REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Grupacionet

Argumentet nga Ungjilli se Isai alejhis-selam është rob adhurues dhe nuk ka hise në adhurim (pjesa 1)- Shejh Muhamed Takijuddin el Hilali

Argumentet nga Ungjilli se Isai[1] alejhis-selam është rob adhurues dhe nuk ka hise në adhurim

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Lavdi Allahut Fuqiplotë dhe Madhështor, i veçuari me cilësitë e plota, i Cili nuk është i lindur dhe nuk ka lindur kënd, i Cili nuk ka të barabartë dhe as të ngjashëm, Ai është i Madhi dhe i Larti. Ai dërgoi pejgamberët e Tij që t’i tregojnë njerëzve se është i vetmi (që meriton) adhurimin, po ashtu t’i paralajmërojnë nga shirku i cili do t’i dërgonte në shkatërrim. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit, veçanërisht mbi Muhamedin, Vulën e Pejgamberisë, e mbi të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Më pas: më ka shkruar nxënësi im, z. Mundhir Ismail ed-Derubi el Bagdadi, i cili ka studiuar arkitetkturë në një prej fakulteteve në Shtetet e Bashkuara prej katër vitesh afërsisht. Ai më tregoi se të krishterët i janë mbledhur dhe kanë nisur ta debatonin në fe e të bëhen edhe arrogantë madje. Ai nuk ka ditur se çfarë t’i përgjigjej, andaj i shkrova këtë pjesë që e titullova “Argumentet nga Ungjilli se Isai alejhis-selam është rob adhurues dhe nuk ka hise në adhurim”. I dhashë atij edhe numrat e verseteve nga katër Ungjillet, që t’i nxirrte në gjuhën angleze dhe të mbrohej prej tyre, e kjo pasi të kuptonte atë çfarë i kisha shpjeguar në gjuhën arabe. Ai nuk iu nda letrës, derisa e kuptoi mirë, më pas i thirri për debat. Kur debatoi me ta, i kishte heshtur dhe i kishte mundur keqazi, siç më ka treguar.

Këtij shkrimi do ta pasoj me një histori tjetër të ngjashme që ka ndodhur në Bagdad, ku përfundimi i saj ka qenë sikur i historisë së lartpërmendur. Muslimanit nuk i mungojnë argumentet për vërtetësinë e fesë së tij dhe kotësinë e fesë së armiqve që ka, mirëpo atij i mungojnë vëllezërit besnikë, të cilët e ndihmojnë Allahun dhe Pejgamberin e Tij. Drejtë ka patur ai që ka thënë se: “Islami në këtë kohë është fe pa burra, ndërsa krishtërimi ka burra pa fe” ku me përpjekjet, pasuritë, guximin dhe durimin e tyre, të vërtetën e bëjnë të kotë, ndërsa të kotën e bëjnë të vërtetë. Shumica e njerëzve në këtë kohë janë robër të floririt, argjendit, rrobave të shtrenjta dhe pallateve të larta.

Kjo është koha e fillimit të asaj që kemi për qëllim, me lejen e Sunduesit të adhuruar me të drejtë, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, tek Ai mbeshtetem dhe tek Ai kthehem i penduar.

 

Deklarata e drejtpërdrejtë e Ungjillit se Isai alejhis-selam është rob adhurues

Lexo në fillim të kapitullit të katërt në Ungjillin e Mateut, në numrat gjashtë dhe shtatë. Aty gjen të deklaruar në formë të drejtpërdrejtë se Isai është rob, ndrësa Allahu është Zot. Në versetin e shtatë shkruhet: “Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd”. Në po këtë kapitull, Shejtani e ka çuar Mesihun dhe e mori ta shëtiste sa një vend në tjetrin. Si mundet që Shejtani ta çojë të Gjithëmëshirshmin?! I lartësuar është Allahu nga kjo gjë.

Më pas, Shejtani e urdhëroi që t’i bënte sexhde, ta adhuronte dhe e ushqeu nga pasuria e dynjasë. Si mund të guxojë Shejtani ndaj Allahut me tillë guxim?! Kur e donte këtë gjë Shejtani, Mesihu iu përgjigj: “Sepse është shkruar (në librat e mëparshëm): “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij”.

Shiko versetin e dhjetë! Mesihu nuk e ka quajtur veten e tij se është bir i Allahut – me aq sa di – mirëpo ai e quante veten si “bir i njeriut”, vetëm se e ka dëgjuar ta quanin ashtu dhe nuk e ka kundërshtuar – sipas pretendimit të Ungjillit – dhe kjo nuk përbën ndonjë veçori për Mesihun.

