REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Dispozitat që lidhen me menstruacionet dhe lehoninë – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja 81: shejh i nderuar! Cilat janë dispozitat që lidhen me menstruacionet dhe lehoninë?

Përgjigjja: dijetarët kanë thënë për menstruacionet se: është gjak natyral dhe natyrshmëri e zakontë tek femra e cila mund të mbesë shtatzënë në ditë të mirënjohura. Gjithashtu kanë thënë: me të vërtetë Allahu azze ue xhel-le i ka krijuar (menstruacionet) për ushqyerjen e foshnjes në barkun e nënës së saj, e për këtë arsye, kur gruaja mbet shtatzënë, menstruacionet i ndalen zakonisht.

Nëse gruas i vjen gjaku natyral i menstruacioneve, atëherë me të lidhen shumë dispozita, ku prej tyre:

Ndalohet namazi dhe agjërimi, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A nuk është gruaja që kur i vijnë menstruacionet, nuk fal namaz dhe nuk agjëron?”[1] Andaj, gruas nuk i lejohet që të agjërojë apo të falet gjatë kohës që është me menstruacione. Nëse ajo i bën këto të fundit, atëherë ka bërë gjynah dhe i ka të papranuara agjërimin dhe namazin.

Së dyti: gruas (me menstruacione) i ndalohet tavafi rreth Qabes, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë Aishes kur i patën ardhur menstruacionet: “Bëj çfarë bën haxhiu, përveç tavafit rreth Qabes.”[2] Kur iu përmend Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se Safije bintu Hujej i kishin ardhur menstruacionet, ai tha: “A do të na ndalojë ajo (nga udhëtimi)?” Kjo, sepse mendoi se Safija nuk e kishte bërë tavafin e lamtumirës, kështu që i thanë se e kishte bërë tavafin e lamtumirës, ndërsa ai tha: “Dilni!”[3] Nga ky hadith mësojmë se nëse gruaja bën tavafin e lamtumirës që është edhe tavafi i haxhit, e pastaj i vijnë menstruacionet, atëherë ritualet e saja janë plotësuar, edhe sikur menstruacionet t’i vijnë pas tavafit të lamtumirës dhe para Sa’jit, ritualet e saja janë plotësuar, sepse Sa’ji është i saktë nëse bëhet nga gruaja me menstruacione.

Nga ky hadith, gjithashtu mësojmë se bie obligimi i tavafit të lamtumirës për gruan me menstruancione, siç ka ardhur në formë të drejpëdrejtë në hadithin e Abdullah ibën Abasit, radijAllahu anhume se ka thënë: “Njerëzit janë urdhëruar që gjëja e fundit që bëjnë të jetë tavafi rreth Qabes, mirëpo është bërë lehtësim për gruan me menstruacione.”[4]

Gruaja me menstruacione e ka të ndaluar gjithashtu që të kryejë marrëdhënie seksuale, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي الْمَحِيضِ وَلا تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمُ اللَّهُ

“Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme.” Prandaj, gjatë kësaj kohe, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu.”[5] Ajeti fisnik tregon se njeriu e ka të ndaluar që të kryejë marrëdhënie me gruan e tij kur ajo është me menstruacione, mirëpo kur t’i kalojnë menstruacionet, nuk duhet të kryejë marrëdhënie pa u pastruar, sepse ka thënë:

“Pasi të pastrohen” d.m.th. pasi të lahen (marrin gusël), sepse me pastrim është për qëllim larja (marrja gusël).

Allahu i Lartësuar thotë:

‏‏وَإِن كُنتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُواْ 

“Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së spermës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)!”[6]

Mirëpo, njeriu e ka të lejuara puthë dhe përkëdhelë gruan kur është me menstruacione, po ashtu të kënaqet me të, përveçse në organin e saj gjenital. Kjo gjë e lehtëson epshin e njeriut që nuk mund të përmbahet nga gruaja e tij gjatë kohës së menstruacioneve. Ai mund të kënaqet me gruan, përveçse të kryejë marrëdhënie seksuale. Sa i përket marrëdhënieve në anus, atëherë kjo gjë është e ndaluar në çfarë do rasti, edhe kur gruaja është me menstruacione edhe kur nuk është me to.

Prej dispozitave që lidhen me menstruacionet: se kur gruas i ikin menstruacionet në kohë namazi, atëherë ajo duhet të shpejtojë të lahet, që të falë namazin para daljes së kohës. P.sh. nëse i ikin pasi ka hyrë koha e namazit të sabahut dhe Dielli nuk ka lindur akoma, atëherë duhet të lahet që të falë namazin e sabahut në kohë të tij. Disa gra tregohen të shkujdesura lidhur me këtë çështje, sepse i ikin menstruacionet, mirëpo në ditët e dimrit e shtyjnë dhe shkujdesen ndaj namazit, derisa koha del. Kjo e fundit është haram dhe nuk i lejohet ta bëjë, mirëpo e ka për detyrë që të lahet dhe ta falë namazin në kohën e tij.

