REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Familja

Porosi për gruan muslimane – Shejh Salih el Feuzan

Lavdi Allahut i Cili krijoi mashkullin dhe femrën duke i dalluar dhe bërë të ndryshëm,

وَلَيْسَ الذَّكَرُ كَالأُنْثَى

“E mashkulli nuk është si femra.”[1] Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm e të pashok , të Tij janë emrat e bukur dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, të cilit Allahu i është drejtuar duke thënë:

وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَى

“E, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.”[2]

Salavatet dhe selamet qofshin mbi të, familjen e tij, shokët e tij, mbi ata që udhëzohen me udhëzimin e tij, kapen për Sunet dhe punojnë sipas porosisë së tij.

O njerëz! Frikësohuni Allahut dhe dijeni se Allahu subhanehu ue teala ju ka ngarkuar me përgjegjësi ndaj grave, duke ju bërë kujdestar për to. Allahu i Lartësuar thotë:

الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاءِ بِمَا فَضَّلَ اللَّهُ بَعْضَهُمْ عَلَى بَعْضٍ وَبِمَا أَنفَقُوا مِنْ أَمْوَالِهِمْ

“Meshkujt janë kujdestarë për gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.”[3]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ju ka ngarkuar me përgjegjësi ndaj grave dhe ka thënë në “Hytben e Lamtumirës”: “Ju porosis që të silleni mirë me gratë!.”

Ai gjithashtu ka paralajmëruar nga sprova e tyre duke thënë: “Ruhuni nga gratë, sepse sprova e Benu Israilëve ishin gratë!.”

Po ashtu ka thënë: “Pas meje nuk kam lënë fitne më të dëmshme për burrat sesa gratë.”

Kjo, sepse gratë janë të mangëta nga mendja dhe feja, siç është përmendur në hadithin e saktë, andaj ajo ka nevojë për kujdes. Patjetër gruaja duhet të ketë kujdestar për të, në kujdesjen për fenë e saj, për moralin dhe sjelljen e saj, përpara kujdesit me shpenzim për to, për veshmbathjen e tyre etj. Ju keni përgjegjësi për gratë tuaja, vajzat, motrat dhe gratë e afërta (që janë mahrem). Ato janë kërcënuar shumë ashpër nëse nuk e ruajnë femërinë e tyre, moralin dhe nderin. Allahu i Lartësuar thotë:

وَقُلْ لِلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ وَلا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ… إِلاَّ لِبُعُولَتِهِنَّ

Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre (d.m.th. pjesët e trupit)… përveçse bashkëshortëve të tyre…”[4]

Po ashtu ka thënë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُلْ لأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاءِ الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِنْ جَلابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَنْ يُعْرَفْنَ فَلا يُؤْذَيْنَ

O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët.”[5]

Gratë janë përgjegjësi e madhe për burrat. Nëse gruaja i lihet vetvetes, atëherë ajo do të devijojë nga rruga e saktë, do të mashtrohet nga gjërat mashtruese, nga thirrësit e devijimit, nga shembulltyrat e këqija, nga thirrësit e perëndimit, duke e devijuar nga rruga në të cilën e ka lënë Allahu, andaj, frikësohuni Allahut në lidhje me gratë tuaja dhe kujdesuni për to!

Vëllezër! Është për të ardhur keq dhe për t’u pikëlluar nga humbja e shumë grave në këto ditë, të cilat bëjnë ç’të duan, të cilat kanë morale të qortueshme, cilësi të këqija, nuk turpërohen dhe nuk i frikësohen Allahut subhanehu ue teala. Ato nuk kanë burra që kujdesen për to, madje janë të braktisura dhe të humbura, përveç atyre që i ka mëshiruar Allahu.

O grua! Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka lajmëruar se shumica e banorëve të Zjarrit janë gratë, pse? Sepse ato e mohojnë të mirën, e mohojnë burrin, kështu që janë shumica e banorëve të Zjarrit.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dy kategori që janë banorë të Zjarrit nuk i kam parë akoma: burrat që kanë kamzhikë sikur bishti i lopëve, me të cilat godasin burrat, godasin njerëzit”, e këta janë prijësit e padrejtë, policët e padrejtë që godasin njerëzit me të padrejtë; kjo është kategoria e parë. Kategoria e dytë: “Gra të veshura mirëpo (realisht) janë të ç’veshura, të distancuara (nga rruga e drejtë), që joshin (të tjerët për në rrugë të gabuar), i kanë kokat sikur gungat e devesë; këto nuk hyjnë në Xhenet dhe nuk e ndjejnë aromën e tij, edhe pse aroma e tij ndjehet nga kjo dhe kjo distancë.” Në disa transmetime thuhet: “Nga distanca e pesëqind viteve; ato nuk hyjnë në Xhenet dhe nuk e ndjejnë aromën e tij.” Ky është një kërcënim i ashpër ndaj grave dhe ndaj kujdestarëve të tyre, të cilët Allahu i ka ngarkuar me përgjegjësinë e tyre.

“Gra të veshura mirëpo (realisht) janë të ç’veshura.” Kjo do të thotë se e mbulojnë një pjesë të trupit, mirëpo i zbulojnë pjesët e tjera dhe pjesët provokuese. Kjo është ajo që ndodh sot mes jush në sallat e dasmave, në pushime dhe në tubimet e grave; shkojnë të veshura mirëpo (realisht) janë të ç’veshura, me disa copa rrobe të hedhura mbi trup, ndërsa pjesa tjetër është e ç’veshur. Ato i shfaqin shpinat e tyre, qafat, kollapet, parakrahët dhe kërciret. E gjithë kjo nën shikim e grave të tjera.

Për këtë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gra të veshura mirëpo (realisht) janë të ç’veshura.” Kanë disa rroba mbi disa pjesë të trupit, ndërsa pjesët provokuese janë të ç’veshura, Allahu na mbroftë!

Kjo ndodh nëpër dasma, madje ëshë shtuar dhe është bërë i larmishëm nëpër dasma; s’ka mbikqyrje dhe as llogarikërkim.

“Gra të veshura mirëpo (realisht) janë të ç’veshura, të distancuara” nga rruga e vërtetë dhe është thënë [nga dijetarët] se përdridhen gjatë ecjes për provokim. “Që joshin” të tjerët, kjo do të thotë se i joshin të tjerat që i shikojnë dhe bëhen shembull i keq për to, duke u ngarkuar me gjynahet e tyre dhe të tjerave.

“Të distancuara (nga rruga e drejtë), që joshin (të tjerët për në rrugë të gabuar),” nëse këto bëhen bashkë në një dasëm, atëherë do t’i marrin si shembulltyre gratë dhe vajzat e tjera që i shikojnë, duke i distancuar edhe të tjerat prej të vërtetës, prej mbulesës dhe turpit.

“I kanë kokat sikur gungat e devesë” ngaqë i zmadhojnë kokat duke i bërë grumbull, saqë duket sikur të ketë dy koka; një kokë të lindur dhe një fallco për shkak të gjërave të shëmtuara që i bën grumbull. Kudo që ta shikosh atë grua, do ta shikosh se e ka kokën e madhe dhe të zmadhuar. Drejtë ka patur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ka thënë: “I kanë kokat sikur gungat e devesë; këto nuk hyjnë në Xhenet”, kërcënim i ashpër, Allahu na dhëntë mirëqenie.

Gratë dhe kujdestarët e tyre duhet të pendohen tek Allahu subhanehu ue teala para se të ndërrojnë jetë dhe para se të ikë mundësia.

Mos u shkujdesni për çështjet e grave! Ajo që ka për kujdestar burrin e saj, që ka për kujdestar babanë e saj, që ka për kujdestar të birin, që ka për kujdestar vëllanë, që ka për kujdestarë burrat e afërt; këta duhet ta ndreqin gruan. Nëse e lejnë gruan epsheve të saja, ajo humbet. Gruaja është e mangët në mendje dhe në fe; nuk ka mend dhe nuk ka fe (është e mangët), andaj ka nevojë për dikë që kujdeset për të, sikur mendjelehti që nëse lihet vetëm, atëherë e shkatërron veten, e humb pasurinë dhe fenë e tij.

Robër të Allahut! Frikësohuni Allahut lidhur me gratë tuaja, vajzat, bashkëshortet dhe gratë e muslimanëve. Dijeni se Allahu subhanehu ue teala ka përmendur se ka burra besimtarë, hipokritë (munafikë) dhe idhujtarë (mushrikë), po ashtu ka përmendur se ka gra besimtare, idhujtare dhe hipokrite. Allahu i Lartësuar ka thënë:

الْمُنَافِقُونَ وَالْمُنَافِقَاتُ بَعْضُهُمْ مِنْ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمُنْكَرِ وَيَنْهَوْنَ عَنْ الْمَعْرُوفِ وَيَقْبِضُونَ أَيْدِيَهُمْ نَسُوا اللَّهَ فَنَسِيَهُمْ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ هُمْ الْفَاسِقُونَ* وَعَدَ اللَّهُ الْمُنَافِقِينَ وَالْمُنَافِقَاتِ وَالْكُفَّارَ نَارَ جَهَنَّمَ خَالِدِينَ فِيهَا هِيَ حَسْبُهُمْ وَلَعَنَهُمْ اللَّهُ وَلَهُمْ عَذَابٌ مُقِيمٌ

“Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri – tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar. Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë, hipokritët janë keqbërës. Allahu u ka premtuar hipokritëve, hipokriteve dhe mosbesimtarëve zjarrin e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë; ai do t’iu mjaftojë atyre! Allahu i ka mallkuar dhe ata do të kenë dënim të vazhdueshëm.”[6] Derisa thotë Allahu subhanehu ue teala:

وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنْ الْمُنكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ أُوْلَئِكَ سَيَرْحَمُهُمْ اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ* وَعَدَ اللَّهُ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا وَمَسَاكِنَ طَيِّبَةً فِي جَنَّاتِ عَدْنٍ وَرِضْوَانٌ مِنْ اللَّهِ أَكْبَرُ ذَلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.”[7]

Frikësohuni Allahut o robër të Tij! Shikoni ju dhe ato se tek cili nga këto dy grupe bëni pjesë. Frikësohuni Allahut për vetet tuaja!