 

Domethënia e shprehjes “bir i Allahut” e cila përdoret në Ungjill

Sipas gjuhës së Torës[2] dhe Ungjilli: çdo i devotshëm dhe bamirës quhet bir i Allahut. Në versetin e nëntë të kapitullit të pestë sipas Mateut: “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”.

Në po të njëjtin kapitull në versetin e dyzet e pestë: “Për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej”. Tek verseti i dyzet e tetë: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”. Ndërsa në kapitullin e gjashtë, verseti i parë: “Përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej”.

 

Shembuj të ndryshimit që të krishterët i kanë bërë librit të tyre

Në kapitullin e shtatë, verseti numër njëzet e një, fjala “lord” është përkthyer si “Zot” për t’i lënë njerëzve të kuptojnë se Mesihu është Allahu, mirëpo kush mediton rreth pjesës tjetër të versetit, do të shikojë se ai dëshmon që Mesihu është rob adhurues, andaj përkthimi i saktë është kështu: “Jo çdo njeri që më thotë: “Zoti im, Zoti im” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”, përfundoi përkthimi i versetit. E thamë se emërtimi i Allahut me fjalën “At” është përmendur në vende të shumta në Ungjill, dhe nuk është specifike për Mesihun.

 

Deklarata e qartë në Ungjill se Isai alejhis-selam është rob adhurues

Në Ungjillin e Mateut, kapitulli 11, verseti 25 thuhet: Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.”

Në kapitullin 14, verseti 23 thuhet: “Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur.” Them: Nëse Isai është Allahu apo pjesë e Tij, atëherë si lutet?! Sepse lutjen e bën robi që ka nevojë për mëshirën e Allahut, siç thotë Allahu në suren Fatir, ajeti 15:

يا أَيُّهَا النَّاسُ أَنتُمُ الْفُقَرَاءُ إِلَى اللَّهِ ۖ وَاللَّهُ هُوَ الْغَنِيُّ الْحَمِيدُ

O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Shumëlavdëruar.”

Ndërsa në suren Merjem ka thënë:

إِن كُلُّ مَن فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ إِلَّا آتِي الرَّحْمَٰنِ عَبْدًا

“S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.” [Merjem: 93].

Në kapitullin 15, versetet 21-28 është historia e gruas kananease, histori e cila përmban disa çështje:

E para: mohohet që Isai të ishte i mëshirshëm dhe i dashur! Gjithnjë nëse tregimi është i vërtetë.

E dyta: fanatizëm i qortuar, pasi ai shëronte bijtë e popullit të tij dhe nuk i shëronte të tjerët, megjithëse nuk i kushtonte gjë!

E treta: mendjemadhësi nacionaliste, krekosje me prejardhjen, nënvlerësimi i të tjerëve dhe konsiderimi i tyre si qenj.

E katërta: gruaja ishte idhujtare e paditur, megjithatë e debatoi dhe e mundi në debat.

Në kapitullin 19, versetet 16-17, përmendet se një djalosh shkoi tek Isai dhe i tha: Mësues i mirë!” dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia!”. Në këtë pjesë, Isai pohon se është rob adhurues.

Në kapitullin 21, versetet 45-46, kur donin ta kapnin Isain, patën frikë nga turma, sepse ata e konsideronin profet. Edhe në këtë rast kemi argument se turma që e besonin Isain në kohën e tij, nuk besonin se ai ishte i adhuruar, apo bir i Allahut, apo pjesë e trinitetit, mirëpo besonin se ishte vetëm profet. Ky është prej argumenteve më të fuqishëm kundër atyre që thonë se Isai është i adhuruar; sikur ta kuptonin.

Në kapitullin 23, verseti 8, thuhet: “Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është Mësuesi juaj: Krishti.” Këtu kemi argument se Isai është rob, ndërsa Zoti është Një dhe Ai është Allahu. Këtë verset e kanë përkthyer dhe devijuar në gjuhën arabe[3] me qëllim, duke lenë për të kuptuar se Isai është mësuesi (Zoti), ndërsa përkthimi në gjuhën angleze nuk e ka këtë devijim.

Po ashtu, në versetin 9, thuhet: “Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.” Nga kjo kupton se termat “at” dhe “bir” kanë domethënien e lidhjes mes Zotit dhe robit, e kjo gjë pohohet në Ungjill për të gjithë njerëzit dhe nuk është e veçantë për Isain.

Në kapitullin 24, verseti 36, thuhet: “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im.” Ky është argument i prerë se atë orë e di vetëm Allahu, po ashtu është argument se dituria e Isait është e mangët sikur e njerëzve të tjerë. Vetëm Allahu e ka përfshirë çdo gjë me dituri.

Në kapitullin 26, verseti 39, thuhet se Isai ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.” Nëse kjo vërtetohet, atëherë ai që i ka thënë këto fjalë, ka qenë injorant rreth fuqisë së Allahut, mirëpo ka qenë pohues se është rob i Allahut dhe se Ai bën ç’të dojë me të.

Në kapitullin 27, versetet 7-8, thuhet: “Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve. Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: “Ara e gjakut”. Nga kjo kuptojmë se Ungjilli nuk është shkruar në kohën e Isait, mirëpo është shkruar shumë kohë pas tij me tregime që i mbanin mend njerëzit.

Në versetin 46 thuhet: “Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Ky është prej argumenteve më të mëdha se ai që i ka thënë këto fjalë nuk është prej besimtarëve të Allahut, jo më të jetë prej pejgamberëve të Tij, sepse Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, ndërsa pejgamberët e Allahut nuk ankohen për premtimet e Tij.

 

Përgëzimi në Ungjill me pejgamberinë e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

Në Ungjillin e Gjonit, kapitulli 14, versetet 15-16 thuhet: Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju.” Dijetarët muslimanë kanë thënë: “Ngushëlluesi tjetër është Muhamedi, i Dërguari i Allahut, ndërsa qëndrimi i tij përgjithmonë do të thotë se do të mbesë feja (dispozitat dhe normat e saja) bashkë me Kuranin që i është zbritur.”

Në kapitullin 15, versetet 26-27 thuhet: “Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua. Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi.”

Në kapitullin 16, versetet 5-8 thuhet: “Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s’po më pyet: “Ku po shkon?”. Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj. Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj. Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.”

Ndërsa në versetet 12-14 thuhet: “Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë.”

Pastaj tek verseti 16 thuhet: “Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati.”

Dijetarët muslimanë kanë thënë: “Këto cilësi të përmendura nga Isai (Jezusi) lidhur me atë që do të vijë pas tij, janë mbledhur vetëm tek Muhamedi, i Dërguari i Allahut. Personi në fjalë, me të cilin përgëzonte Isai në Ungjill, quhej “Jarklita”. Këtë fjalë e hoqën përkthyesit e mëvonshëm dhe herë e zëvendësuan me fjalën “Fryma e së vërtetës”, herë me fjalën “Ngushëlluesi” dhe herë me fjalën “Shpirti i shenjtë”. Të gjitha këto aludojnë fjalën greke “Jarklita”, e cila do të thotë “shumë i lëvduar”, e kjo përputhet me domethënien e emrit Muhamed.

 

Vazhdimi i argumenteve të Ungjillit se Isai alejhis-selam ka qenë rob adhurues

Në kapitullin 17, verseti 3 thuhet: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”

Në Ungjillin sipas Markut, kapitulli 12, versetet 28-30 thuhet: “Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ”Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?”. Dhe Jezusi u përgjigj: ”Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot”, dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim.”

Në versetin 32 thuhet: “Atëherë skribi i tha: ”Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç Tij.” Ndërsa në versetin 34 thuhet: “Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.”

Them se: Isai alejhis-selam ka dëshmuar se Allahu është një i Adhuruar dhe ska të adhuruar me të drejtë përveç Tij, po ashtu kush e veçon Atë me adhurim, atëherë ai është pranë mbretërisë së Allahut. Pra, kjo do të thotë se kush i bën shirk (ortak apo të barabartë), apo e bën pjesë të trinitetit, atëherë ky njeri është larg mbretërisë së Allahut dhe armik i Tij.

Në kapitullin 13, verseti 32 thuhet: Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.”

Them: kjo është përmendur edhe ne Ungjillin e Mateut dhe është pikërisht ajo çfarë thuhet në Kuran, se kohën e Kiametit e di vetëm Allahu. Kështu u pohua se Isai është rob adhurues dhe është e pamundur që të jetë i adhuruar, e po ashtu bie poshtë përralla e trinitetit.

Në kapitullin 20, verseti 16-18 të Ungjillit të Gjonit, thuhet: “Jezusi i tha: “Mari!”. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: “Rabboni!”, që do të thotë: Mësues. Jezusi i tha: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj. Atëherë Maria Magdalena shkoi t’jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.”

Them: Isai (Jezusi) ka dëshmuar se Allahu është i adhuruari i tij dhe i tyre, po ashtu se nuk ka dallim mes tij dhe atyre në faktin se e adhurojnë Allahun. Kush pretendon se Isai është i adhuruar, vetëm se e ka përgënjeshtruar Isain dhe po ashtu të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit.

 

…vijon në numrin e ardhshëm inshaAllah…

Burimi: El Berahinul Inxhilijeh ala enne Isa alejhis-selam dakhilun fil ubudijeh ue la hadh-dha fil uluhijeh fq. 3-8.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] Jezusi. (shp)

[2] Teuratit. (shp)

[3] Kështu e kanë bërë edhe në gjuhën shqipe, andaj verseti duhet të jetë: “Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është Mësuesi juaj.” (shp).