REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Baza në tefsir (pjesa 2) – Shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin

3. Zbritja e Kuranit pa shkak dhe me shkak

Zbritja e Kuranit ndahet në dy lloje:

Lloji i parë: pa shkak (ibtidai) që do të thotë se nuk e ka paraprirë asnjë shkak më parë. Kështu janë shumica e ajeteve në Kuran, siç është fjala e Allahut të Lartësuar:

وَمِنْهُم مَّنْ عَاهَدَ اللَّهَ لَئِنْ آتَانَا مِن فَضْلِهِ لَنَصَّدَّقَنَّ وَلَنَكُونَنَّ مِنَ الصَّالِحِينَ

“Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”.[1]

Këto ajete zbritën pa shkak, për të sqaruar gjendjen e disa hipokritëve, kurse ajo ç’ka është përhapur, se ky ajet ka zbritur për Thalebe ibën Hatib në një tregim të gjatë, të cilin e kanë përcjellë shumë dijetarë të tefsirit dhe që e përcjellin shumë prej ligjëruesve, ajo është e dobët dhe e pasaktë.[2]

Lloji i dytë: me shkak, pra ka ndodhur diçka përpara zbritjes. Shkaku është dy llojesh:

a. Pyetje të cilës i përgjigjet Allahu, si për shembull fjala e Allahut:

يَسْأَلُونَكَ عَنِ الْأَهِلَّةِ ۖ قُلْ هِيَ مَوَاقِيتُ لِلنَّاسِ وَالْحَجِّ

“Të pyesin (o Muhamed) për daljen e hënës së re. Thuaj: “Ato janë shenja për të treguar kohë të caktuara për njerëzit dhe për haxhin.”[3]

b. Kur ndodh një ngjarje e cila duhet sqaruar ose paralajmëruar. Për shembull:

وَلَئِن سَأَلْتَهُمْ لَيَقُولُنَّ إِنَّمَا كُنَّا نَخُوضُ وَنَلْعَبُ ۚ قُلْ أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ (65) لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُم بَعْدَ إِيمَانِكُمْ ۚ إِن نَّعْفُ عَن طَائِفَةٍ مِّنكُمْ نُعَذِّبْ طَائِفَةً بِأَنَّهُمْ كَانُوا مُجْرِمِينَ

“Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).”[4]

Këto dy ajete zbritën për një prej hipokritëve i cili tha në luftën e Tebukut, në një tubim: “Skemi parë si keto lexuesit tanë; barkmëdhenj, gënjejnë kur flasin dhe frikacakë kur janë përballë armikut.” Pra, kishte për qëllim Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokët e tij. Kjo i arriti Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe zbriti Kurani në ato momente. Personi që i tha ato fjalë, erdhi të shfajsohej tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili i përgjigjej duke i thënë:

أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ

“A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?”[5]

  1. Ose zbret për një vepër që ndodh në moment dhe duhet njohur gjykimi i saj. Për shembull:

قَدْ سَمِعَ اللَّهُ قَوْلَ الَّتِي تُجَادِلُكَ فِي زَوْجِهَا وَتَشْتَكِي إِلَى اللَّهِ وَاللَّهُ يَسْمَعُ تَحَاوُرَكُمَا ۚ إِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ بَصِيرٌ (1) الَّذِينَ يُظَاهِرُونَ مِنكُم مِّن نِّسَائِهِم مَّا هُنَّ أُمَّهَاتِهِمْ ۖ إِنْ أُمَّهَاتُهُمْ إِلَّا اللَّائِي وَلَدْنَهُمْ ۚ وَإِنَّهُمْ لَيَقُولُونَ مُنكَرًا مِّنَ الْقَوْلِ وَزُورًا ۚ وَإِنَّ اللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورٌ (2) وَالَّذِينَ يُظَاهِرُونَ مِن نِّسَائِهِمْ ثُمَّ يَعُودُونَ لِمَا قَالُوا فَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍ مِّن قَبْلِ أَن يَتَمَاسَّا ۚ ذَٰلِكُمْ تُوعَظُونَ بِهِ ۚ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ (3) فَمَن لَّمْ يَجِدْ فَصِيَامُ شَهْرَيْنِ مُتَتَابِعَيْنِ مِن قَبْلِ أَن يَتَمَاسَّا ۖ فَمَن لَّمْ يَسْتَطِعْ فَإِطْعَامُ سِتِّينَ مِسْكِينًا ۚ ذَٰلِكَ لِتُؤْمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ ۚ وَتِلْكَ حُدُودُ اللَّهِ ۗ وَلِلْكَافِرِينَ عَذَابٌ أَلِيمٌ

“Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka. Ata midis jush, që i ndajnë gratë e veta, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, duhet ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Fjalët që ata thanë, janë të pahijshme dhe të pavërteta. Megjithatë, Allahu është Falës dhe Shlyes i gabimeve. Ata që i ndajnë gratë e veta në këtë mënyrë e pastaj duan të kthejnë mbrapsht atë që thanë, duhet të lirojnë një skllav (apo skllave), para se të preken (të kryejnë marrëdhënie) përsëri. Kështu ju urdhërohet. Allahu i di të gjitha ato që bëni ju. Ai që nuk gjen (ndonjë skllav për të liruar), duhet që të agjërojë dy muaj rresht, para se të preken si bashkëshortë. E nëse nuk mund ta mbajë agjërimin, atëherë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, që të tregoni besimin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këta janë kufijtë e Allahut. Ndërsa për jobesimtarët ka vuajtje të mundimshme.”[6]

 

Dobitë e njohjes së shkaqeve të zbritjes së ajeteve

Njohja e shkaqeve të zbritjes është e rëndësishme, sepse sjell dobi të shumta, ku prej tyre:

  1. Kurani është zbritur nga Allahu i Lartësuar, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pyetej për një gjë, dhe nganjëherë qëndronte pa dhënë përgjigje, derisa i zbriste shpallja nga Allahu, ose nuk e dinte esencën e çështjes, andaj i zbriste shpallja nga Allahu që i sqaronte situatën.

Shembull për rastin e parë është fjala e Allahut:

وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الرُّوحِ ۖ قُلِ الرُّوحُ مِنْ أَمْرِ رَبِّي وَمَا أُوتِيتُم مِّنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلً

“Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve ju është dhënë veçse pak dijeni.”[7]

Ka ardhur në sahihun e Buhariut,[8] nga Abdullah ibën Mes’udi, radijAllahu anhu: se një person prej çifutëve tha: “O Ebul Kasim! Çfarë di rreth shpirtit?” dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem heshti. Në një transmetim tjetër thuhet: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk foli dhe nuk i ktheu pergjigje, andaj e kuptova që po i zbriste Shpallja, kështu që nuk lëviza. Skur i zbriti Shpallja, tha ajetin:

وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الرُّوحِ ۖ قُلِ الرُّوحُ مِنْ أَمْرِ رَبِّي

“Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit.”[9]

Shembull për rastin e dytë është fjala e Allahut:

يَقُولُونَ لَئِن رَّجَعْنَا إِلَى الْمَدِينَةِ لَيُخْرِجَنَّ الْأَعَزُّ مِنْهَا الْأَذَلَّ

“Ata (hipokritët) thonë: “Nëse kthehemi në Medine, pa dyshim që të fuqishmit (Ibën Ubej dhe hipokritët e tjerë) do t’i dëbojnë të dobëtit (Pejgamberin dhe shokët e tij) nga ajo!”[10]

Ka ardhur në sahihun e Buhariut,[11] se Zejd ibn Erkam radijAllahu anhu, dëgjoi Abdullah ibn Ubej, kokën e munafikëve duke i thënë këto fjalë dhe kishte si qëllim se ai ishte i fuqishmi, ndërsa të dobëtit ishte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokët e tij. Zejdi lajmëroi xhaxhain e tij për këtë, e ky lajmëroi Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e thirri Zejdin i cili tregoi atë që kishte dëgjuar. Pastaj dërgoi njerëz tek Abdullah ibën Ubej dhe shokët e tij (për t’i pyetur lidhur me këtë gjë), ndërsa ata u betuan se nuk e kishin thënë diçka të tillë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i besoi, dhe Allahu zbriti këtë ajet për të treguar sinqeritetin e Zejdit, kështu u bë e qartë çështja e tyre tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

  1. Sqarohet kujdesja dhe mbrojtja e Allahut të Lartësuar për të Dërguarin e Tij.

Shembull për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْلَا نُزِّلَ عَلَيْهِ الْقُرْآنُ جُمْلَةً وَاحِدَةً ۚ كَذَٰلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ ۖ وَرَتَّلْنَاهُ تَرْتِيلً

Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.[12]

Gjithashtu dhe ajetet që zbritën për historinë e Ifkut (shpifjes), të cilat ishin mbrojtje për nderin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe pastrim nga ajo që nxorën gënjeshtarët.

  1. Sqarohet kujdesja e Allahut të Lartësuar për robërit e Tij kur ia largon vështirësitë dhe brengat e tyre.

Shembull për këtë është ajeti që ka zbritur për tejemumin. Ka ardhur në sahihun e Buhariut,[13] se Aishes radijAllahu anhe i humbi një stoli, ndërkohë që ishte bashkë Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në një prej udhëtimeve të tij. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem qëndroi duke e kërkuar dhe njerëzit po ashtu, mirëpo i mbaroi uji. Ata u ankuan tek Ebu Bekri, dhe përmendi hadithin në të cilin thuhet se Allahu zbriti ajetin e tejemumit, andaj morën tejemum. Usejd ibën Hudajr tha: “Nuk është begatia e parë e juaja o familja e Ebu Bekrit.” Hadithi gjendet i plotë në sahihun e Buhariut.

  1. Ajeti kuptohet saktë.

Shembull për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

 إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِن شَعَائِرِ اللَّهِ ۖ فَمَنْ حَجَّ الْبَيْتَ أَوِ اعْتَمَرَ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِ أَن يَطَّوَّفَ بِهِمَا

“Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre.”[14] Ajeti nënkupton ecjen mes dy kodrinave, dhe ajo që duket qartë në fjalën e Allahut: “S’ka kurrfarë gjynahu”, se gjykimi i ecjes mes të dy kodrinave është e lejuar. Transmetohet në sahihun e Buhariut nga Asim ibn Sulejman se ka thënë:E pyeta Enes ibën Malikun radijAllahu anhu për ecjen mes Safasë dhe Mervasë, e ai tha:Ne e mendonim si çështje të injorancës (xhahilijetit), dhe kur erdhi Islami u ndalëm nga ecja mes tyre, kështu zbriti fjala e Allahut:

 إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِن شَعَائِرِ اللَّهِ ۖ فَمَنْ حَجَّ الْبَيْتَ أَوِ اعْتَمَرَ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِ أَن يَطَّوَّفَ بِهِمَا

“Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre.”[15]

Me këtë u bë e qartë se me mohimin e gjynahut nuk është për qëllim sqarimi i origjinës së gjykimit të ecjes, por qëllimi është mohimi i ngushtimit që ndjenin se janë ndalur nga veprimi i saj, pasi mendonin se ajo është prej çështjeve të injorancës, kurse gjykimi i ecjes mes dy kodrinave është është bërë e qartë me fjalën e Allahut:

مِن شَعَائِرِ اللَّهِ

“Janë pjesë e Simboleve të Allahut.”[16]

 

Kur fjala është e përgjithshme dhe shkaku është i veçantë (specifik):

Kur zbret ajeti për një shkak të veçantë, ndërsa fjala e drejtuar është e përgjithshme, atëherë gjykimi i saj është gjithpërfshirës i shkakut të saj dhe i çdo gjëje që bën pjesë në atë fjalë, sepse Kurani ka zbritur si legjislaturë e përgjithshme për të gjithë umetin, andaj merret në konsideratë fjala e përgjithshme dhe jo shkaku i veçantë (specifik).

Shembull për këtë janë ajetet që kanë zbritur për mallkimin, që janë fjala e Allahut të Lartësuar:

وَالَّذِينَ يَرْمُونَ أَزْوَاجَهُمْ وَلَمْ يَكُن لَّهُمْ شُهَدَاءُ إِلَّا أَنفُسُهُمْ فَشَهَادَةُ أَحَدِهِمْ أَرْبَعُ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ ۙ إِنَّهُ لَمِنَ الصَّادِقِينَ (6) وَالْخَامِسَةُ أَنَّ لَعْنَتَ اللَّهِ عَلَيْهِ إِن كَانَ مِنَ الْكَاذِبِينَ (7) وَيَدْرَأُ عَنْهَا الْعَذَابَ أَن تَشْهَدَ أَرْبَعَ شَهَادَاتٍ بِاللَّهِ ۙ إِنَّهُ لَمِنَ الْكَاذِبِينَ (8) وَالْخَامِسَةَ أَنَّ غَضَبَ اللَّهِ عَلَيْهَا إِن كَانَ مِنَ الصَّادِقِينَ

Nëse një burrë e akuzon gruan e tij pa pasur dëshmitarë të tjerë përveç vetes, ai duhet të betohet në Allahun katër herë, se thotë të vërtetën, dhe herën e pestë të kërkojë mallkimin e Allahut ndaj vetes, nëse ka gënjyer. Ndërsa gruaja do të kursehet nga dënimi, nëse betohet për Allahun katër herë, se i shoqi është gënjeshtar dhe, herën e pestë, të kërkojë zemërimin e Allahut ndaj vetes, nëse i shoqi ka thënë të vërtetën.”[17]

Në sahihun e Buhariut[18] transmetohet nga Ibën Abbasi radijAllahu anhume, se Bilal ibën Umeje akuzoi gruan e tij tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se e ka tradhëtuar me Sherik ibn Sahmanë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “Ose do sjellësh fakte ose do të dënohesh.” Hilali tha: “Betohem për Atë që të ka dërguar me të vërtetën se jam i sinqertë. Allahu do të zbresë ç’ka më liron nga dënimi.” Zbriti Xhibrili dhe Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem iu zbrit:

وَالَّذِينَ يَرْمُونَ أَزْوَاجَهُمْ

Nëse një burrë e akuzon gruan e tij[19] dhe lexoi derisa arriti tek:

إِن كَانَ مِنَ الصَّادِقِينَ

Nëse i shoqi ka thënë të vërtetën.”[20] Hadithi.

Këto ajete zbritën për akuzën që bëri Hilal ibën Umeje ndaj gruas së tij, mirëpo gjykimi i tyre përfshin Hilalin dhe të tjerët. Argument për këtë është hadithi që ka përcjellë Buhariu në sahihun e tij, nga Sehël ibën Sa’d radijAllahu anhu, se Uvejmir el Axhlani shkoi tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Një person që e gjen gruan e tij me një tjetër, a ta vrasë dhe pastaj e vrisni, apo si të bëjë?” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “Allahu ka zbritur (ajete) Kurani për ty dhe gruan tënde”, kështu që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i urdhëroi për mallkim të ndërsjelltë ashtu siç ka ardhur në Librin e Tij, dhe ai e mallkoi atë.” Hadithi.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, gjykimin e këtyre ajeteve e bëri përfshirës të Hilal ibën Umejes dhe të tjerëve.

 

…vijon në numrin e ardhshëm inshaAllah…

Burimi: Usulun fit-tefsir fq. 13-17.

Përktheu: Idris Manushi

_________________

[1] Et-Teubeh: 75.

[2] E transmeton Taberani dhe në të është Alij ibën Jezid el-Elhani që është metruk, nuk i merret hadithi.

[3] El Bekareh: 189.

[4] Et-Teubeh: 65-66. Këtë ngjarje e ka përmendur Ibën Kethiri në tefsirin e tij (2.368) dhe Taberiu gjithashtu (10/172).

[5] Et-Teubeh: 65-66.

[6] El Muxhadeleh: 1-4.

[7] El Isra’: 85.

[8] Buhariu në kapitullin “Dituria”, tema: “Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ju është dhënë prej dijes vetëm pak.” Numër 125. Muslimi në kapitullin “Cilësitë e hipokritëve dhe dispozitat e tyre”, tema: “Pyetja që çifutët i bënë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem rreth shpirtit dhe thënies së Allahut: “Do të të pyesin ty për shpirtin.” Numër 2794.

[9] El Isra’: 85.

[10] El Munafikun: 8.

[11] Buhariu në kapitullin “Tefsiri, surja el Munafikun”, tema: “Thënia e Allahut “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” numër 4900. Muslimi në kapitullin “Cilësitë e hipokritëve dhe dispozitat e tyre”, tema: “Cilësitë e hipokritëve dhe dispozitat e tyre” numër 2772.

[12] El Furkan: 32.

[13] Buhariu në kapitullin “Tejemumi”, tema: “Thënia e Allahut: “Dhe nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të.” numër 234. Muslimi në kapitullin “Menstruacionet”, tema: “Tejemumi” numër 367.

[14] El Bekareh: 185.

[15] El Bekareh: 185.

[16] El Bekareh: 185.

[17] En-Nur: 6-9.

[18] Buhariu në kapitullin “Haxhi”, tema: “Çfarë është përcjellë lidhur me ecjen mes Safasë dhe Mervasë.” Muslimi në kapitullin “Haxhi”, tema: “Sqarimi se ecja mes Safasë dhe Mervasë është kusht pa të cilin nuk konsiderohet i saktë haxhi” numër 1278.

[19] En-Nur: 6-9.

[20] En-Nur: 6-9.