REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

MenhexhShenjat e bidatçive dhe trajtimi i tyre

Refuzim i teorisë “unë lexoj, e marr të vërtetën dhe e lë të kotën” – Shejh Rabi’ el Medkhali

Kërkoni diturinë, përkushtohuni Allahut në kërkimin e saj! Respektoni dijetarët e Sunetit, përfitoni prej dijes së tyre, kthejani krahët librave të bidatçive, ku në to bëjnë pjesë librat ideologjik të mbushur me bidate, devijime dhe mendime të devijuara; Allahu ju begatoftë!

Shumë prej njerëzve i mashtrojnë të rinjtë dhe i thonë: “Lexo! Merre të vërtetën dhe lerë të kotën!”

Të rinjtë janë të mjerë që nuk kanë gjë [dituri], nuk e dallojnë të vërtetën nga e kota, andaj bien në të kotën duke menduar se është e vërtetë dhe e lufton të vërtetën duke menduar se është e kotë. Me anë të këtij kurthi, kjo ka ndodhur me shumë njerëz dhe shkaku ka qenë ajo që lexonin nga bidatçitë.

Janë shkruar libra paralajmërues prej librave të bidatçive. Prej tyre është libri i elMuvaffak ibën Kudames “Ndalesa e shikimit tek librat e bidatçive”. Po ashtu paralajmërime kanë Ahmed ibën Hanbeli, Dhehebiu, Ibën Tejmije, Ibën Kajimi; të gjithë kanë paralajmëruar shumë ashpër nga librat e bidatçive dhe disa prej tyre sikur Ibën Kajimi dhe Ahmed ibën Hanbeli, janë të mendimit se duhen djegur dhe prishur, sepse ato janë shkatërrim dhe prishje për umetin.

Kur në mesin e muslimanëve u përhapën librat e bidatit, shumë muslimanë u përkeqësuan dhe ranë në kurthet e bidatit. Ky u bë mu’tezili, ai tjetri  u bë xhehmij, ai tjetri u bë esharij, ndërsa ky u bë sufij… shumë pak kanë mbetur që e ndjekin rrugën e Selefëve të devotshëm, në mesin e gjithë këtyre bidatçive; Allahu na ruajtë.

Cili është shkaku? Shkaku janë shembulli i kësaj teorie “unë lexoj, e marr të vërtetën dhe e lë të kotën”. Vjen e merr të kotën dhe lë të vërtetën.

Ibën Akili ka qenë mal prej maleve të diturisë dhe zgjuarsisë. Ai filloi të merrte prej bidatçive, filloi të merrte prej disa dijetarëve të mu’tezilive; e paralajmëruan, mirëpo ai i shpërfilli paralajmërimet, ndoqi kokën e tij dhe nisi të merrte prej tyre. Kështu, ai ra në kurthin e bidateve dhe devijimeve duke e përhapur këtë gjë nëpër librat e tij. Atij i erdhën kërcënime nga disa hanbeli se do ta vrisnin. Më pas, disa njerëz e këshilluan, e kërcënuan dhe ai u pendua, u kthye dhe shkroi pendimin e tij.

Dëshmia nga kjo është se ai kishte dituri dhe mençuri të madhe, e megjithëkëtë ai ra në kurthet e bidatçive, sepse dijetari mund të mashtrohet nga bidatçitë dhe të bie në devijim; Allahu ju begatoftë!

Shumë prej tyre – nuk dua të përmend emra – janë mashtruar nga bidatçitë, janë mashtruar nga devotshmëria dhe asketizmi që ata shfaqnin, kështu që ranë në gropën e bidatit dhe devijimit.

Selefët sikur Ibën Sirini i cili ka qenë imam prej imamëve të Sunetit, po ashtu Ejub es-Sihtijani, kur bidatçitë i parashtronin që t’i lexonin një ajet të Kuranit, ai thoshte: “As edhe një gjysmë ajeti!”

Pse? Sepse ai e kuptonte që ky dëshiron t’ia pështjellojë gjërat, po ashtu dëshiron t’i lexojë një ajet për t’i nxjerrë një dyshim prej tij, andaj ai thoshte: “Nuk dëgjoj!” Po pse e bën këtë?! Ai përgjigjej duke thënë: “Sepse zemra nuk është në dorën time dhe kam frikë për veten se sprovohem.”

O vëlla, nëse imamët kanë patur frikë për vetet e tyre se sprovohen, po ti si na je i sigurtë?!!! Nëse sahabët frikësoheshin për vetet e tyre, nëse frikësoheshin për vetet nga hipokrizia, po ti si na je i sigurtë nga hipokrizia?!!! Si na je i sigurtë nëse të këshillojnë nga rënia në bidate dhe t’i i praktikon shkaqet që të hedhin në to, e më pas pret të jesh i ruajtur?!!!

Libri është sikur shoku: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq është sikur shembulli i bartësit të parfumit dhe kovaçit; bartësi i parfumit ose të parfumos, ose nuhat prej tij erën e mirë, ose blen prej tij. Kurse kovaçi ose t’i djeg rrobat, ose nuhat prej tij erën e keqe” ose nuk shpëton nga e keqja dhe dëmi i tij. Ai që lexon librat e bidatçive, do të dëmtohet patjetër dhe konsiderojeni (librin) sikur shoku; Allahu ju begatoftë!

Poeti thotë: “Vendi më i mirë në Dynja është shala e kalit të shpejtë, ndërsa shoku më i mirë është libri.”

Unë them:  shoku më i keq mund të jetë libri, pasi ky libër mund të jetë sikur kovaçi, madje edhe më keq. Shoku i keq është sikur kovaçi; do të dëmtohesh patjetër nga shoqërimi me të. Kush është më i keq se bidatçiu?!

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet fjala më e mirë është Fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërsa punët më të këqia janë ato të shpikura.”

Bidatçiu është mbartës i së keqes dhe i bidatit, andaj ruhu prej tij. Ai të djeg edhe sikur ta prekësh pak. Nëse të mashtron me asketizëm dhe me devotshmëri, ti mos i beso atij, pasi ai do të japë mjaltë herën e parë, herën e dytë, të tretë dhe pastaj të jep për të pirë helm pak nga pak. Ata kanë kurthe, kanë zgjuarsi, kanë hile dhe dyshime që i hedhin. Ai që është i dobët dhe i mjerë nuk mund të lirohet prej tyre, mirëpo bie viktimë. Po!

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani