REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Historia e Salihut alejhis-selam – Shejh AbdurRahman es-Sadij

Populli i Themudit – populli i dytë i Adit – banonin në Hixhër dhe përreth tij. Ata posedonin dhen të shumta, kishin bujqësi dhe të mbjella. Begatitë vazhduan pandërprerë. Ata ndërtonin pallate të stolisura nëpër fusha, ndërsa nëpër male ndërtonin shtëpia të skalitura me mjeshtëri. Mirëpo, ata i zhvlerësuan mirësitë dhe i mohuan; adhuruan të tjerë veç Allahut, kështu që Allahu i dërgoi vëllaun e tyre Salih, që ishte nga i njëjti fis. Ata ia njihnin prejardhjen, pozitën, vlerën, pjekurinë, sinqeritetin dhe besnikërinë e tij. Salihu i bëri thirrje për tek Allahu, që t’ia kushtonin adhurimin Allahut dhe të braktisnin çfarë adhuronin përveç Tij. Ai gjithashtu ia përkujtoi mirësitë e Allahut dhe ngjarjet e popujve afër tyre, mirëpo të paktë ishin ata që e pasuan.

Pasi i përkujtoi dhe ia ngriti argumentet e obligueshmërisë së veçimit të Allahut me adhurim, ata u rënduan nga kjo gjë, u larguan, u treguan mendjemëdhenj dhe thanë:

يَا صَالِحُ قَدْ كُنتَ فِينَا مَرْجُوًّا قَبْلَ هَٰذَا

“O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale).[1] D.m.th. se mendonim se do të na e kaloje të gjithë neve, për shkak të pjekurisë tënde, të moralit tënd të lartë dhe sjelljes tënde të bukur.

Ky është pohim nga ana e tyre, se Salihu i posedonte këto gjëra para se t’i thoshte ato fjalë. E vetmja gjë që e beri të zbriste nga ajo pozitë që kishte tek populli i tij, është [fakti] se i bëri thirrje që të adhuronin Krijuesin në vend që të adhuronin krijesat, po ashtu i bëri thirrje për tek lumturia e përhershme. E vetmja gjë është se i kundërshtoi baballarët e tyre të devijuar, të cilët kanë qenë edhe më të devijuar se ata. Pas kësaj, Salihu i solli një argument madhështor, një provë të qartë dhe mirësi për gjithë fisin e për gjitha familjet e tij.

Salihu tha: “Kjo është deveja e Allahut – që nuk i ngjason asnjë deve në paraqitje, në vlerë dhe dobi për ju – dhe është argument për sinqeritetin tim dhe mëshirën e gjerë të Zotit tuaj, andaj lëreni të ushqehet në tokën e Allahut, sepse Allahu do ta funizojë, ndërsa ju do merrni dobitë e saja. Ajo do të pijë ujë një ditë vetme, pastaj do t’i japi qumësht fisit me gjithë familjet e saja, ku secili nga ju do të mbushë enën e vet. Ditën tjetër e keni ju rradhën për ujë.

Kështu vazhduan, aq sa dëshiroi Allahu.

Në qytetin e tyre ishin nëntë persona shejtanë, të cilët i bënin shumë oponencë Salihut dhe asaj më të cilën kishte ardhur. Ata bëheshin pengesë nga rruga e Allahut, bënin shkatërrime në tokë dhe nuk ndreqnin. Salihu i kishte paralajmëruar nga therja e devesë në kohën kur shikoi mendjemadhësinë dhe refuzimin e tyre të së vërtetës. Gjëja e parë që bënë ata njërëz të këqinj, ishte mbledhja në një tubim të hapur, që të binin dakort për therjen e devesë. Ata ranë dakort dhe për këtë gjë zgjodhën njeriun më të keq të fisit. Për këtë gjë, Allahu i Lartësuar ka thënë:

إِذِ انبَعَثَ أَشْقَاهَا

“Kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë).”[2]

D.m.th. kur ranë dakort dhe e zgjodhën, e dërguan me këtë mision. Ai u përgatit dhe e mori përsipër që ta therte devenë, ndërsa të gjithë ata ishin të kënaqur, madje urdhëronin që të bëhej. Ai e theri devenë, andaj ajo therje ishte lajmëtare e shkatërrimit të fisit me gjitha familjet që kishte.

Kur Salihu e mori vesh çështjen dhe e shikoi atë pamje të tmerrshme, kuptoi që dënimi ishte i pakthyeshëm, sepse krimi i kishte kaluar kufijtë dhe nuk kishte mbetur ndonjë shpresë ta që të ndreqeshin.

Salihu i tha atyre: “Vazhdoni edhe tre ditë në shtëpitë tuaja, sepse ky është premtim i pathyeshëm”. Me këto fjalë, Salihu i tërhoqi vëmendjen të gjithëve.

Gjatë këtyre tre ditëve, nëntë burrat ranë dakort për diçka edhe më të rëndë se therja e devesë, për vrasjen e Salihut. Ata u pajtuan, dhanë fjalën, bënë betime të mëdhaja dhe e mbajtën çështjen të fshehur, nga frika se mos familjarët e tij të bëheshin pengesë, sepse Salihu ishte nga një shtëpi fisnike dhe e nderuar.

Ata thanë: “Do ta sulmojmë Salihun dhe familjen e tij natën, e nëse mendojnë se e kemi vrarë ne, atëherë do t’i betohemi fisit të tij që nuk e kemi parë vrasësin e tyre dhe se ne jemi të sinqertë”.

Ata e pergatitën këtë kurth të madh, mirëpo ata thurin kurthe dhe Allahu gjithashtu thur kurthe në mbrojte të pejgamberit të Tij Salih.

Kur ata u fshehën rrëzë një mali, në pritje të mundësisë për të vrarë Salihun, Allahu nisi dënimin e Tij ndaj tyre, duke i bërë paraprijës të popullit të tyre në dënimin e zjarrit të Xhehenemit. Allahu lëshoi një shkëmb nga maja e malit që i shtypi dhe u vranë në formën më të tmerrshme.

Pas tre ditësh, popullit të Salihut i erdhi një zë i fuqishëm nga lart dhe një tërmet nga poshtë që i bëri pluhur.

Allahu e shpëtoi Salihun dhe besimtarët që ishin me të. Salihu iku nga populli i tij duke thënë:

يَٰقَوْمِ لَقَدْ أَبْلَغْتُكُمْ رِسَالَةَ رَبِّى وَنَصَحْتُ لَكُمْ وَلَٰكِن لَّا تُحِبُّونَ ٱلنَّٰصِحِينَ

O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë.”[3]

 

DOBITË E KËSAJ HISTORIE

  • Prej dobive është se: të gjithë pejgamberët kanë një thirrje të vetme dhe se kush e përgënjeshtron njërin prej tyre, atëherë ai i ka përgënjeshtruar të gjithë, sepse po përgënjeshtron të vërtetën me të cilën ka ardhur secili prej tyre. Për këtë gjë, Allahu thotë në secilin tregim që “populli i Nuhut i përgënjeshtroi pejgamberët”, “populli i Adit i përgënjeshtroi pejgamberët”, “populli i Themudit i përgënjeshtroi pejgamberët”.
  • Pre dobive është se: dënimet e Allahut ndaj popujve zullumqare, kanë ardhur pasi i kanë kaluar gjitha kufijtë dhe kanë bërë çdo krim. Mohimi dhe përgënjeshtrimi i tyre e bënë obligim shkatërrimin, mirëpo shkatërrimi i tyre u bë i pashmangshëm kur kaluan kufijtë e krimeve, sepse Allahu i Lartësuar është në pritë; jep afat, pastaj jep afat derisa t’i dënojë me plotfuqinë e Tij.
  • Prej dobive është se: besimet e kota të ngulitura tek njerëzit, të cilat janë të marra nga njerëz [të tjerë] prej të cilëve kihet mendim të mirë për ta, sikur baballarët apo të tjerë, këto besime janë prej pengesave më të mëdha për pranimin e të vërtetës. Faktikisht, kjo as që ka ndonjë vlerë, as ndonjë rëndësi dhe as që ka ndonjë pozitë tek argumentet e sakta që vlejnë për të faktuar diçka, andaj gjëja më e madhe më të cilën populli i Salihut e refuzuan thirrjen e tij, ishte thënia: “A po na ndalon që të adhurojmë atë çfarë kanë adhuruar baballarët tanë?!”

Të gjitha popujt përgënjeshtruese kanë thënë duke e refuzuar thirrjen e pejgamberëve:

إِنَّا وَجَدْنَآ ءَابَآءَنَا عَلَىٰٓ أُمَّةٍۢ وَإِنَّا عَلَىٰٓ ءَاثَٰرِهِم مُّهْتَدُونَ

“Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe ne po ndjekim gjurmët e tyre.”[4]

Kjo metodë vazhdon të ketë pasuesit e saj nga njerëzit e të kotës. Shejtanët e kanë shtruar këtë rrugë që t’i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut. Dihet se rruga e pejgamberëve është rruga e udhëzimit dhe e vërtetës, andaj a ka pas të vërtetës diçka tjetër veç humbjes?

 

Burimi: Tejsirul Latif el Mennan 195-198.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Hud 62.

[2] Esh-Shems 12.

[3] El Earaf 79.

[4] Ez-Zuhruf 22.