Transmeton Muhamed ibën AbdulBaki ibën Muhamed el Bezzaz el Ensarij se ka thënë:
“Kam qenë në afërsi të Mekës – Allahu e mbrojtë – dhe një ditë më zuri një uri e madhe, të cilën nuk kisha me çfarë ta largoja. Atë ditë gjeta një trastë mëndafshi të lidhur me një copë tjetër mëndafshi. E mora, shkova në shtëpi dhe brenda gjeta një varg me perla të paparë në jetën time.
Dola nga shtëpia dhe një burrë në moshë po e kërkonte trastën. Burri kishte me vete një copë, brenda të cilës kishte 500 dinarë dhe thërriste: “Këto janë për atë që na e kthen trastën me vargun e perlave.”
Thashë: Unë jam nevojtar dhe i uritur; po i marr këto florinj, që të kem dobi prej tyre dhe po aa kthej trastën.
I thashë: “Eja tek unë.” E mora me vete për tek shtëpia ime dhe ai filloi të përshkruante trastën, copën e mëndafshit, perlat, numrat sesa ishin dhe perin me të cilin ishin të lidhura. I nxorra perlat, ia dhashë dhe ai më dha 500 dinarët, mirëpo nuk i mora.
I thashë: “Unë kam për detyrë që t’i kthej dhe mos të marr shpërblim prej teje.”
Ai tha: “Duhet t’i marrësh patjetër” dhe këmbënguli, mirëpo nuk pranova ndërsa ai iku.
Pas një kohe, e lashë Mekën dhe mora rrugët e detit. Anija ynë u fundos; njerëzit u mbytën, pasuritë e tyre morën fund, ndërsa unë shpëtova mbi një copë të anijes. Qëndrova një farë here në det duke mos ditur se ku po shkoja. Në fund, mbërrita tek një ishull i banuar dhe zura vend në një xhami.
Banorët më dëgjuan duke lexuar dhe, nuk mbeti njeri në ishull pa ardhur tek unë duke thënë: “Më mëso Kuranin.”
Atje arrita të mbledh shumë pasuri.
Tek ajo xhami pashë disa fletë të mus’hafit. I mora që të lexoj prej tyre dhe njerëzit më thanë: “A di të shkruash?”
Thashë: Po!
Thanë: “Na mëso të shkruajmë” dhe sollën fëmijët e djelmoshat e tyre. Fillova t’i mësoj dhe gjithashtu arrita të fitoj shumë pasuri.
Pas kësaj, banorët më thanë se kishin një vajzë jetime e cila kishte pasuri; dëshironin që unë të martohesha, ndërsa unë refuzova.
Ata thanë: “Duhet!” dhe më detyruan, ndërsa unë e pranova këtë gjë.
Kur e përgatitën vajzën për mua, zgjata shikimin ta shikoj. Çfarë të shoh?!!! Në qafën e saj gjeta vargun e perlave dhe nuk mund ta largoja shikimin nga ai varg.
Banorët më thanë: “O zotëri! Ia theve zemrën kësaj vajze duke shikuar vargun e perlave dhe duke mos e shikuar fare vajzën.” Fillova t’i tregoj atyre çfarë më kishte ndodhur me vargun e perlave.
Njerëzit filluan të bënin tehlijl[1] dhe tekbir[2] derisa gjithë banorët e ishullit dëgjuan.
“Çfarë keni?” – i pyeta.
Thanë: “Ai burrë në moshë ka qenë babai i kësaj vajze dhe thoshte: “Nuk kam gjetur musliman në dynja veç këtij që më ktheu vargun e perlave.” Ai bënte dua duke thënë: “O Zot më bashko me atë djalë në mënyrë që ta martoj me vajzën time”, e tani kjo ndodhi.”
Mbeta me atë vajzë një farë kohe dhe patëm dy fëmijë. Pastaj ajo vdiq dhe vargun e perlave e trashëguam unë me fëmijët e mi. Më vonë vdiqën edhe fëmijët dhe vargu më mbeti mua. Vargun e shita për 100.000 dinarë. Kjo pasuri që po e shikoni tek unë është prej shitjes së vargut.
Burimi: edh-Dhejlu ala tabakatil hanabileh 1/443 shkruar nga Ibën Rexhebi.
Përktheu: Besmir Cacani
______________________
[1] Të thonin La ilahe il-lAllah!
[2] Të thonin Allahu ekber!