmetuar në dy sahihat.

Është përmendur në sahihun e Muslimit, nga Enesi radijAllahu anhu, se ka thënë: “I vdiq një fëmijë Ebu Talhas që e kishte me Ummu Sulejmin. Ajo i tha familjarëve që mos i tregoni gjë Ebu Talhas për birin e tij, derisa t’i tregojë unë.” Thotë: “Erdhi Ebu Talha, ajo i dha darkën, ndërsa ai hëngri dhe piu. Pastaj ajo u zbukurua për të me stolitë më të bukura që mund të zbukurohej, dhe Ebu Talha kreu marrëdhënie me të. Kur Ummu Sulejmi shikoi se u ngop dhe kreu marrëdhënie me të, i tha: “O babai i Talhasë! Sikur dikush t’i huazonte diçka dikujt, pastaj t’ia kërkonin huanë, a duhet t’ia mohojnë?” Tha: “Jo!” Ajo i tha: “Atëherë shpreso shpërblim për djalin tënd!” Ebu Talha u zemërua dhe tha: “Më le derisa bëra atë që bëra me ty, pastaj më lajmërove për djalin tim?” Ebu Talha u largua, shkoi tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe e lajmëroi për atë që i ndodhi (me gruan e tij). Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “Allahu ju begatoftë të dyve në natën tuaj.” Ajo ngeli shtatzënë dhe lindi një fëmijë që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i bëri tahnik me hurmën axhua të Medines dhe e quajti Abdullah radijAllahu anhu.

Allahu ekber! Allahu ekber! O besimtarë! Le të jetë kështu jeta bashkëshortore, o ju bashkëshortë. Le të jetë kështu jeta e lumtur, tek vetvetja, tek fëmija, tek pasuria, pastaj ta dini – ju ruajtë Allahu – se për çdo bashkëshort ka detyrime ndaj tjetrit.

Burri e ka detyrë që të shpenzojë për gruan e tij, që mos ta ngarkojë me çfarë nuk mund ta bëjë, që të banojë në një shtëpi të përshtatshme për të, ta mësojë prej fesë ato që i ka detyrë t’i dijë, të jetë xheloz për të me një xhelozi sheriatike, ta mbrojë plotësisht nga çdo gjë, mos ta mashtrojë dhe të jetojë bashkë me të me mirësi:

فَإِمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë.”[10] Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ju porosis të silleni mirë me gratë.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u pyet: “Çfarë detyrimesh kemi ndaj grave?” Tha: “Ta ushqesh kur ushqehesh, ta veshësh kur vishesh, mos ta godasësh në fytyrë, mos ta poshtërosh dhe t’i distancohesh vetëm në shtëpi.” Hadithin e ka përcjellë imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe është i saktë.

Nga detyrimet që ka gruaja ndaj burrit janë: t’i bindet në mirësi, ta mbikqyrë në shtëpi, mos të agjërojë vullnetarisht pa lejen e tij, mos të lejojë askënd të futet në shtëpi pa lejen e tij, mos të dalë nga shtëpia pa lejen e tij, ta falenderojë për mirësitë që ia jep, mos t’ia mohojë të mirat, ta ndreqë dhe rregullojë shtëpinë, t’i stoliset atij, t’ia mundësojë atij shkaqet e bashkëjetesës së kënaqshme, t’ia ruajë fenë, nderin dhe  pasurinë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo gruaje që i vdes burri dhe ai ishtë i kënaqur me të, ajo ka për të hyrë në Xhenet.” Hadithin e ka përcjellë imam Tirmidhiu, Hakimi dhe është i saktë.

Allahu na dhëntë begati mua dhe ju në Kuran dhe Sunet!

O Allah, krenoji muslimanët dhe Islamin, poshtëroje kufrin dhe mosbesimtarët, ndihmoji njerëzit e Tu besimtarë!

O Allah, na bëj të sigurtë në vendet tona, përmisoji kryetarët dhe qeveritarët tanë, dhe jepja kryesinë tonë atyre që të frikësohen Ty, që janë të devotshëm ndaj Teje dhe ndjekin kënaqësinë Tënde, o Zoti i krijesave!

O Allah, kërkojmë faljen Tënde, sepse Ti je Falës i Madh, andaj lësho ujë me bollëk nga qielli! O Allah, kërkojmë faljen Tënde, sepse Ti je Falës i Madh, andaj lësho ujë me bollëk nga qielli! O Allah bëje shi mëshire dhe jo shkatërrimi, fatkeqësie dhe përmbytjeje.

I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Salavati qoftë mbi të dërguarit dhe lavdi Allahut, Zotit të Krijesave![11]

 

Përktheu: Idris Manushi

___________________

[1] Aal Imran: 102.

[2] En-Nisa’: 1.

[3] El Ahzab: 70-71.

[4] En-Nahl: 72.

[5] En-Nisa’: 130.

[6] En-Nisa’: 19.

[7] Aal Imran: 101.

[8] En-Nisa’: 34.

[9] En-Nisa: 34.

[10] El Bekare: 229.

[11] Hytbe e mbajtur nga shejh Abdullah ibën AbdurRahim el Bukhari – Allahu e ruajtë – në xhaminë “erRiduan” në Medinen pejgamberike.