REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Fikh • Zekati

Kapitulli i Zekatit (pjesa e dytë) – Shejh Abdullah el Bessam

Hadithi i temës së Zekatit (nr.166)

Nga Abdullah ibën Abbas, radijAllahu anhu, i cili ka thënë:
“I Dërguari i Allahut ﷺ, kur e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen, i tha: “Ti po shkon te një popull nga Ithtarët e Librit (popull që ju është dërguar libër). Le të jetë gjëja e parë që i thërret, dëshmia se: Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveçAllahut, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Nëse ata të binden për këtë, atëherë njoftoi se: Allahu u ka bërë detyrë pesë namaze në çdo ditë dhe natë. Nëse të binden për këtë, atëherë njoftoi se: Allahu u ka bërë detyrë zekatin, që merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre. Nëse të binden në këtë, atëherë ruhu (ki kujdes), mos të marrësh nga pasuritë më të mira të tyre, dhe frikësohu lutjes së të shtypurit, sepse midis saj dhe Allahut nuk ka pengesë”. E transmeton Buhariu nr. 1395, 1458, 1496 dhe Muslimi nr. 19.

Kuptimi i përgjithshëm:

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e dërgoi Muadh ibën Xhebelin në Jemen si thirrës, mësues dhe gjykatës. Ai i sqaroi metodën e thirrjes, urtësinë dhe drejtësinë.
Së pari, e informoi për gjendjen e atyre te të cilët po shkonte, sepse çdo popull ka natyrën dhe gabimet e veta. Ai e njoftoi se ata janë prej Ehlil Kitab, kanë dije dhe argumente me të cilat debatojnë, prandaj duhet t’i trajtojë sipas gjendjes së tyre dhe t’i thërrasë gradualisht.

Fillimisht t’i thërrasë tek dëshmitë (shehadeti), sepse ato janë themeli mbi të cilin ndërtohet çdo gjë tjetër. Adhurimet nuk janë të vlefshme pa të, derisa t’a pranojnë me zemër dhe me bindje të plotë. Nëse i binden për këtë, atëherë t’i thërrasë në namazet e detyrueshme, të cilat janë shtylla më e rëndësishme e fesë pas shehadetit.

Pastaj, pas namazit, t’u shpjegojë detyrimin e zekatit, i cili është adhurim financiar, dhe ka për qëllim solidaritetin shoqëror mes muslimanëve. Ai merret nga të pasurit dhe u jepet të varfërve.

Pastaj i sqaroi drejtësinë në këtë çështje dhe e paralajmëroi që të mos marrë pasuritë më të mira të njerëzve si zekat, por të marrë nga mesatarja, sepse zekati është i bazuar në drejtësi dhe lehtësim.

Gjithashtu e paralajmëroi nga lutja e të shtypurit, sepse ajo është e pranuar dhe nuk ka pengesë mes saj dhe Allahut të Lartësuar.

Dispozitat që përfitohen nga hadithi:

1- Fjala e tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Ti po shkon te një popull nga Ithtarët e Libri”, është një përgatitje dhe orientim për thirrësin, që të jetë i vëmendshëm në thirrjen e tij. Sepse Ithtarët e Librit kanë dije dhe nuk mund t’u drejtohesh siç mund t’u drejtohesh injorantëve prej idhujtarëve.

2- Përgatitja me argumente dhe dije, për t’u përballur me kundërshtarët e fesë, dhe për t’u përgjigjur dyshimeve të tyre të kota.

3- Mësimi i mënyrës së duhur të thirrjes për te Allahu, në mënyrë që thirrja të bëhet me urtësi.

4-Thirrja te Allahu duhet të bëhet sipas gjendjes së njerëzve, fillohet nga më të rëndësishmet.

5- Çështja më e rëndësishme është Teuhidi (veçimi i Allahut në adhurim), sepse është baza pa të cilën nuk vlejnë adhurimet. Prandaj thirrja duhet të fillojë meTeuhidin dhe besimin.

6- Pesë namazet janë në rend të dytë, sepse ato janë shtylla e fesë.

7- Zekati vjen në rend të tretë.

8- Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk përmendi më shumë se tri shtylla në këtë hadith, edhe pse Muadhi u dërgua pas obligimit të agjërimit dhe haxhit. Dijetarët e kanë sqaruar këtë duke thënë se fjala e Allahut:

فَإِن تَابُوا وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ فَخَلُّوا سَبِيلَهُمْ

“Nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë lërini në rrugën e tyre”. Et-Teube/5, është nga një sure që zbriti pas obligimit të agjërimit dhe haxhit. Kështu që, hadithi përputhet me këtë tekst dhe me unanimitetin se shtyllat e Islamit janë pesë.

9- Nuk kalohet nga një shtyllë e fesë te tjetra, derisa të bëhet e qartë pararendësja (po kështu dhe me çështjet e tjera, duke i marë me rradhë).

10- Zekati është formë solidariteti, sepse merret nga të pasurit dhe u jepet të varfërve.

 

11- Nuk lejohet që mbledhësi i zekatit të marrë nga pasuria më e mirë, por merr nga e mesmja, përveç nëse pronari e jep me dëshirë dhe pa detyrim, atëherë është në rregull dhe ka shpërblim për këtë.

12- Ai që ka autoritet, duhet të ketë frikë nga padrejtësia ndaj njerëzve, sepse kjo bëhet shkak që lutjet kundër tij të pranohen. Allahu është më i Drejti dhe më i Urti i gjykuesve, dhe hadithi është dëshmi për rëndësinë e shmangies së padrejtësisë.

13- Legjitimiteti i delegimit të kompetencave për mbledhjen e zekatit, dhe se përgjegjësia bie mbi sundimtarin ose përfaqësuesin e tij.

14- Mjaftueshmëria me pesë namazet. Kjo shërben si argument se namazi i Vitrit nuk është i detyrueshëm (vaxhib) si pesë kohët, pasi argumenti bazohet vetëm në pesë namazet e obligueshme.

15- Lejimi i dhënies së zekatit vetëm për një kategori. Lejohet që zekati t’i jepet vetëm një kategorie nga tetë kategoritë e para përmendura (të cilat meritojnë zekatin).

16- Shprehja: “Të varfërve të tyre“. Nga këtu argumentohen se transferimi i zekatit nga një vend në një vend tjetër, është i ndaluar. Megjithatë, mendimi i saktë është se transferimi i tij lejohet nëse ka një interes (dobi), si për shembull: nëse në një vend tjetër ka të varfër që janë më në nevojë, ose nëse zekati shkon për ndihmë në xhihad (luftë në rrugën e Allahut, me të gjitha kushtet e tij), ose për kërkimin e dijes (arsimim).

Gjithashtu, zekati mund të transferohet, nëse personi ka të afërm (familjarë) në një vend tjetër. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dërgonte punonjësit e tij për të mbledhur zekatin dhe e sillnin atë në Medine për t’a shpërndarë aty. Ky është një nga transmetimet nga imam Ahmedi, dhe është mendimi më i njohur i (medh’hebit), si dhe konsiderohet si mendimi i parë.

17- Mendimi për ndalimin e transferimit të zekatit në vende të tjera është i dobët.
Ajo që e bën të dobët si mendim se zekati nuk duhet transferuar, është fakti se individët e specifikuar në rregullat e përgjithshme të Sheriatit nuk konsiderohen si kufizim absolut. Thirrja, ose drejtimi i fjalës ndaj tyre, ka ndodhur sepse ata ishin të pranishmit e parë në atë kohë, dhe ky gjykim nuk është vetëm për këta por për çdo kohë.

Burimi: Tejsirul Al-lam sherhu umedetil ahkam kapitulli i Zekatit.
Përktheu: Idris Manushi