REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Historia e Ademit, babait të njerëzimit – Shejh AbdurRahman ibën Nasir es-Sa’dij

Hyrje e autorit

Dobitë e historive

Allahu na ka treguar në Librin e Tij histori të bukura me lajme rreth pejgamberëve të Tij, duke i cilësuar ato si historitë më të bukura.

Ky përshkrim i Allahut Madhështor, tregon se ato janë më të vërtetat, më të plotat dhe më të dobishmet për njerëzit.

  • Prej dobive më të rëndësishme të këtyre historive është se: me to plotësohet besimi në pejgamberët sal-lAllahu alejhim ue sel-lem. Edhe pse ne i besojmë të gjithë pejgamberët në përgjithësi, besimi i detajuar arrihet me historitë e tyre, me përshkrimin që i ka bërë Allahu se janë plotësisht të sinqertë, se kanë cilësi të plota dhe janë më të lartat; ka përmendur vlerat e tyre, mirësitë dhe bamirësitë ndaj gjithë njerëzve, madje bamirësia e tyre ka mbërritur tek të gjitha gjallesat; me kujdesin dhe kryerjen e detyrimeve ndaj tyre.

Me këtë besim të detajuar të pejgamberëve, njeriu arrin besimin e plotë dhe është prej mjeteve të shtimit të tij.

  • Prej dobive është se: historitë e pejgamberëve përmbajnë pohim të besimit në Allahun, në Teuhidin e Tij, në përkushtimin e veprave për Të, në besimin e Ditës së Gjykimit, në sqarimin e bukurisë së Teuhidit dhe obligueshmërisë së tij, në sqarimin e shëmtisë së shirkut dhe se ai është shkaku i shkatërrimit në Dynja dhe Ahiret.
  • Në historitë e pejgamberëve gjithashtu: ka mësim për besimtarët të cilët i pasojnë në të gjitha gradat e fesë:

 

  • Në gradën e Teuhidit dhe kryerjes së adhurimeve.
  • Në gradën e thirrjes dhe qendrueshmërisë në gjitha fatkeqësitë shqetësuese, duke i trajtuar ato me qetësi dhe patundje të plotë.
  • Po ashtu në gradën e sinqeriteti dhe përkushtimit ndaj Allahut në të gjitha lëvizjet dhe pushimet, me shpresë për arritur shpërblimin nga Allahu i Lartësuar. Ata nuk kërkojnë shpërblim apo lëvdata nga krijesat, përveç gjërave që janë të dobishme për njerëzit.

 

  • Në këto histori mësohet: pajtimi i pejgamberëve në të njëjtën fe, në të njëjtat parime, në thirrjen për tek çdo moral të bukur, në thirrjen për të punuar me vepra të mira, për të ndrequr dhe në qortimin që kanë bërë nga çdo gjë që i kundërshton këto gjëra.
  • Po ashtu: ato përmbajnë dobi në dispozitat e fikhut, në normat e fetare dhe sekretet që kanë obligimet, të cilat janë madhështore dhe nxënësi i dijes nuk mund të bëjë pa to.
  • Në to ka: këshillë dhe përkujtim, nxitje dhe frikësim, ndihmë pas vështirësisë, lehtësim i punëve pasi ishin të ngushtuara, përfundime të bukura që shikohen në këtë botë, po ashtu lëvdata dhe dashuri në zemrat e njerëzve, të cilat janë “ushqim” për njerëzit e devotshëm, janë gëzim për adhuruesit, qetësim për të mërziturit dhe këshillë për besimtarët.

Nuk është qëllimi i këtyre historive të jenë vetëm si kallëzime, mirëpo qellimi kryesor është që të jenë përkujtime dhe mësime.

Përpara se të nisim tregimin e tyre, dije se Allahu i ka përsëritur shumë herë në Librin e Tij shumë prej historive të pejgamberëve me forma që i përshtaten rastave përkatëse. Ndoshta në një vend përmenden dobi dhe shtesa që nuk përmenden në tjetrin, apo përdoren shprehje të tjera nga historia tjetër, mirëpo domethëniet janë të njëjta apo të përafërta. Meqë ky komentim është i shkurtë, do t’i përmend këto histori dhe do t’i mbledh në një vend të vetëm. Po ashtu do përpiqem të sjell domethëniet e shprehjeve të Kuranit nga konteksti i tyre, nga fillimi në fund.

Pastaj, për çdo histori, do të përmend dobitë parimore, degëzore, morale, etike dhe tematikat e ndryshme, duke shpresuar nga Allahu që të më japë sukses në këtë gjë, që të jem korrekt në të shprehur, i sinqertë në vetvete, në përputhje me kënaqësinë e Allahut dhe ta bëjë përgjithësisht të dobishme, vërtet Ai është Bujar.

 

Historia e Babait të njerëzimit, Ademit alejhis-selam

Allahu është i Pari dhe s’ka asgjë përpara Tij, po ashtu Ai bën çfarë dëshiron. Nuk ka kohë prej kohëve pa vepra apo fjalë që dalin prej vullnetit dhe dëshirës së Allahut, në varësi të urtësisë së Tij, i Cili është i Urti në çdo gjë që e ka caktuar dhe vendosur, siç është edhe i Urti në çdo gjë që ia ka ligjëruar robërve të Tij.

Kur Allahu me urtësinë e Tij të plotë, me diturinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe me mëshirën e Tij të gjerë e krijoi Ademin, babain e njerëzimit – të cilët Allahu i vlerësoi mbi shumë krijesa që i ka krijuar –, i lajmëroi melekët dhe i tha:

وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلَائِكَةِ إِنِّي جَاعِلٌ فِي الْأَرْضِ خَلِيفَةً

“Vërtet unë do të krijoj një mëkëmbës në Tokë.”[1] I cili do të vijë pas krijesave që kanë qenë përpara tij dhe që vetëm Allahu ka njohuri rreth tyre.

قَالُوا أَتَجْعَلُ فِيهَا مَن يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ الدِّمَاءَ

“A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të?!”[2] Kjo fjalë e melekëve është madhërim për Zotin e tyre, ku ndoshta do të krijojë krijesa të ngjashme me sjelljet e krijesave të para, apo se Allahu i Lartësuar i ka lajmëruar për krijimin e Ademit dhe për atë çfarë do të bëjnë pasardhësit e tij kriminelë.

Allahu i tha melekëve:

إِنِّي أَعْلَمُ مَا لَا تَعْلَمُونَ

“Unë di atë që ju nuk e dini.”[3] Pasi dituria e Tij përfshin çdo gjë, edhe dobitë e panumërta që rrjedhin nga kjo krijesë, kështu që Allahu i Lartësuar i bëri Vetë me dije melekët për diturinë e Tij të plotë, dhe se Allahut duhet t’i pohohet dituria e gjerë dhe urtësia, ku pjesë e urtësisë është se nuk krijon diçka pa qëllim, as pa urtësi.

Më pas, Allahu i sqaron melekët në formë më të detajuar: Allahu e krijoi Ademin me Dorën e Tij, si nderim për të ndaj gjitha krijesave të tjera. Ai mori një grusht prej gjithë tokës; prej asaj të lehtë, të ashpër, të mirë dhe të keqe, që pasardhësit e tij të jenë sipas këtyre natyrave. Fillimisht ai ishte dhè, më pas i hodhi ujë dhe u bë baltë. Pas një kohe ku uji qëndroi mbi baltë, ajo ndryshoi dhe u bë e zezë. Më pas, Allahu e thau pasi që i kishte dhënë formë dhe u bë si dhèu i njomë që bën zhurmë. Gjatë këtyre etapave ai ka qenë trup pa shpirt. Kur krijimi i trupit të tij u krye dhe u plotësua, Allahu i fryu shpirtin dhe ai trup që ishte i ngurtë u kthye i gjallë me kocka, mish, nerv, enë gjaku dhe shpirt. Kjo është esenca e njeriut të cilin Allahu e ka përgatitur për çdo dije dhe mirësi.

Pas kësaj, Allahu e plotësoi mirësinë e Tij ndaj Ademit duke ia mësuar emrat e të gjitha gjërave dhe, dituria e plotë tregon plotësimin dhe moralin e plotë.

Allahu dëshiroi që melekët ta shikonin plotësinë e kësaj krijese, andaj i paraqiti gjërat dhe i tha:

أَنبِئُونِي بِأَسْمَاءِ هَٰؤُلَاءِ إِن كُنتُمْ صَادِقِينَ

“Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”[4] Nëse është e vërtetë fjala juaj e parë, e cila nënkupton se është më parësore që mos të krijohet (kjo krijesë); kjo sipas asaj që iu duk atyre në atë rast.

Melekët e patën të pamundur të njihnin emrat e gjërave dhe thanë:

قَالُوا سُبْحَانَكَ لَا عِلْمَ لَنَا إِلَّا مَا عَلَّمْتَنَا إِنَّكَ أَنتَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ

“Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”[5] Allahu tha:

قَالَ يَا آدَمُ أَنبِئْهُم بِأَسْمَائِهِمْ

“O Adem, – tha Ai – tregoji atyre emrat e gjërave!”[6]

Melekët e panë plotësinë e kësaj krijese[7] dhe diturinë e tij që nuk e kishin menduar, kështu që u bënë me dije në mënyrë të detajuar dhe e panë vetë urtësinë e plotë të Allahut, kështu që e nderuan Ademin në maksimum, andaj Allahu dëshiroi që këtë vlerësim dhe nderim të melekëve ndaj Ademit, ta shfaqnin hapur dhe në brendësi.

Allahu i tha melekëve:

اسْجُدُوا لِآدَمَ

“Përuluni në sexhde para Ademit.”[8] E kjo si respekt, nderim dhe vlerësim për Ademin, e po ashtu si adhurim ndaj Zotit tuaj, si bindje, dashuri dhe përulje ndaj Tij.

Të gjithë e bënë këtë gjë me të shpejtë dhe ranë në sexhde, e në mesin e tyre ishte edhe Iblisi. Edhe atij iu drejtua urdhëri për të rënë në sexhde. Ai nuk ishte prej melekëve, ai ishte prej xhindëve të krijuar nga zjarri flakërues. Iblisi fshihte mosbesimin ndaj Allahut dhe cmirën ndaj këtij njeriu që Allahu e kishte vlerësuar me këtë vlerësim.

Mendjemadhësia dhe mosbesimi e shtynë që mos të binte në sexhde për Ademin; e kjo si mosbesim ndaj Allahut dhe mendjemadhësi ndaj Tij.

Iblisi nuk u mjaftua me mosbindje, mirëpo shfaqi edhe kundërshtim ndaj Zotit dhe akuzë ndaj urtësisë së Tij. Ai tha:

أَنَا خَيْرٌ مِّنْهُ خَلَقْتَنِي مِن نَّارٍ وَخَلَقْتَهُ مِن طِينٍ

“Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.”[9]

Allahu i tha atij:

قَالَ يَا إِبْلِيسُ مَا مَنَعَكَ أَن تَسْجُدَ لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ أَسْتَكْبَرْتَ أَمْ كُنتَ مِنَ الْعَالِي

“O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?”[10]

Mosbesimi, mendjemadhësia, kundërshtimi dhe shmangia me fuqi ishin shkaqet që të dëbohej dhe mallkohej Shejtani.

Allahu i tha atij:

قَالَ فَاهْبِطْ مِنْهَا فَمَا يَكُونُ لَكَ أَن تَتَكَبَّرَ فِيهَا فَاخْرُجْ إِنَّكَ مِنَ الصَّاغِرِينَ

“Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Largohu, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve.”[11]

Shejtani i poshtër nuk iu nënshtrua Zotit të tij dhe nuk u pendua tek Ai, mirëpo i doli kundër me armiqësi. Ai planifikoi një plan të plotë për armiqësimin e Ademit dhe pasardhësve të tij, po ashtu, kur e mori vesh se do të ishte përgjithmonë prej të trishtuarve, ai vendosi që pasardhësit e Ademit t’i thërriste me fjalët e tij, me veprat dhe ushtrinë e tij që të bëhen pjesë e partisë së tij, për të cilët është caktuar [si shpërblim] Xhehenemi. Ai ka thënë:

قَالَ رَبِّ فَأَنظِرْنِي إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُونَ

“Ai tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!”[12] Që të angazhohet vetëm me armiqësimin e Ademit dhe pasardhësve të tij.

Duke qenë se prej urtësisë së Allahut ishte që njeriu të formohej me natyra të ndryshme, me morale të mira apo të këqija, atëherë patjetër që këto morale do të dalloheshin dhe pastroheshin përmes caktimit të shkaqeve të tyre, siç janë sprovat dhe testimet, ku më i madhi i tyre është lejimi i këtij armiku[13] që t’i bëjë thirrje njerëzve për tek çdo e keqe. Allahu iu përgjigj atij dhe i tha:

قَالَ فَإِنَّكَ مِنَ الْمُنظَرِينَ (80) إِلَىٰ يَوْمِ الْوَقْتِ الْمَعْلُومِ

“Në të vërtetë, ty do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë).”[14]

Ai iu përgjigj Zotit të tij duke e shpallur mosbindjen dhe armiqësinë e tij ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij duke thënë:

قَالَ فَبِمَا أَغْوَيْتَنِي لَأَقْعُدَنَّ لَهُمْ صِرَاطَكَ الْمُسْتَقِيمَ (16) ثُمَّ لَآتِيَنَّهُم مِّن بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ وَعَنْ أَيْمَانِهِمْ وَعَن شَمَائِلِهِمْ وَلَا تَجِدُ أَكْثَرَهُمْ شَاكِرِينَ

“Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!”[15]

Iblisi e tha këtë fjalë me hamendje, sepse e dinte mirë me çfarë natyre ishte krijuar njeriu:

وَلَقَدْ صَدَّقَ عَلَيْهِمْ إِبْلِيسُ ظَنَّهُ فَاتَّبَعُوهُ إِلَّا فَرِيقًا مِّنَ الْمُؤْمِنِينَ

“Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë.”[16]

Allahu ia mundësoi Iblisit atë çfarë dëshironte në lidhje me Ademin dhe pasardhësit e tij. Allahu i tha Iblisit:

قَالَ اذْهَبْ فَمَن تَبِعَكَ مِنْهُمْ فَإِنَّ جَهَنَّمَ جَزَاؤُكُمْ جَزَاءً مَّوْفُورًا (63) وَاسْتَفْزِزْ مَنِ اسْتَطَعْتَ مِنْهُم بِصَوْتِكَ وَأَجْلِبْ عَلَيْهِم بِخَيْلِكَ وَرَجِلِكَ وَشَارِكْهُمْ فِي الْأَمْوَالِ وَالْأَوْلَادِ وَعِدْهُمْ وَمَا يَعِدُهُمُ الشَّيْطَانُ إِلَّا غُرُورًا

(Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e Shejtanit janë vetëm mashtrime.”[17]

D.m.th. po munde, bëji të devijuar në edukimin e fëmijëve të tyre, që t’i edukojnë keq, bëji të devijuar në shpenzimin e pasurive të tyre, në shpenzime dhe fitime të dëmshme. Po ashtu, shoqëroji ata nëse ushqehen, nëse pinë apo kryejnë marrëdhënie (me gratë e tyre) dhe nuk e përmendin emrin e Allahut në pasuri dhe fëmijë.

وَعِدْهُمْ

“Jepu premtime” d.m.th. urdhëroji që të mohojnë ringjalljen dhe shpërblimin, e të mos bëjnë ndonjë të mirë, po ashtu frikësoji nga miqtë e tu, frikësoji nga shpenzimi i dobishëm me punë të fëlliqura dhe me koprraci. Kjo ka urtësi dhe të fshehta nga Allahu.

Nuk është në mundësinë tënde – o armik i hapur – që t’i devijosh njerëzit, mirëpo ata që janë të poshtër, do ta shfaqin poshtërsinë dhe të keqen e tyre, ndërsa Allahu nuk i kushton fare rëndësi atij.

Sa i përket pasardhësve të veçantë prej pejgamberëve dhe pasuesve të tyre; besnikët, të dëlirët dhe kategoritë e evlijave dhe besimtarëve, Allahu i Lartësuar nuk i ka dhënë pushtet këtij armiku ndaj tyre, madje i ka vendosur barriera të pathyeshme, që janë mbrojtje për ta. Allahu po ashtu i ka dhënë “armë” që nuk mund t’i përballojnë armiku i tyre, e ato janë besimi tek Allahu dhe mbështetja e fortë tek Ai.

إِنَّهُ لَيْسَ لَهُ سُلْطَانٌ عَلَى الَّذِينَ آمَنُوا وَعَلَىٰ رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ

“Në të vërtetë, Shejtani nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.”[18]

Megjithëkëtë, Allahu i ka ndihmuar ata me shumë gjëra në përballjen e këtij armiku të hapur:

  • I ka zbritur librat e Tij që përmbajnë dijet e dobishme, këshillat prekëse, nxitjen për të bërë veprat e mira dhe frikësimin nga bërja e veprave të këqija.
  • I ka dërguar pejgamberë që përgëzojnë ata që e besojnë dhe i binden Allahut se do të shpërblehen shumë shpejt, po ashtu të paralajmërojnë ata që mohojnë, që përgënjeshtrojnë dhe kthejnë krahët, se do të marrin dënime të ndryshme. Po ashtu, për ata që pasojnë udhëzimin e tij, ka garantuar udhëzimin me të cilin ka zbritur librat e tij dhe ka dërguar pejgamberët; nuk do të devijojnë në këtë botë, po ashtu nuk do të trishtohen në botën tjetër, as nuk do të frikësohen dhe as nuk do të pikëllohen.
  • Gjithashtu i ka orientuar në librat e Tij, po ashtu përmes gjuhëve të pejgamberëve, tek gjërat me të cilat mund të mbrohen nga ky armik i hapur. Ai i ka sqaruar se për çfarë bën thirrje ky Shejtan dhe cilat janë metodat e tij me të cilat i fut njerëzit në kurth.
  • Njëkohësisht i ka sqaruar dhe orientuar për tek rruga që mund të shpëtojnë nga e keqja e tij, nga provokimi i tij dhe i ka ndihmuar me ndihmë jashta mundësive të tyre; sepse kur u munduan dhe kërkuan ndihmën e Allahut, Ai ia bëri të lehtë rrugën për tek ajo që kishin për qëllim.

Pas kësaj, Allahu i Lartësuar e përmbushi mirësinë e Tij mbi Ademit, kështu që nga ai krijoi gruan e tij Havanë; e krijoi nga lloji dhe forma e tij, në mënyrë që të gjejë rehati tek ajo dhe të realizohen qëllimet e shumta, si martesa, bashkimi dhe lindja e pasardhësve nga këta të fundit.

Allahu i tha Ademit dhe gruas së tij se vërtet Shejtani është armik i juaji, andaj ruhuni shumë, e mos t’ju nxjerrë nga Xheneti që Allahu ju bëri banorë të tij, që ju lejoi të hani nga gjitha frutat dhe të kënaqeni me të gjitha kënaqësitë e tij, përveç një peme të caktuar në të. Ai ia ndaloi atë pemë atyre dhe i tha:

وَلَا تَقْرَبَا هَٰذِهِ الشَّجَرَةَ فَتَكُونَا مِنَ الظَّالِمِينَ

“Por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!”[19]

Allahu i tha Ademit për kënaqësitë që i bëri të ndjejë në Xhenet:

إِنَّ لَكَ أَلَّا تَجُوعَ فِيهَا وَلَا تَعْرَىٰ (118) وَأَنَّكَ لَا تَظْمَأُ فِيهَا وَلَا تَضْحَى

“Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.”[20]

Ata qëndruan në Xhenet për aq sa dëshiroi Allahu në gjendjen që ka përmendur, ndërsa armiku i tyre i mbikqyrte, i bënte pritë dhe priste mundësinë. Kur e shikoi gëzimin e Ademit në Xhenet dhe dëshirën e tij të madhe që ai të zgjaste, Iblisi iu paraqit në formë të mprehtë, me paraqitjen e shokut këshillues dhe i tha: “O Adem! A të tregoj për një pemë që nëse ushqehesh prej saj, do të qëndrosh përgjithmonë në Xhenet dhe nuk do të mbarojë pushteti yt?”

Ai vazhdoi ta ngacmonte, t’i bënte zbukurime, ta mashtronte, t’i bënte premtime, t’i jepte shpresa dhe t’i jepte këshilla nga ana e jashtme, mirëpo në realitet ato ishin mashtrimi më i madh, derisa arriti t’i mashtrojë dhe ata hëngrën nga pema që Allahu ia kishte ndaluar. Kur ata u ushqyen nga pema, pjesët e turpshme iu zbuluan pasi që kishin qenë të mbuluara më herët. Ata nisën të ngjisnin për trup gjethet e Xhenet, d.m.th. që t’i bëhen sikur rrobat të cilat i janë në duar, duke u shfaqur menjëherë dënimi për gjynahun që bënë:

فَدَلَّاهُمَا بِغُرُورٍ ۚ فَلَمَّا ذَاقَا الشَّجَرَةَ بَدَتْ لَهُمَا سَوْآتُهُمَا وَطَفِقَا يَخْصِفَانِ عَلَيْهِمَا مِن وَرَقِ الْجَنَّةِ ۖ وَنَادَاهُمَا رَبُّهُمَا أَلَمْ أَنْهَكُمَا عَن تِلْكُمَا الشَّجَرَةِ وَأَقُل لَّكُمَا إِنَّ الشَّيْطَانَ لَكُمَا عَدُوٌّ مُّبِينٌ

Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?”[21]

Allahu frymëzoi në zemrat e tyre që të pendohen plotësisht dhe të kthehen tek Ai me sinqeritet:

فَتَلَقَّىٰ آدَمُ مِن رَّبِّهِ كَلِمَاتٍ فَتَابَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّهُ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.”[22] Ata dy thanë:

قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ

“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.”[23]

Allahu ia pranoi pendimin e tyre dhe ia fshiu gjynahun që bënë, mirëpo sa i përket çështjes prej së cilës i paralajmëroi Allahu – d.m.th. daljen nga Xheneti nëse ushqehen prej pemës – ishte e pashmangshme dhe ashtu u bë. Ata dolën nga Xheneti për në Tokë ku mirësia e saj ishte e rrethuar me të keqe, ndërsa gëzimi i saj me mërzi.

Allahu i lajmëroi se patjetër do t’i sprovonte, ata bashkë me pasardhësit e tyre. Kush do të besonte dhe do të bënte vepra të mira, atëherë përfundimi i tyre do të ishte më i mirë se gjendja e tyre e parë, ndërsa kush do të përgënjeshtronte dhe kthente krahët, atëherë përfundimi i tij do të ishte trishtimi i përhershëm dhe dënimi pa mbarim.

Allahu i ka paralajmëruar pasardhësit e Ademit nga Shejtani dhe ka thënë:

يَا بَنِي آدَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ الشَّيْطَانُ كَمَا أَخْرَجَ أَبَوَيْكُم مِّنَ الْجَنَّةِ يَنزِعُ عَنْهُمَا لِبَاسَهُمَا لِيُرِيَهُمَا سَوْآتِهِمَا إِنَّهُ يَرَاكُمْ هُوَ وَقَبِيلُهُ مِنْ حَيْثُ لَا تَرَوْنَهُمْ إِنَّا جَعَلْنَا الشَّيَاطِينَ أَوْلِيَاءَ لِلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ

“O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi Shejtani, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe ushtria e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata.”[24]

Rrobën që Allahu ia kishte dhënë Ademit dhe Havasë dhe që ia hoqi Shejtani, Allahu ia zëvendësoi me rroba të tjera që të mbulojnë trupat, e të zbukurohen në paraqitjen e tyre gjatë jetës, po ashtu ia zëvendësoi me një rrobë më të lartë se kjo, që është rroba e devotshmërisë, rrobë e cila e vesh zemrën dhe shpirtin me besim, përkushtim, kthim tek Allahu me pendim, stolisje me çdo moral të bukur dhe largim nga çdo moral i ulët.

Më pas, Allahu nxori nga Ademi dhe gruaja e tij shumë burra dhe gra, duke i shpërndarë në tokë dhe duke i bërë mëkëmbës në të, në mënyrë që të shikojë se si do të punojnë.

 

Dobi parimore, degëzore, morale dhe etike të përfituara nga kjo histori

  • Prej dobive është se: këtë histori madhështore e ka përmendur Allahu në shumë vende në Librin e Tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë lloj dyshimi. Ajo është prej historive më madhështore për të cilën pejgamberët janë unanim, me të cilën janë zbritur librat qiellorë dhe që e kanë besuar të gjithë pasuesit e pejgamberëve, nga i pari tek i fundit, derisa na doli kohëve të fundit një grupacion i poshtër dhe i pafe që mohuan çdo gjë me të cilën kanë ardhur pejgamberët, po ashtu mohuan egzistencën e Krijuesit. Ata pohuan vetëm dituritë natyrore që i arritën me njohuritë e tyre të mangëta. Duke u bazuar mbi këtë ideologji që është ideologjia më e largët nga e vërteta – si nga ana fetare ashtu dhe ajo logjike –, ata e mohuan Ademin dhe Havanë, po ashtu mohuan atë çfarë ka përmendur Allahu dhe Pejgamberi i Tij rreth tyre.

Ata pretendojnë se njeriu ka qenë kafshë, ka qenë majmun apo i ngjashëm me të, derisa evuloi në këtë gjendje që është sot.

Këta të fundit janë mashtruar nga teoritë e gabuara të bazuara mbi hamendjet e prishura që në pikënisje, duke lënë të gjitha dituritë e sakta për shkak të tyre, sidomos ato të ardhura nga pejgamberët.

Për ta është vërtetuar fjala e Allahut të Lartësuar:

فَلَمَّا جَاءَتْهُمْ رُسُلُهُم بِالْبَيِّنَاتِ فَرِحُوا بِمَا عِندَهُم مِّنَ الْعِلْمِ وَحَاقَ بِهِم مَّا كَانُوا بِهِ يَسْتَهْزِئُونَ

“Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin vetë; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.”[25]

Çështja e këtyre është e qartë për të gjithë muslimanët dhe për të gjithë ata që pohojnë egzistecën e Krijuesit; ata e dinë se janë grupacioni më i devijuar, mirëpo disa ndikime dhe pasoja të ndërtuara mbi këtë mendim të kësaj ideologjie femohuese kaluan tek disa muslimanë. Kjo, pasi një grup bashkëkohor e shpjeguan sexhden që melekët ia bënë Ademit se do të thotë: nënshtrimi i kësaj bote për njerëzit, se lëndët e tokës, mineralet e saja e të ngjashmet me to, ia nënshtroi Allahu njeriut; kjo është domethënia e sexhdes së melekëve [sipas tyre].

Ai që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, nuk dyshon se ky mendim është marrë nga ai mendim i mangët, se po devijon (kuptimin e) Librit të Allahut, se nuk ka dallim mes tij dhe mes devijimit të Batinive dhe Kurmutive, e nëse i bëhet ky lloj interpretimi kësaj historie, atëherë do të devijohen edhe historitë e tjera të ngjashme në Kuran. Kurani, nga sqarues për çdo gjë, nga udhëzim dhe mëshirë, do të kthehej në simbolikë, ku çdo armik i Islamit do ta bënte këtë veprim të fundit, duke e prishur Kuranin, duke e kthyer udhëzimin e tij në humbje dhe mëshirën në dënim. I lartmadhëruar qofsh o Allah, vërtetë kjo është shpifje e madhe!

Për ta hedhur poshtë këtë mendim të fëlliqur, besimtarit i mjafton në këtë rast që të lexojë atë çfarë na ka treguar Allahu lidhur me historinë e Ademit dhe sexhdes së melekëve, kështu që në këtë mënyrë, besimtari do ta kuptojë se ky mendim bien ndesh plotësisht me atë çfarë ka patur për qëllim Allahu dhe i Dërguari i Tij; edhe nëse shokët e tij mundohen ta mashtrojnë dhe ta joshin me fjalë, apo nëse ia përkatësojnë atë mendim dikujt që ka mendim të mirë për të.

Besimtari nuk e lë besimin e tij, as Librin e Zotit të tij për tilla reklama mashtruese, apo reklama me anëtarë të mashtruar.

  • Prej dobive është: vlera e diturisë dhe se kur iu bë e qartë melekëve se çfarë vlere kishte Ademi për shkak të diturisë së tij, ata e njohën plotësinë e tij dhe se e ishte meritor për nderim dhe vlerësim.
  • Prej dobive është se: kujt i jep Allahu mirësinë e diturisë, atëherë ai duhet të jetë mirënjohës për mirësinë që Allahu ia ka dhënë dhe të thotë siç kanë thanë melekët dhe pejgamberët:

قَالُوا سُبْحَانَكَ لَا عِلْمَ لَنَا إِلَّا مَا عَلَّمْتَنَا إِنَّكَ أَنتَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ

“Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti.”[26]

Njeriu duhet të ruhet nga të folurit pa dituri, sepse dituria është mirësia më e madhe dhe falenderimi i saj, është duke i qenë mirënjohës Allahut dhe lëvduar Atë, e kjo duke i mësuar të tjetër, duke mësuar të paditurit, duke u ndalur tek gjërat që njeriu i di dhe duke heshtur për ato që nuk i di.

  • Prej dobive është se: Allahu e ka bërë këtë histori mësim për ne dhe se cmira, mendjemadhësia dhe lakmia janë prej moraleve më të rrezikshme për njeriun. Mendjemadhësia e Iblisit dhe cmira që pati për Ademin, e bënë që të arrinte në këtë gjendje. Lakmia e Ademit dhe bashkëshortes së tij, i çuan që të hanin prej pemës. Po mos t’i mëshironte Allahu, ata do të përfundonin në shkatërrim, mirëpo mëshira e Allahut e plotëson të mangëtën, e rregullon atë çfarë është thyer, e shpëton atë që ka rënë në shkatërrim dhe e ngre atë që ka rënë poshtë.
  • Prej dobive është se: nëse njeriu bie në gjynah, atëherë ai duhet të shpejtojë të pendohet, ta pranojë gabimin dhe të thotë me zemër dhe me pendim të sinqertë atë çfarë kanë thënë Ademi dhe Havaja. Allahu na e ka treguar historinë e tyre që ne t’i ndjekim ata, të fitojmë lumturinë dhe të shpëtojmë nga shkatërrimi. Po ashtu, Allahu na ka lajmëruar për fjalët e Shejtanit, për përbetimin e tij dhe vendimin e tij të prerë për të na devijuar me çfarë do metode, vetëm që ne të përgatitemi kundër këtij armiku, i cili ka fshaqur këtë armiqësi të theksuar dhe me rrënjë të thella.

Allahu do nga ne që: t’i bëjmë rezistencë Shejtanit me çdo gjë që kemi mundësi, qoftë duke u larguar nga rrugët dhe gjurmët e tij, apo duke u ruajtuar nga shkaqet që mund të bëjnë të biesh në grackën e tij, apo duke ngritur mburojë me lutje të sakta, me dhikret e zemrës apo duke kërkuar mbrojtje tek Allahu në forma të ndryshme. Po ashtu, prej armëve që e shkatërrojnë Shejtanin është besimi i sinqertë, mbështetja e fuqishme tek Allahu, bërja e veprave të mira pamvarësisht se ai nuk i do, po ashtu rezistenca ndaj ngacmimeve të tija, apo mendimeve të këqija që ia hedh njeriut në zemër në çdo kohë, duke i rezistuar me të kundërtat e tyre dhe me gjëra që i hedhin poshtë ato; si dituria e dobishme dhe faktet e vërteta.

  • Prej dobive është se: historia përmban argument për Ehli Sunetin të cilët pohojnë për Allahun të gjithë emrat dhe cilësitë e Tij që ia ka pohuar Vetes. Nuk ka dallim mes cilësive të Qenies së Tij dhe cilësive të veprave.
  • Prej dobive është: pohimi se Allahu ka dy duar, siç përmendet në mënyrë të drejtpërdrejtë në historinë e Ademit:

لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ

[“Zoti tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij] që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?”[27] Allahu ka dy duar të vërteta. Ashtu siç nuk i ngjan asnjë qenie Qenies së Tij, po ashtu edhe cilësitë nuk i ngjajnë cilësive të Tija.

 

Burimi: Tejsirul Latif el Mennan fq. 170-181.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] El Bekareh: 30.

[2] El Bekareh: 30.

[3] El Bekareh: 30.

[4] El Bekareh: 31.

[5] El Bekareh: 32.

[6] El Bekareh: 33.

[7] D.m.th. Ademit. (shp)

[8] El Bekareh: 34.

[9] El Earaf: 12.

[10] Sad: 75.

[11] El Earaf: 13.

[12] Sad: 79.

[13] Pra i Shejtanit. (shp)

[14] Sad: 80-81.

[15] El Earaf: 16-17.

[16] Sebe’: 20.

[17] El Isra’: 63-64.

[18] En-Nahl: 99.

[19] El Earaf: 19.

[20] TaHa: 118-119.

[21] El Earaf: 22.

[22] El Bekare: 37.

[23] El Earaf: 23.

[24] El Earaf: 27.

[25] Gafir: 83.

[26] El Bekareh: 32.

[27] Sad: 75.