REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentim i ajetit “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme” – Shejh AbdurRahman es-Sadij

Allahu i Lartësuar ka thënë:

يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآخِرَةِ ۖ وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ ۚ وَيَفْعَلُ اللَّهُ مَا يَشَاءُ

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” Ibrahim: 27.

Allahu i Lartësuar lajmëron se Ai i forcon robërit e Tij besimtarë, d.m.th. ata të cilët përmbushin besimin e plotë të zemrës, i cili sjell veprat e devotshme. Këta, Allahu i forcon në jetën e kësaj bote me udhëzim drejt bindjes kur shfaqen dyshimet, ndërsa kur shfaqen epshet, i forcon me vullnet të palëkundur që t’i japin përparësi asaj që do Allahu, përpara asaj që dëshirojnë epshi dhe ëndjet e tij.

Në botën tjetër, gjatë vdekjes, i forcon ata në Fenë Islame, në një vdekje të mirë, ndërsa kur të pyeten në varr nga dy melekët, i forcon që të përgjigjen saktë. Kur t’i thuhet të vdekurit: “Kush është Zoti yt? Kush është Feja yte? Kush është Pejgamberi yt?” Allahu i udhëzon që të përgjigjen saktë dhe të thonë: “Zoti im është Allahu! Feja ime është Islami! Pejgamberi im është Muhamedi”.

وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ

“Kurse keqbërësit i shpie në humbje”. Ibrahim: 27.

D.m.th. i humbë nga e sakta në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu nuk i ka bërë atyre të padrejtë, mirëpo ata i kanë bërë vetes të padrejtë. Në këtë ajet ka argument për sprovën e varrit, ndëshkimin dhe shpërblimin në të, sikurse kanë ardhur transmetimet e shumta (mutewatir) nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për sprovën e varrit, për formën e saj, shpërblimin dhe ndëshkimin në të.

 

Burimi: Tejsirul Kerimi er-Rahman, në komentimin e ajetit 27 të sures Ibrahim.

Përktheu: Besmir Cacani.