Kohët e namazit janë të njohura për njerëzit: sabahu që fillon me daljen e dritës derisa të lindë Dielli, koha e drekës që fillon me mesditën derisa të bëhet hija sa gjatësia e objektit, koha e iqindisë që fillon me përfundimin e drekës derisa të zverdhet Dielli – kjo është koha e zgjedhjes – ose deri kur të perëndojë Dielli – kjo është koha e nevojës –, koha e akshamit që është nga perëndimi i Diellit deri në kohën e horizontit të kuq, ndërsa jacia nga zhdukja e horizontit të kuq deri në mesnatë. Pas mesnate nuk është kohë që falet jacia, sepse ka dalur koha e saj, përveç rastit kur njeriu ka qenë në gjumë apo ka harruar, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush fle ndaj një namazi apo e harron, atëherë le ta falë kur t’i kujtohet.”[7]

Le të dihet se gjaku i gruas që është në moshë të pjekurisë, në origjinë është gjak i menstruacioneve, derisa të vijë argumenti që e nxjerr nga kjo origjinë. Ajo që e nxjerr nga kjo origjinë është të dihet se ky gjak ka dalë nga ndonjë damar dhe nuk është gjak i menstruacioneve, si p.sh. kur del gjak pas një operacioni të bërë, apo nga një frikë që e godet, apo të tjera shkaqe që sjellin rrjedhje gjaku që nuk janë menstruacione. Në këto raste gjaku nuk konsiderohet gjak menstruacionesh. Po ashtu, nëse gjaku është i shumtë dhe rrjedh në pjesën më të madhe të muajit, atëherë në këtë rast është gjak istihada, kështu që gruaja i kthehet të zakonshmes para se t’i ndodhë istihada; rri[8] si zakonisht, pastaj lahet dhe falet, edhe nëse rrjedhja e gjakut vazhdon.

Prej dispozitave që lidhen me menstruacionet dhe lehoninë: se burrit nuk i lejohet ta divorcojë gruan e tij kur është me menstruacione, e nëse e bën këtë gjë, ka bërë gjynah, kështu që duhet ta kthejë gruan tek vetja e tij, në mënyrë që ta divorcojë në gjendje pastërtie dhe pa kryer marrëdhënie seksuale. Kjo, sepse është vërtetuar në dy sahihët, nga hadithi i Abdullah ibën Umerit radijAllahu anhume se ka divorcuar gruan e tij gjatë kohës së menstruacioneve dhe Umeri ia tregoi këtë gjë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili u zemëruar me të, pastaj tha: “Urdhëroje që ta kthejë, pastaj ta divorcojë në gjendje pastërtie, apo shtatzanie.”[9]

Shumë njerëz – Allahu na udhëzoftë ne dhe ata – nguten në këtë çështje dhe e divorcojnë gruan në gjendje menstruacionesh, apo e divorcojnë në kohë pastërtie që ka kryer marrëdhënie seksuale me të dhe para se të bëhet e qartë nëse është shtatzënë apo jo. Të gjitha këto janë haram dhe burri duhet të pendohet tek Allahu nga to, po ashtu duhet ta kthejë gruan që e ka divorcuar në tillë gjendje.

Prej dispozitave që lidhen me menstruacionet dhe lehoninë: nëse gruas së lehonë i kalon lehonia para dyzet ditëve, atëherë ajo e ka për detyrë që të lahet, të falet dhe të agjërojë nëse është muaji i Ramazanit, sepse kur gruas i kalon lehonia, edhe nëse është brënda dyzet ditëve, ajo merr gjykimin e grave të pastërta. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet seksuale, ku burrit të saj i lejohet të kryejë marrëdhënie edhe pse nuk janë mbushur dyzet ditë, sepse kur bëhet i lejuar namazi, atëherë në mënyrë më parësore bëhen të lejuara marrëdhëniet seksuale.

Prej dispozitave që lidhen me menstruacionet dhe lehoninë: siç aluduam më lart është detyrë për gruan me menstruacione dhe me lehoni që të lahen pasi të ikin ato. Dispozitat e menstruacioneve dhe lehonisë janë të shumta dhe ne po mjaftohemi me këtë masë, mbase është e mjaftueshme inshaAllah.

 

Burimi: Fik’hul ibdat

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Transmeton Buhariu, kitabul hajd, babu terkil haid es-saum 304.

[2] Transmeton Buhariu, kitabul hajd, babu tekdil hajdul menasike kul-lehe il-la et-tauafe bil bejt 305, Muslimi, kitabul haxh, babu vuxhul ihram, 1211.

[3] Transmeton Buhariu, kitabul haxh, babu ez-zijarati jeum en-nahr 1733, Muslimi kitabul haxh, babu vuxhubu tauaful uedea’ ue sukutuhu anil haid 1211.

[4] Transmeton Buhariu, kitabul haxh, babu tauafil uedea 1755, Muslimi kitabul haxh, babu vuxhubu tauaful uedea’ ue sukutuhu anil haid 1328.

[5] El Bekare 222.

[6] El Maideh: 6.

[7] Transmeton Buhariu, kitabul mauakit es-salat, babu men nesije salaten fel jusal-li idhe dheker 597, Muslimi kitabul mesaxhid, babu kadau es-salatil feiteh 684, teksti është i Muslimit.

[8] Pa namaz dhe agjërim. (shp)

[9] Trasnmeton Muslimi, kitabu et-talak, babu tahrim el haid bigarji ridahe 1471.