REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

MenhexhMetoda e thirrjes

Në radhë të parë është Teuhidi – Shejh Ahmed en-Nexhmi

Me emrin e Allahut, Mëshireplotit, Mëshiruesit

Përse Teuhidi është i pari?

Gjithë lavdërimet i takojnë Allahut, lëvdata dhe shpëtimi janë për të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij, e më pas:

Një telefonues më kërkoi të them disa fjalë në temen se përse Teuhidi është i pari? Kjo tregon se telefonuesi e ka njohur Teuhidin si bazë të besimit Islam, themelin, kushtin e pranimit dhe refuzimit të tij. Këtë propozim e ka bërë që ta kuptojë ai që ende se ka kuptuar pozitën e Teuhidit në fenë Islame.

Kjo, sepse Teuhidi i adhurimit është pikërisht ai për të cilin janë urdhëruar gjithë të dërguarit, nga i pari i tyre, Nuhu alejhis-salatu ues-selam, deri tek i fundit, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Allahu i Lartësuar thotë:

ولقد بعثنا في كل أمةٍ رسولا أن اعبدوا الله واجتنبوا الطاغوت

“Sigurisht që Ne tek çdo popull sollëm të dërguar (që t’u thonë atyre): “Adhuroni Allahun dhe largohuni Tagutit (çdo gjejë që adhurohet veç Allahut)”.[1]

Allahu i Lartësuar thotë:

وما أرسلنا من قبلك من رسول إلاَّ نوحي إليه أنَّه لا إله إلاَّ أنا فاعبدون

“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë perveç Meje, pra më adhuroni Mua”.[2]

Çdo pejgamber që dergohej tek populli i tij, thoshte:

يا قوم اعبدوا الله ما لكم من إلهٌ غيره

“O popull! Adhuroni Allahun, ju nuk keni ndonjë të adhuruar tjetër përveç Tij”.[3]

Kur Allahu e dërgoi Muhamedin, Pejgamberin tonë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për tek populli i tij, ai qëndroi dhjetë vjet duke ftuar vetëm në Teuhid. Namazi u ligjërua pas vitit të dhjetë. Në Meke qëndroi edhe tre vjet, pastaj emigroi në Medine, ku në vitin e dytë të emigrimit u ligjeruan zekati dhe agjërimi. Kjo, sepse Teuhidi është baza e fesë, themeli dhe shtylla e saj mbi të cilën ngrihet. Ky është shkaku se kush e prish Teuhidin duke lutur me Allahun të adhuruar të tjerë, e ka prishur të gjithë fenë, ka dalë nga Islami, është bërë murted (renegat) dhe i është shkatërruar puna.

Allahu i Lartësuar thotë:

ولقد أوحي إليك وإلى الذين من قبلك لئن أشركت ليحبطنَّ عملك ولتكوننَّ من الخاسرين

“Vërtet që ty dhe atyre para teje ju është shpallur se: nëse bën shirk, puna jote do të shkatërrohet dhe do të jesh prej të humburve”.[4]

Isai alejhis-selam ka thënë:

يا بني إسرائيل اعبدوا الله ربي وربكم إنَّه من يشرك بالله فقد حرَّم الله عليه الجنة ومأواه النار وما للظالمين من أنصار

“O bijtë e Israilit! Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj. Kush i bën shirk Allahut, atij Allahu ia ka bërë haram Xhenetin, përfundimi i tij është Zjarri dhe për zullumqarët nuk do gjesh ndihmues”.[5]

Ky themel madhështor ka përmbledhur dëshminë La ilahe il-lAllah, Muhamedun Resulullah, që përbëhet nga dy pjesë. “La ilahe il-lAllah” është pjesa e parë që mohon adhurimin e çdo gjëje veç Allahut azze ue xhel-le. Fjala “eshhedu en la ilahe” do të thotë se nuk ka të adhuruar me të drejtë në Gjithësi përveç Allahut. Pjesa e dytë “il-lAllah”[6] është pohimi i adhurimit për Allahun të vetëm e pa ortak, sepse Ai e ka krijuar këtë gjithësi.

Allahu i Lartësuar thotë:

قل أئنكم لتكفرون بالذي خلق الأرض في يومين وتجعلون له أندادا ذلك رب العالمين

“Thuaj: “A jeni ju që mohoni Atë i Cili krijoi Tokën në dy ditë dhe i përshkruani Atij të ngjashëm?! Ai është Zoti i boteve”.[7] Dhe ajetet ne vijim.

