REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Esenca e pastërtisë – Shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin

Pyetja 64: shejh i nderuar, çfarë është tahareti?

Përgjigjja: taharet do të thotë: pastërti dhe dëlirësi. Në fè, ai është dy llojësh: pastërti abstrakte dhe konkrete. Sa i përket atij abstrakt, është pastërtia e zemrave nga shirku dhe bidatet në adhurimin e Allahut, po ashtu pastërtia nga mëria, mllefi, smira, urrejtja dhe të tjera të ngjashme kur kemi marrëdhënie me njerëzit që nuk i meritojnë ato.

Ndërsa pastërtia konkrete është ajo e trupit, e cila është dy llojësh gjithashtu: largimi i cilësisë që të pengon nga falja e namazit dhe të tjera të ngjashme me të që kërkojnë pastërti, po ashtu dhe largimi i ndyrësirës.

Fillimisht po flasim për pastërtinë abstrakte, që është pastërtia e zemrave nga shirku dhe bidatet në lidhje me obligimet ndaj Allahut azze ue xhel-le. Kjo është pastërtia më e madhe, andaj të gjitha adhurimet bazohen mbi të. Asnjë adhurim nuk konsiderohet i saktë nga asnjë person që e ka zemrën e ndotur me shirk. Asnjë bidat me të cilin njeriu kërkon të afrohet tek Allahu azze ue xhel-le nuk konsiderohet i saktë; ajo është prej gjërave që Allahu azze ue xhel-le nuk i ka ligjëruar. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَمَا مَنَعَهُمْ أَن تُقْبَلَ مِنْهُمْ نَفَقَاتُهُمْ إِلَّا أَنَّهُمْ كَفَرُوا بِاللَّهِ وَبِرَسُولِهِ

“Ndihmesat e tyre nuk do të pranohen, ngase ata janë njerëz që nuk besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Et-Teubeh: 54.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush vepron një vepër e cila nuk përputhet me fenë tonë, atëherë ajo është e refuzuar.”[1]

Bazuar mbi këtë, mushriku (idhujtari) që i bën shirk të madh Allahut, adhurimi i tij nuk i pranohet, edhe sikur të falet, të agjërojë, të japë zekat dhe të bëjë haxhin. Kush lut dikë tjetër veç Allahut azze ue xhel-le, apo adhuron dikë tjetër veç Allahut, atëherë adhurimi i tij që ia bën Allahut është i papranuar, edhe nëse bën ndonjë adhurim të përkushtuar vetëm për Allahun e Lartësuar, përderisa në anën tjetër ai i ka bërë shirk të madh Allahut.

Për këtë, Allahu azze ue xhel-le i ka cilësuar idhujtarët se janë të papastër dhe ka thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْمُشْرِكُونَ نَجَسٌ فَلَا يَقْرَبُوا الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ بَعْدَ عَامِهِمْ هَٰذَا

“O ju që keni besuar, vërtet idhujtarët janë të papastër, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë.”[2]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka mohuar që besimtari të jetë i papastër dhe ka thënë: “Vërtet besimtari nuk bëhet i papastër.”[3] Besimtari duhet përkujdeset shumë për këtë gjë, në mënyrë që zemra e tij të pastrohet prej tij.

Ai gjithashtu duhet ta pastrojë zemrën prej mërisë, mllefit, smirës dhe urrejtjes së besimtarëve, sepse të gjitha këto janë cilësi të qortuara dhe nuk janë prej cilësive të besimtarit. Besimtari është vëlla i besimtarit, nuk e urren, nuk e cënon, nuk e ka smirë, përkundrazi, shpreson të mirën për vëllaun e tij siç e shpreson për veten. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka mohuar që të ketë besim ai që nuk e do për vëllaun e tij atë çfarë e do për vete. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk beson ndonjëri prej jush, derisa të dojë për vëllaun e tij atë çfarë e do për vete.”[4]

