REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Forma e marrjes së abdesit – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja 68: cila është forma e marrjes së abdesit?

Përgjigjja: dy janë format e marrjes së abdesit:

Forma e parë: është forma e obliguar pa të cilën abdesi nuk është i saktë, e cila është përmendur tek thënia e Allahut të Lartësuar:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ ۚ

“O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje.”[1] Tek kjo formë bën pjesë larja e fytyrës një herë, këtu bën pjesë – d.m.th. tek larja e fytyrës bën pjesë edhe – futja e ujit në hundë dhe larja e gojës, larja e duarve deri në bërryla një herë, duke filluar nga majat e gishtave dhe duke përfunduar tek bërrylat, fshirja e kokës një herë, këtu bën pjesë – d.m.th. tek fshirja e kokës bëjnë pjesë edhe – veshët. Në fund edhe larja e këmbëve një herë deri në nyje. Kjo është forma e obliguar që duhet bërë patjetër.

Sa i përket formës së dytë së marrjes së abdesit, ajo është forma e pëlqyer, të cilën do ta përmendim tani me ndihmën e Allahut. Ajo bëhet duke thënë “bismil-lah” para abdesit, lahen tre herë duart, pastaj futet uji në hundë dhe lahet goja tre herë me tre grushta ujë, më pas lahet fytyra tre herë, pastaj lahen duart deri në bërryla tre herë, duke filluar me të djathtën, pastaj me të majtën, më pas fshin kokën një herë, duke filluar me pjesën ballore dhe duke përfunduar me pjesën e mbrapa, pastaj kthehesh përsëri në pjesën ballore, më pas fshin veshët duke futur gishtat tregues në zgavrat e veshëve dhe me gishtat e mëdhenj fshin pjesën e jashtme të tyre, pastaj lan këmbët deri në nyje tre herë, fillon me të djathtën, pastaj me të majtën. Pas këtyre thua:

أشْهَدُ أنْ لا إله إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لا شَرِيك لَهُ ، وأشْهَدُ أنَّ مُحَمَّداً عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ ، اللَّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنَ التَوَّابِينَ ، واجْعَلْني مِنَ المُتَطَهِّرِينَ

“Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. O Allah, më bëj prej atyre që pendohen dhe atyre që pastrohen.”[2] Kush e bën këtë, i hapen tetë dyert e Xhenetit dhe hyn prej cilës dëshiron ai. Kështu është vërtetuar hadithi nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që e përcjellë Umeri radijAllahu anhu.[3]

 

Pyetja: 69: shejh i nderuar! Mirëpo lidhur me veshët, a duhet ujë i veçantë për to, apo përdoret uji i kokës?

Përgjigjja: nuk duhet të përdoret ujë tjetër për veshët, madje nuk është as e pëlqyer, sepse të gjithë ata që kanë përshkruar abdesin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk kanë përmendur se përdorte ujë tjetër për veshët, andaj më mirë është që veshët të fshihen me ujin e mbetur pas fshirjes së kokës.

 

Burimi: Fik’hul ibadat fq. 116-117.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] El Maideh: 6.

[2] Esh’hedu en la ilahe il-lAllahu uahdehu la sherijke leh, ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu. Allahumme ixh’alni mine et-teuabine uexh’alni minel mutetahirin. (shp)

[3] Hadithi: “Kush merr abdes në mënyrën më të mirë, pastaj thotë:

أشْهَدُ أنْ لا إله إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لا شَرِيك لَهُ ، وأشْهَدُ أنَّ مُحَمَّداً عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ ، اللَّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنَ التَوَّابِينَ ، واجْعَلْني مِنَ المُتَطَهِّرِينَ

“Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. O Allah, më bëj prej atyre që pendohen dhe atyre që pastrohen”, i hapen tetë dyert e Xhenetit dhe hyn prej cilës dëshiron ai.”

Transmeton Tirmidhiu, kitabu et-taharati, babu fijma jukalu ba’del vudu nr. 55. Tirmidhiu ka thënë se: zinxhiri i transmetimit i këtij hadithi ka parregullsi dhe nuk është vërtetuar diçka e madhe nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lidhur me këtë temë.

Shiko hulumtimin e shejh Ahmed Shakir rreth këtij hadithi në fusnotën 1/78-83.