Allahu i Lartësuar thotë:

الله الذي جعل لكم الأرض قرارا والسماء بناء وصوركم فأحسن صوركم ورزقكم من الطيبات ذلكم ربكم فتبارك الله رب العالمين – هو الحي لا إله إلاَّ هو فادعوه مخلصين له الدين الحمد لله رب العالمين – قل إني نهيت أن أعبد الذين تدعون من دون الله لما جاءني البينات من ربي وأمرت أن أسلم لرب العالمين

“Allahu është Ai i cili e bëri Tokën vendbanim për ju dhe qiellin kulm, ju formësoi në formën më të mirë, ju dha furnizim prej të mirave, ky pra është Zoti i juaj i Lartë, pra, është Allahu Zoti i botëve. Ai është i Gjalli që nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Tij, pra adhurojeni Atë me adhurim të sinqertë, të gjitha lavdërimet janë për Allahun, Zotin e Gjithësisë. Thuaj: “Unë jam ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni veç Allahut, ndërkohë që më kanë ardhur argumente të qarta prej Zotit tim dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem Zotit të boteve”.[8]

Ajetet që argumentojnë veçimin e Allahut në adhurim janë të shumta. Kush e shpreh këtë dëshmi, dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, ka fituar dhe i ka shpëtuar humbjes.

Allahu i Lartësuar thotë:

والعصر – إنَّ الإنسان لفي خسر – إلاَّ الذين آمنوا وعملوا الصالحات وتواصوا بالحق وتواصوا بالصبر

“Betohem për kohen! Nuk ka asnjë dyshim që njeriu është në humbje të sigurtë. Përveç atyre që besuan, punuan vepra të mira, këshilluan mes veti me të vërtetën dhe këshilluan mes veti për durim”.[9]

Allahu i Lartësuar thotë:

لذين آمنوا ولم يلبسوا إيمانهم بظلم أولئك لهم الأمن وهم مهتدون

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përlyen me padrejtësi, për ta është siguria dhe ata janë të udhëzuarit”.[10]

Kush e thotë atë[11] duke besuar në kuptimin e saj dhe duke punuar me atë çka kërkon ajo, atëherë ai ka arritur lumturinë në të dy botët. Ajo është fjala me të cilën Allahu dërgoi të dërguarit, zbriti me të librat e Tij dhe për shkak të saj janë krijuar Dynjaja dhe Ahireti, Xheneti dhe Zjarri, e sipas saj janë lumturia ose mjerimi. Pohuesit dhe besimtarit të saj, do t’i jepet libri nga e djathta, do t’i rëndohet peshorja e veprave të mira, do të kalojë Siratin, do të hyjë në Xhenet, do të shpëtojë nga Zjarri dhe rreth saj do të merret në pyetje.

Allahu i Lartësuar thotë:

فلنسألنَّ الذين أرسل إليهم ولنسألنَّ المرسلين

“Ne patjetër do t’i marrim në pyetje ata të cilëve u është dërguar (pejgamber), e do t’i marrim në pyetje edhe të derguarit”.[12]

Allahu i Lartësuar thotë:

ويوم يناديهم فيقول ماذا أجبتم المرسلين – فعميت عليهم الأنباء يومئذٍ فهم لايتساءلون – فأمَّا من تاب وآمن وعمل صالحاً فعسى أن يكون من المفلحين

“Përkujto Ditën kur (Allahu) i thërret dhe i thotë: “Çfarë përgjigje i keni dhënë të dërguarve?” Atë Ditë, atyre do t’i humbin faktet dhe ata nuk do të konsultohen ndërmjet tyre. E sa i përket atij që është penduar, ka besuar edhe ka bërë vepra të mira, ai do të jetë prej të shpëtuarve”.[13]

Thotë shejhu ynë Hafidh ibën Ahmed El Hakemi, Allahu e mëshiroftë, në “Mearixhul Kabul”:[14]

“Ajo (fjala La ilahe il-lAllah) është mirësia më e madhe që Allahu i ka dhënë robërve të Tij, të cilët i ka udhëzuar tek ajo, e për këtë shkak e ka përmendur në suren en-Nahl, e cila është surja e mirësive përpara çdo mirësie. Ka thënë:

