Pyetja: cilat janë llojet e Teuhidit me sqarim të secilit prej tyre?
Përgjigjja: Teuhidi është tre llojesh:
Lloji i parë: Teuhidi er-Rububije që do të thotë: veçimi i Allahut të Lartësuar në veprimet e Tij sikur krijimi, furnizimi, dhënia e jetës, marrja e saj, dëmi, dobia dhe të tjera veprime të Allahut subhanehu ue teala. Muslimani beson se Allahu nuk ka ortak në Rrububijen e Tij.
Lloji i dytë: Teuhidi el Uluhije që është: veçimi i Allahut me llojet e ndryshme të adhurimeve që i ka ligjëruar, sikur namazi, agjërimi, haxhi, zekati, duaja, zotimi, kurbani, er-ragbeh (dëshira për të arritur diçka të dashur), shpresa, frika, el khashjeh (frika e ndërtuar mbi dituri) dhe gjitha adhurimet e tjera. Veçimi i Allahut në këto që thamë quhet Teuhid el Uluhije dhe ky është lloji i Teuhidit që u kërkohet krijesave.
Sa i përket llojit të parë, Teuhidit er-Rububije, njerëzit e pohojnë atë. Edhe idhujtarët tek të cilët është dërguar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e pohonin Teuhidin er-Rububije, sikurse thotë i Lartësuari:
وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَهُمْ لَيَقُولُنَّ اللَّهُ
“E po t’i pyesësh ata (idhujtarët) se kush i ka krijuar, ata do të përgjigjen: Allahu!”[1]
قُلْ مَن رَّبُّ السَّمَاوَاتِ السَّبْعِ وَرَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ سَيَقُولُونَ لِلَّهِ
“Thuaj: kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit madhështor? Do të përgjigjen: Allahu!”[2] E të tjera ajete të cilat tregojnë se idhujtarët e pohonin Teuhidin er-Rububije, mirëpo ajo që kërkohet prej tyre është veçimi i Allahut me adhurim. Nëse ata e pohojnë Teuhidin er-Rububije, atëherë e kanë për detyrë ta pohojnë edhe Teuhidin el Uluhije. Pejgamberët kanë bërë thirrje për tek Teuhidi i adhurimit (el Uluhije), sikurse thotë i Lartësuari:
وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولًا أَنِ اعْبُدُواْ اللَّهَ وَاجْتَنِبُواْ الطَّاغُوتَ
“Vërtet kemi dërguar tek çdo popull pejgamber (që t’i thonë): Adhuroni Allahun dhe largohuni çdo gjëje që adhurohet veç Tij.”[3] Çdo pejgamber bënte thirrje për tek Teuhidi el Uluhije. Sa i përket Teuhidit er-Rububije, ai gjendet tek natyrshmëria e njeriut, mirëpo nuk mjafton.
Lloji i tretë: Teuhidi el Esma ues-Sifat që është pohimi i emrave dhe cilësive që Allahu azze ue xhel-le i ka pohuar për Veten e Tij, apo që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ia ka pohuar, dhe mohimi mangësive dhe të metave që Allahu ia ka mohuar Vetes, apo që ia ka mohuar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Përktheu: Besmir Cacani
______________________
[1] Ez-Zuhruf: 87.
[2] El Mu’minun: 86-87.
[3] En-Nahl: 36.