REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Kërkimi i diturisëKëshilla

O ju që ia keni kthyer krahët kërkimit të dijes! Cili është arsyetimi juaj tek Allahu? – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

O ju që ia keni kthyer krahët kërkimit të dijes! Cili është arsyetimi juaj tek Allahu, ndërsa ju gëzoni shëndet dhe mirëqenie?! Çfarë ju pengon prej kërkimit të dijes, ndërsa ju kullotni në furnizimin e Allahut?! A kënaqeni për vetet tuaja që të jeni sikur kafshët?! A mos zgjedhni ëndjet para udhëzimit, ndërsa zemrat i keni të hutuara dhe të humbura?! A mos ndiqni rrugët e injorancës, të cilat janë rrugë të dobëta dhe i lini rrugët e udhëzimit të cilat janë të qarta dhe të dobishme?!

A kënaqesh nëse të thuhet: kush është Zoti yt, cila është feja yte, cili është pejgamberi yt dhe nuk ke një përgjigje?! E nëse të thuhet: si falesh, si e adhuron Allahun ti përgjigjesh gabim?! Si shet dhe si blenë, kurse ti nuk e njeh hallallin prej haramit?!

Pasha Allahun! Me këtë gjendje kënaqet vetëm kafsha. Andaj, bëhuni – ju mëshiroftë Allahu – prej atyre që mësojnë, e nëse nuk e bëni, atëherë prezantoni tubimet e diturisë duke dëgjuar dhe përfituar. Pyetini dijetarët udhëzues dhe të thelluar, e nëse nuk e bëni dhe ia ktheni plotësisht krahët diturisë, atëherë vetëm se jeni shkatërruar dhe keni humbur.

A nuk e dini se, angazhimi me dituri është prej adhurimeve më të mira, prej bindjeve më me vlerë, dhe se sjell kënaqësinë e Zotit të Tokës dhe qiejve. Të ulesh në një tubim diturie, është më e mirë se dynjaja dhe çfarë ka në të. Një dobi që e përfiton dhe që ua mëson të tjerëve, nuk ka gjë që barazvlerësohet me të.

Frikësohuni Allahut o robër të Tij! Angazhohuni me atë për të cilën jeni krijuar; njohjen dhe adhurimin e Allahut.

Luteni Allahun t’ju japë prej suksesit, butësisë dhe ndihmës së Tij.

أَمْ مَنْ هُوَ قَانِتٌ آنَاءَ اللَّيْلِ سَاجِدًا وَقَائِمًا يَحْذَرُ الآخِرَةَ وَيَرْجُو رَحْمَةَ رَبِّهِ قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لاَ يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُولُو الأَلْبَابِ

“A mund të krahasohet (me jobesimtarin) ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm të mençurit i pranojnë këshillat.” Ez-Zumer: 9.

 

Burimi: el Feuakihu esh-shehijetu fq. 157.

Përktheu: Besmir Cacani