REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

KëshillaKohët me vlerë

Vlerat e muajit el Muharrem – Shejh Salih el Feuzan

Vërtet ky muaj ka vlera. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

أَفْضَلُ الصِّيَامِ بَعْدَ رَمَضَانَ شَهْرُ اللَّهِ الْمُحَرَّمُ

“Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut el Muharrem”, andaj pëlqehet që të shtohet agjërimi gjatë tij.

Ky muaj gjithashtu është prej muajve të shenjtë.

Ky është muaji të cilin e kanë zgjedhur sahabët në kohën e Umerit radijAllahu anhu që të jetë muaji i parë i vitit hixhri, andaj ky muaj ka vlera.

Prej vlerave më madhështore të tij është se në të gjendet dita e Ashures, ditë për të cilën, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka lajmëruar se agjërimi i saj i shlyen gjynahet e vitit të kaluar.

Këtë ditë e ka agjëruar Musai alejhis-selam si falenderim ndaj Allahut kur Allahu e mbyti në ujë Faraonin dhe popullin e tij, andaj Musai e agjëroi këtë ditë si falenderim ndaj Allahut dhe gjithashtu e agjëruan këtë ditë edhe çifutët pas Musait.

Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mbërriti në Medine si muhaxhir, i gjeti çifutët që e agjëronin këtë ditë, andaj tha:

ما هذا الصوم الذي تصومونه؟

“Çfarë është ky agjërim që e agjëroni?” Thanë: “Kjo është ditë në të cilën Allahu e lartësoi Musain dhe popullin e tij, ndërsa e poshtëroi Faraonin dhe popullin e tij. Këtë ditë e agjëroi Musai alejhis-selam dhe ne gjithashtu e agjërojmë.” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha:

نَحْنُ أَحَقُّ بِمُوسَى مِنْكُمْ أو أولا بِمُوسَى مِنْكُمْ

“Ne kemi përparësi më shumë se ju ndaj Musait”, kështu që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërohet, e kështu agjërimi i kësaj dite u bë Sunet i fortë.

Mirëpo, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka dashur që ne t’i kundërshtojmë çifutët, andaj urdhëroi që të agjërohet një ditë përpara Ashures, ditë e cila i bie të jetë e nënta. Në një transmetim tjetër thuhet që të agjërohet një ditë pas Ashures, mirëpo agjërimi i ditës së nëntë [d.m.th. një ditë përpara Ashures] është më i fortë.

Pra, kjo ditë agjërohet si pasim i pejgamberëve të Allahut; i Musait alejhis-selam dhe i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në agjërimin e tij.

Në këtë ditë, Allahu i ka lartësuar muslimanët përmes Musait alejhis-selam. Kjo ditë është fitore për muslimanët derisa të bëhet Kiameti, është mirësi prej Allahut azze ue xhel-le, andaj falenderohet Allahu për të, duke agjëruar.

Agjërimi i kësaj dite është Sunet i fortë pejgamberik, andaj muslimani agjëron ditën e nëntë dhe të dhjetë, e cila është dita e Ashures.

Lavdi Allahut, ky Sunet ka vazhduar në këtë ymet, andaj është shumë mirë që të agjërohet, për t’u shpërblyer dhe për ta falenderuar Allahun azze ue xhel-le.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani