REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Të ndryshme

A lejohet varja e ajeteve kuranore dhe dhikreve në mure si zbukurim? – Shejh Salih el Feuzan

Pyetja: A lejohet varja e ajeteve kuranore dhe dhikreve në mure si zbukurim? Nëse kjo nuk lejohet, çfarë duhet të bëjmë me ato që i kemi të varura nëpër mure?

Përgjigjja:

Çështja e varjes së shkrimeve fetare në mure është përhapur shumë dhe njerëzit kanë filluar të mburren me to. Ata thonë se synimi i tyre është përkujtimi dhe se njeriu, kur i sheh, kujtohet për Allahun dhe fenë. Disa dijetarë madje kanë dhënë fetva për lejimin e kësaj, duke u mbështetur në këtë qëllim. Mirëpo, Allahu e di më së miri sinqeritetin dhe realitetin e qëllimeve.

Ajo që unë shoh, në mënyrë të përgjithshme, është se nuk lejohet varja e ajeteve kuranore dhe as e haditheve në mure. Kjo për disa arsye:

Së pari, sepse ato mund të ekspozohen ndaj nënçmimit ose mungesës së respektit.

Së dyti, sepse kjo është një praktikë që nuk është transmetuar nga selefët e mirë (brezat e parë të muslimanëve). Ata nuk e varnin Kuranin dhe as hadithet nëpër mure Prandaj, kur ne bëjmë diçka që ata nuk e kanë bërë, kjo konsiderohet gabim dhe largim nga udhëzimi i selefëve të devotshëm.

Po ashtu, respektimi i Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit ﷺ kërkon që ato të ruhen nga banalizimi dhe ekspozimi ndaj zhvlerësimit. Përkujtimi nuk realizohet në këtë mënyrë. Selefët nuk e kanë interpretuar “përkujtimin” si vendosje të ajeteve nëpër mure; përkundrazi, ata e kanë kuptuar atë si lexim të Kuranit, shpjegim të tij para njerëzve, këshillim, udhëzim dhe mësim të fesë.

 

Burimi

Përktheu: Jusuf Kapidani