REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraFestat e shpikura

Kundërpërgjigje ndaj një dyshimi lidhur me mevludin – Shejh Rabi’ el Medkhali

Pyetja: shumë njerëz argumentohen për bidatin e mevludit – sidomos në disa vende në veri të Afrikës – , argumentohen me thënien e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush bëhet nismëtar për një traditë të mirë në Islam…” hadithi. Si t’i kundërpërgjigjemi?

Përgjigjja: kundërpërgjigjja ndaj tyre është që t’i thuhet:

Së pari: patjetër duhet të dini shkakun e thënies së këtij hadithi. Shkaku është se disa njerëz të fisit Mudar, erdhën tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me rroba shumë të trasha, për shkak të varfërisë dhe skamjes së tyre të madhe. Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i pa, iu dhimbën për shkak të gjendjes së tyre, andaj urdhëroi Bilalin, i cili thirri ezanin, u thirr ikameti për namaz, fali namazin dhe pastaj u ngrit Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për të ligjëruar. Ai i nxiti njerëzit që të jepnin sadaka dhe tha: “Një burrë dha një dirhem, një tjetër dha një dinar, një tjetër dha miell elbi…” deri në fund të hadithit. Njerëzit vonuan pak [për të dhënë sakada], kështu që erdh një burrë prej Ensarëve me një trastë të madhe me pasuri, andaj njerëzit shpejtuan dhe garuan, saqë mblodhën një sasi të madhe pasurie për sadaka. Me këtë rast, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Kush bëhet nismëtar për një traditë të mirë në Islam, atëherë atij i takon shpërblimi i saj dhe i atyre që e veprojnë, pa i mangësuar gjë prej shpërblimit të tyre. Kush bëhet nismëtar për një traditë të keqe në Islam, atëherë atij i takon gjynahu i saj dhe i atyre që e veprojnë, pa i mangësuar gjë prej gjynahut të tyre.” Pra, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka nxitur për sadaka dhe sakadaja është diçka e ligjëruar

Ky burrë, u bë nismëtar për garim në këto çaste të vështira. Edhe ti nëse bëhesh nismëtar për një vepër që e kanë harruar njerëzit, je bërë nismëtar për një traditë të mirë. Kurse të shpikësh diçka në Fenë e Allahut, kjo nuk gjendet, por është humbje dhe është bidati për të cilin Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, atëherë ajo është e refuzuar.”

Allahu azze ue xhel-le ka thënë për këtë:

أَمْ لَهُمْ شُرَكَاءُ شَرَعُوا لَهُم مِّنَ الدِّينِ مَا لَمْ يَأْذَن بِهِ اللَّهُ

“A kanë ata idhuj, të cilët u kanë caktuar një fe që nuk e ka lejuar Allahu?!”[1]

Po të ishte [mevludi] diçka e mirë, atëherë do të na paraprinte në të Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe sahabët e tij të cilëve nuk do t’i shpëtonte kjo gjë. Pasha Allahun, sahabët e kanë njohur Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe e kanë dashur më shumë sesa ne, kurse fatkeqësisht shumica jonë e njohin Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vetëm në mevlud; perveç atyre që dëshiron Allahu.

Kurse sahabët radijAllahu anhum e kanë njohur Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në çdo çast. Ata jepnin vetvetet dhe çdo pasuri për të ndihmuar fenë e Allahut dhe ngritjen e Fjalës së Tij. Ata e kanë treguar dashurinë e tyre për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke e besuar atë, duke e dashur, duke e ndjekur, duke dhënë vetet dhe pasuritë në ndihmë të Fesë së tij.

Kurse tani, të tillët ushqehen përmes fesë, e pastaj thonë se e duan Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ata bëjnë tilla kremtime sepse në to ka ushqyerje me pasuritë e njerëzve me të kotë, aty bëjnë shirk, përralla dhe devijime. A kjo është feja e Allahut?! A mund të lëvdohet nismëtari i tyre?! Duke patur parasysh se nismëtarët e mevludit janë Batinitë, armiqtë e Allahut, armiqtë e Pejgamberit dhe fesë Islame, madje ata janë armiq më të këqinj sesa çifutët dhe të krishterët. Batinitë kanë sjellë këtë bidat të poshtër, të cilit i dalin në mbrojtje njerëz që pretendojnë se janë prej Ehli Sunetit, mirëpo fatkeqësisht ata janë të devijuar dhe bishtat e Batinive.

 

Burimi: Fetaua fil Akideti uel Menhexh, el halakatu eth-thanijeh.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Esh-Shura: 21.