ينزل الملائكة بالروح من أمره على من يشاء من عباده أن أنذروا أنَّه لا إله إلاَّ أنا فاتقون

“Me urdhërin e Tij melaiket zbresin me shpallje atij që Ai dëshiron nga robërit e vet (duke thënë): “Paralajmëroni se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Meje, pra të më keni frikën”.[15]

Ajo është fjala e dëshmisë dhe çelësi i lumturisë, ajo është baza e fesë, themeli, kryesorja, trungu dhe shtylla e saj. Pjesa tjetër e shtyllave të fesë dhe obligimeve degëzohen e dalin prej saj, e plotësojnë, e specifikojnë duke bërë obligim të kuptuarit e saj dhe të punuarit me çfarë kërkon. Ajo është lidhja e fortë për të cilën Allahu azze ue xhel-le thotë:

فمن يكفر بالطاغوت ويؤمن بالله فقد استمسك بالعروة الوثقى لا انفصام لها والله سميعٌ عليم

“Kush e mohon Tagutin dhe beson Allahun, ai është kapur për lidhjen me të fortë e cila nuk këputet, e Allahu është Dëgjuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi.”[16]

Ajo është besa për të cilën thotë Allahu azze ue xhel-le:

لايملكون الشفاعة إلاَّ من اتخذ عند الرحمن عهدا

“Nuk ka të drejtë ndërmjetësimi askush, përveç atij që i ka dhënë besë i Gjithëmëshirshmi”.[17]

Abdullah ibën Abasi, radijAllahu anhu, thotë në komentimin e bëses: “Ajo është dëshmia La ilahe il-lAllah, po ashtu distancimi nga forca dhe fuqia, përveç nga Allahu. Ajo është “e mira” për të cilën Allahu azze ue xhel-le thotë:

فأمَّا من أعطى واتقى – وصدَّق بالحسنى – فسنيسره لليسرى

“E sa i përket atij që jep dhe ruhet, që vërteton bindshem për të mirën, Ne do ta përgatisim atë për më të lehtën”.[18]

Ajo është fjala e vërtetë, të cilën Allahu e ka përmendur në fjalën e Tij:

إلاَّ من شهد بالحق وهم يعلمون

“Përveç kush dëshmoi të vërtetën, e ata e dinë”.[19]

Ajo është fjala e devotshmërisë, të cilën Allahu azze ue xhel-le e ka përmendur në fjalën e Tij

وألزمهم كلمة التقوى وكانوا أحق بها وأهلها

“Ai zgjodhi për ta fjalën e devotshmërisë, sepse ata ishin më meritorë për të dhe më të zotët e saj”.[20] Përfundoi shkurtimisht ajo çfarë desha të percjell.

Nga këtu na është bërë e ditur pse Teuhidi është i pari në zbatim, i pari në thirrje, baza e fesë, themeli dhe shtylla e saj. Islami pa Teuhid është si një ndërtesë pa kolona. Gjithashtu bëhemi me dije për humbjen e atyre që thërrasin në kundërshtim të tij dhe pretendojnë se thërrasin në kthimin e hilafetit të humbur.

Ne themi se Allahu na ka urdhëruar me Teuhid, për të cilin kanë thirrur gjithë të dërguarit. Allahu do na pyesë çfarë adhuruat? Si iu përgjigjët të dërguarve? Sa humbje dëshpëruese për atë që e kaloi gjithë jetën e tij në thirrje për të kundërtën e saj! Sa humbje për atë që i përgjigjet dhe e pason në këtë humbje!

Lëvdata dhe shpëtimi është për Pejgamberin Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij.

 

Shkroi Ahmed ibën Jahja en-Nexhmij

Përktheu: Jusuf Kapidani

_________________________

[1] En Nahl 36.

[2] El Enbija 25.

[3] El Araf 59.

[4] Ez Zumer 65.

[5] El Maideh 72.

[6] Përveç Allahut. (shp)

[7] El Fusilet 9.

[8] Gafir 64- 66.

[9] El Asr 1-3.

[10] El Enam 82.

[11] D.m.th. fjalën La ilahe il-lAllah. (shp)

[12] El Araf 6.

[13] El Kasas 65-67.

[14] 2\510 botimet Ibnul Xheuzij.

[15] En Nahl 2.

[16] El Bekare 256.

[17] Merjem 87.

[18] El Lejl 5-7.

[19] Ez Zuhruf 86.

[20] El Feth 26.