Kurani ju lexohet ditë-natë. Sunetin e dëgjoni ditë-natë, për ju dhe gratë tuaja, andaj ku është puna sipas Kuranit dhe Sunetit?! A mos është secili prej jush i lënë që të bëjë çfarë të dojë?! A mos jeni të gjithë të lënë sikur kafshët, madje më të humbur?! Andaj, frikësohuni Allahut o robër të Tij!

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَاراً وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلائِكَةٌ غِلاظٌ شِدَادٌ لا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin melekë të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.”[8]

Kini kujdes gratë tuaja! Tregohuni të vëmendshëm ndaj grave tuaja, sidomos nëpër dasma dhe tubime!

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i pengoni robëreshat e Allahut që të shkojnë në xhami, mirëpo shtëpitë e tyre janë më mirë për to, e mos të dalin parfumosura.” D.m.th. të pa zbukuruara, të pa parfumosura dhe jo të ç’veshura.

Nëna e besimtarëve, Aishja radijAllahu anhe ka thënë: “Po ti shikonte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se çfarë po bëjnë gratë, atëherë do t’i ndalonte që të shkonin në xhami sikur i ndaluan Benu Israilët gratë e tyre.”

Frikësohuni Allahut o robër të Tij! Armiqtë e dinë, po ashtu edhe gratë e prishura dhe hipokrite e dinë se ky vend i përmbahet mbulesës së përgjithëshme dhe, mbulesa e përgjithshme (abaja) është mbulesë mbi rrobat, sikur xhilbabi (që mbulon kokën dhe trupin).

يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِنْ جَلابِيبِهِنَّ

“Të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit.”[9]

Xhilbabi është mbulesa e madhe që e mbulon gruan nga koka tek këmbët, që e hedh mbi rrobat e saja; pra mbulesë mbi mbulesë. Mbulesa e përgjithëshme (abaja) është e ngjashme me të. Ata e dinë se gruaja në këto vende nuk e lë mbulesën e përgjithëshme (abajen), andaj e ndryshuan atë dhe e bënë rrobë provokuese me stoli, zbukurime, e ngushtuan, e holluan saqë po të ishte pa të, do të ishte më mirë.

Frikësohuni Allahut o robër të Tij! Ju i shikoni gratë dhe vajzat tuaja. Ju i dëgjoni se çfarë bëhet nëpër dasma prej grave; askush nuk kundërshton, askush nuk xhelozon dhe askush nuk i pengon gratë e tij nga shkuarja në ato vende të këqija.

Frikësohuni Allahut për gratë tuaja! Jini të vëmendshëm ndaj tyre dhe mos i lini pa kujdes! Dalin gratë natën deri vonë dhe e kalojnë në të qeshura, lodrime dhe gjëra që i di vetëm Allahu, ndërsa kujdestari i saj nuk di gjë. Mbase ajo shkon dhe vjen me ndonjë taksist të huaj, ndërsa burri apo kujdestari i saj është në krevat dhe s’di gjë ku ka ikur, apo nuk e di se kur vjen. Po të kishte dele apo bagëti, a do t’i linte të dilnin? Të shëtisin natën pa ditur ku shkojnë? Jo, pasha Allahun! Si mund t’i lë vajzat, motrat, gruan dhe gratë e afërta që të dalin natën e errët?! Duke mos ditur se ku shkojnë, apo me kë shkojnë apo me kë shoqërohen?!

Frikësohuni Allahut o robër të Tij! Përpara se t’ju vijë ndonjë gjë prej hidhërimit të Allahut e s’mund ta përballoni. Dënimet tani janë djathas-majtas, i kanë mbushur vendet; vrasje, shpërngulje popullsie, shkatërrim, pëmbytje, shembje, rrëzime dhe shfytyrime.

Frikësohuni Allahut, përpara se t’ju përfshijë ndonjë dënim i Tij, e më pas ta lutni Atë dhe mos t’ju përgjigjet.

Allahu më begatoftë mua dhe ju me Kuranin madhështor, më begatoftë mua dhe ju me ajetet dhe përkujtimet e urta që ka ai, i them këto fjalë, i kërkoj falje Allahut dhe pendohem tek Ai, andaj edhe ju kërkoni falje Allahut, vërtet Ai është Falës dhe i Gjithëmëshirshëm.

 

Burimi: faqja zyrtare e shejhut.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] Aal Imran: 36.

[2] Ed-Duha: 5.

[3] En-Nisa’: 34.

[4] En-Nur: 31.

[5] El Ahzab: 59.

[6] Et-Teubeh: 67-68.

[7] Et-Teubeh: 71-72.

[8] Et-Tahrim: 6.

[9] El Ahzab: 59.