REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Moral

Ihsani (bamirësia)

Shejh Rabi’ ibën Hadi el Medkhali[1]

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Lavdi Allahut, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që ndjekin udhëzimin e tij. Më pas:

Islami synon që jetës së muslimanëve t’i japë një formë të bukur, ku të sundojë jetesa Islame dhe të mbulohet me bamirësi të përgjithëshme në të gjitha dimensionet dhe horizontet e tij.

Gjithashtu, ai synon që bamirësia të përfshijë çdo punë, çdo veprim dhe fjalë, në të gjitha gradat individuale apo kolektive, në rang shteti dhe umeti, në lidhjen që çdo individ ka me Krijuesin e tij, me familjen e tij dhe me shoqërinë në të cilën jeton, po ashtu në lidhjen e umetit me individin, të shtetit me individin dhe grupeve të njerëzve në lidhjen që kanë me Allahun.

Kur muslimani kryen një detyrë prej detyrave ndaj Allahut, në çfarëdo fushe qoftë, e veçanërisht në atë të adhurimit, atëherë le ta kryej duke përfytyruar se Allahu po e shikon; sikur është duke e parë dhe shikuar Allahun. Nëse nuk arrin në këtë gradë, atëherë le ta ndjejë se Allahu e shikon atë. Kjo ndjenjë apo tjetra, do ta shtyjnë që ta bëjë punën me saktësi, bamirësi dhe përpikmëri. I gjithë umeti Islam duhet të këtë këtë ndjenjë, “adhuroje Allahun sikur je duke e shikuar, edhe pse ti nuk e shikon, Ai të shikon ty”.

Sa i përket lidhjes së njeriut me familjen dhe shoqërinë e tij, atëherë marrëdhënia e tij lidhur me ta duhet të ngrihet dhe të përqendrohet mbi bazë të bamirësisë.

وَاعْبُدُوا اللَّهَ وَلا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئاً وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَاناً وَبِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَالْجَارِ ذِي الْقُرْبَى وَالْجَارِ الْجُنُبِ وَالصَّاحِبِ بِالْجَنْبِ وَابْنِ السَّبِيلِ وَمَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj.”[2]

Po t’i praktikonte umeti Islam këto mësime në jetën e tij, po të punonte çdo individ i umetit Islam që të zbatonte këtë parim – parimin e bamirësisë – dhe ta bënte familjen e tij pikënisjen e kësaj bamirësie – pas bamirësisë në adhurimin e Allahut – dhe ta bënte me domethënien e plotë të bamirësisë në fjalë, vepra, pasuri dhe përpjekje, atëherë do të bëhej shembull në lumturi, përparim dhe sovranitet.

Sa i takon lidhjes së individëve dhe shoqërive me njëra-tjetrën, lidhjes së qeveritarëve me të qeverisurit, Allahu urdhëron për drejtësi dhe bamirësi në të gjitha dimensionet:

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالأِحْسَانِ

“Vërtet Allahu urdhëron për drejtësi dhe bamirësi.”[3]

Vërtet bamirësia në këndvështrimin Islam, ka një pozitë të lartë, me anë të cilës Allahu i merr umetit Islam premtimet e forta se do të kryejnë – me bamirësi – obligimet mbi të cilat ndërtohet Islami dhe lumturia e umetit:

وَإِذْ أَخَذْنَا مِيثَاقَ بَنِي إِسْرائيلَ لا تَعْبُدُونَ إِلاَّ اللَّهَ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَاناً وَذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَقُولُوا لِلنَّاسِ حُسْناً وَأَقِيمُوا الصَّلاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ

“Kujtoni kur Ne morëm besën tuaj, o bijtë e Israilit, se do të adhuroni vetëm Allahun, do të silleni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët dhe të varfrit, do t’u thoni fjalë të mira njerëzve, do të falni namazin e do të jepni zeqatin.”[4] Ky është detyrim për bamirësi brënda kornizës familjare dhe ambientit shoqëror me bamirësi në vepra dhe fjalë.

Islami dëshiron që moralin e umetit Islam ta bëjë kopje të moralit që kanë banorët e Xhenetit:

لا لَغْوٌ فِيهَا وَلا تَأْثِيمٌ

“Nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe.”[5]

وَقُلْ لِعِبَادِي يَقُولُوا الَّتِي هِيَ أَحْسَنُ إِنَّ الشَّيْطَانَ يَنْزَغُ بَيْنَهُمْ إِنَّ الشَّيْطَانَ كَانَ لِلْإِنْسَانِ عَدُوّاً مُبِيناً

“Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.”[6] Mbase një vepër e vogël e keqe shkakton pasoja të këqija dhe të hidhura. Dalja me fjalë dhe vepra nga bamirësia për tek të shëmtuarat dhe të turpshmet, e shfaq njeriun para hidhërimit dhe zëmërimit të papërballueshëm të Allahut. “Vërtet Allahu e urren atë (që është si natyrë) i shëmtuar (në fjalë dhe vepra), po ashtu atë që bëhet i shëmtuar.”[7]

I shëmtuar (fahish), siç thotë Kurtubiu: “Është ai që flet me fjalë të shëmtuara lidhur me fenë, apo ai që e lëshon gjuhën me gjëra që nuk duhet, pra është poshtërsia në fjalë dhe vepra. Ndërsa i dyti është ai që i praktikon dhe i bën gjërat e lartpërmendura.”

Nuk janë rruga drejt Xhenetit dëshirat boshe dhe të pavërteta, as pretendimet e kota dhe as përkatësimi tek një fe, mirëpo rruga e vetme drejt Xhenetit është Ihlasi në Islam[8] dhe pasimi i Pejgamberit dhe fesë së tij të pastër me mirësi (Ihsan).

وَقَالُوا لَنْ يَدْخُلَ الْجَنَّةَ إِلاَّ مَنْ كَانَ هُوداً أَوْ نَصَارَى تِلْكَ أَمَانِيُّهُمْ قُلْ هَاتُوا بُرْهَانَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ بَلَى مَنْ أَسْلَمَ وَجْهَهُ لِلَّهِ وَهُوَ مُحْسِنٌ فَلَهُ أَجْرُهُ عِنْدَ رَبِّهِ وَلا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلا هُمْ يَحْزَنُونَ

“Ata thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet, përveç hebrenjve ose të krishterëve”. Këto janë dëshirat e tyre boshe! Thuaju (o Muhamed): “Nëse është e vërtetë ajo që thoni, atëherë sillni provën tuaj!” Vërtet, ata që i përulen Allahut dhe bëjnë vepra të mira, do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.”[9]

Nëse dëshiron që të dojë Allahu, atëherë bëje bamirësinë mjet për ta arritur këtë qëllim.

وَأَحْسِنُوا إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ

“Bëhuni bamirës, sepse vërtet Allahu i do bamirësit.”[10] Nëse dëshiron të qëndrosh përgjithmonë në Xhenetet e kënaqësisë, të shikosh Zotin Madhështor, atëherë bëhu bamirës.

لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ

“Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!”[11] Shpërblimi i mirë është Xheneti, ndërsa gjëja më tepër është shikimi i Fytyrës së Zotit Bujar.

Islami dëshiron që bamirësia të përfshijë çdo gjallesë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ndërsa një burrë ishte rrugës dhe e mori etja, ai gjeti një pus ku zbriti që të pinte. Më pas, ai doli dhe gjeti një qen që kishte vështirësi në frymarrje, andaj hante baltën nga etja. Burri tha: “Këtë qen e ka marrë etja siç më kishte marrë mua.” Kështu ai zbriti në pus, e mbushi këpucën e tij me ujë, i dha qenit për të pirë, kështu që Allahu ia pranoi veprën dhe e fali.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut! A kemi shpërblim tek kafshët?!” Ai tha: “Në çdo gjallesë ka shpërblim.” E shikon sesi i mëson Islami besimtarët, si i edukon, si i shtyn nga e mira, nga ndjenja e mëshirës që të jenë bamirës, e të përfshihen të gjitha gjallesat, edhe nëse ato janë në gradat më të ulëta të gradave të kafshëve.

Në anën tjetër, ne e shikojmë sesi e ndalon padrejtësinë: “Robërit e Mi! Vërtet Unë ia kam ndaluar vetes padrejtësinë, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit”, “muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bën padrejtësi dhe nuk e tradhëton”. Edhe po të jetë mosbesimtar, mirëpo është nën besën e muslimanëve, Islami e ndalon gjakun dhe pasurinë e tij: “Kush e vret një person nën besë (të muslimanëve), nuk e ndjen aromën e Xhenetit dhe me të vërtet që aroma e tij ndjehet në distancë dyzet vite.”[12]

Nga Ibën Umeri se ka thënë: “Kush e vret një zog pa të drejtë, Allahu do ta pyes për të në Ditën e Gjykimit.”[13]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një grua është dënuar për një mace që e ka mbyllur derisa ngordhi; as nga insektet e tokës nuk e pat lënë që të ushqehej.”[14]

Islami nuk e lejon padrejtësinë, duke filluar nga njerëzit dhe duke përfunduar tek shpezët dhe kafshët që nuk u jepet rëndësi. Ky është civilizimi i lartë nën të cilin gjejnë mbrojtje edhe ata të cilët e luftojnë atë. Nëse një zog vritet me pa të drejtë, vrasësi i tij konsiderohet përgjegjës në Ditën e Gjykimit. Për një mace që është mbyllur derisa ka ngordhur, personi që e ka mbyllur dënohet me zjarr. Bamirësia e njeriut shtrihet tek çdo gjallësë, tek çdo gjë që ka jetë, e ku është pra civilizimi materialist i cili ngrihet mbi kufër dhe mosbesim, mbi etjen për fitim dhe lakmi, i cili shkatërron popuj duke ia përvetësuar pasuritë dhe uzurpuar të mirat, pasiqë e ka ç’veshur më herët nga elementet bazë të jetës së tij fetare, morale dhe shoqërore. Pas kësaj, (civilizimi materialist) i injoron të gjitha krimet e shëmtuara dhe barbarizmat e bëra, e pastaj e akuzon Islamin për prapambetje, për regres, për padrejtësi dhe barbarizëm. “E gjuan gurin dhe fsheh dorën”.

 

Burimi: Revista e Fakultetit Islamik të Medines, nr. 15, fq. 116-133.

Muaji el Muharrem 1392 h.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] Asokohe mësues në Institutin e Mesëm të Universitetit Islamik në Medinen Pejgamberike, vitin 1392 h.

[2] En-Nisa: 36.

[3] En-Nahl: 90.

[4] El Bekare: 83.

[5] Et-Tur: 23.

[6] El Isra’: 53.

[7] Trasmeton Ahmedi.

[8] T’ia kushtosh adhurimin vetëm Allahut pa i bërë Atij shirk. (shp)

[9] El Bekare: 111-112.

[10] El Bekare: 195.

[11] Junus: 26.

[12] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

[13] Sahih et-tergib uet-terhib 1092 i shejh Albanit.

[14] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.