Ne shikojmë që shumë njerëz janë të mirë, bëjnë adhurime, kanë devotshmëri, asketizëm, shkojnë shumë në xhami ku edhe lexojnë, bëjnë dhikër dhe falen, mirëpo kanë mllef ndaj disa vëllezërve të tyre muslimanë, apo e kanë smirë personin që Allahu i ka dhënë një të mirë. Kjo gjë i mangëson shumë adhurimet që i bëjnë për Allahun subhanehu ue teala, andaj secili prej nesh duhet ta pastrojë zemrën e tij nga këto fëlliqësi që i ka në lidhje me vëllezërit e tij muslimanë.

Sa i përket pastërtisë konkrete, atëherë siç thashë është dy llojesh: largimi i cilësisë që të pengon nga falja e namazit dhe të tjera të ngjashme me të që kërkojnë pastërti, po ashtu dhe largimi i ndyrësirës.

Lidhur me “largimin e cilësisë”, ajo është largimi i hadethit të vogël dhe të madh duke larë ‘katër gjymtyrët’ në rast hadethi të vogël, apo duke larë të gjithë trupin në rast hadethi të madh; ose me ujë, për atë që ka mundësi, ose me dhè për atë që nuk ka mundësi të përdorë ujin. Për këtë, Allahu i Lartësuar ka zbritur thënien e Tij:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ ۚ وَإِن كُنتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا ۚ وَإِن كُنتُم مَّرْضَىٰ أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِّنكُم مِّنَ الْغَائِطِ أَوْ لَامَسْتُمُ النِّسَاءَ فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُوا بِوُجُوهِكُمْ وَأَيْدِيكُم مِّنْهُ ۚ مَا يُرِيدُ اللَّهُ لِيَجْعَلَ عَلَيْكُم مِّنْ حَرَجٍ وَلَٰكِن يُرِيدُ لِيُطَهِّرَكُمْ وَلِيُتِمَّ نِعْمَتَهُ عَلَيْكُمْ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

“O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.”[5]

Lloji i dytë është pastrimi nga ndyrësitë, që është çdo gjë për të cilët feja e ka bërë obligim për njerëzit që të pastrohen prej saj, si nevoja e vogël, nevoja e madhe dhe të tjera që feja i ka cilësuar të ndyta. Për këtë, dijetarët e fik’hut, Allahu i mëshiroftë, kanë thënë: “Pastrimi ose bëhet nga hadethi, ose nga ndyrësitë.”

Argument për këtë lloj – pra për pastrimin nga ndyrësitë – është hadithi i transmetuar në Sunene, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u fal me shokët e tij një ditë, i hoqi këpucët dhe njerëzit gjithashtu i hoqën. Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përfundoi, i pyeti sahabët: “Pse i hoqën këpucët?” Ata thanë: “Pamë që i hoqe këpucët, andaj edhe ne i hoqëm tonat.” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më lajmëroi se këpucët kishin ndyrësi.”[6] Kjo pra sa i përket termit taharet (pastërti).

 

Burimi: Fik’hul ibadat fq. 111-114.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] Transmeton Muslimi, kitabul ekdijeh, babu nakdil ahkam el batileh ue radd muhdethatil umur nr.1718.

[2] Et-Teubeh: 28.

[3] Transmeton Buhariu, kitabul gusl, babu arakul xhunub ue ennel mu’mine la jenxhus nr. 283, Muslimi, kitabul hajd, babud-delil ala ennel muslime la jenxhus nr. 371.

[4] Transmeton Buhariu, iman, babun minel imani en juhibbe li ehijhi ma juhibbu linefsihi nr. 13, Muslimi, kitabul iman, babun nefjul iman ammen le juhibbu li ehijhi ue xharihi ma juhibbu linefsihi nr. 45.

[5] El Maideh: 6.

[6] Transmeton Ebu Daudi, kitabus-salah, babus-salati fin-na’l nr. 650, po ashtu Ahmedi në Musned 3/411.