REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhNamazi

Mbyllja e xhamiave në rast dobie, nevoje apo domosdoshmërie – Shejh Muhamed el Uthejmin

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Tema: mbyllja e Qabes dhe falja në çfarë do pjese të saj që dëshiron.”

Na ka lajmëruar Kutejbetu ibnu Sa’id, se el-Lejthi e ka lajmëruar, nga Ibën Shihabi, nga Selimi, e ky nga babai i tij [Ibën Umeri] se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue se-lem hyri në Qabe bashkë me Usama ibën Zejdin, Bilalin, Uthman ibën Talhanë dhe i mbyllën brenda. Kur u hap Qabja, isha i pari që hyra. Takova Bilalin dhe e pyeta: “A u fal Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue se-lem në të?” Tha: “Po, mes dy shtyllave në drejtim të Jemenit.”

 

Shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë:

“Thënia e imam Buhariut: “Tema: mbyllja e Qabes dhe falja në çfarë do pjese të saj që dëshiron.”

Autori, Allahu e mëshiroftë, ka për qëllim të sqarojë se mbyllja e xhamiave, e Qabes apo diçka e ngjashme, nuk ka problem nëse bëhet për nevojë dhe, nuk thuhet se kjo gjë është prej pengimit të përmendjes së emrit të Allahut nëpër xhamia, sepse kjo po bëhet nganjëherë për një dobi, apo nevojë apo për domosdoshmëri, andaj nuk ka problem.”

 

Burimi: Sherhu Sahih el Buhari 5/308

Përktheu: Besmir Cacani