Pyetja: Allahu ju dhëntë mirësi o shejh i nderuar, ky pyetës thotë: dëgjojmë në disa hytbe të xhumasë në vendin tonë, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është krijuar prej nurit dhe jo prej dheut sikur njerëzit e tjerë, andaj ju pyes rreth saktësisë së kësaj fjale?
Përgjigjja: kjo fjalë është e kotë dhe nuk ka bazë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është prej bijve të Ademit dhe Ademi është krijuar prej dheut, po ashtu edhe bijtë e tij janë krijuar prej ujit të dobët.
وَلَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنسَانَ مِن سُلَالَةٍ مِّن طِينٍ (12) ثُمَّ جَعَلْنَاهُ نُطْفَةً فِي قَرَارٍ مَّكِينٍ (13) ثُمَّ خَلَقْنَا النُّطْفَةَ عَلَقَةً
“Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku.”[1] Deri në fund të ajetit. Kjo është e përgjithshme për të gjithë bijtë e Ademit dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pa dyshim prej bijve të Ademit, andaj ai është i krijuar prej asaj që janë të krijuar bijtë e Ademit.
Ata të cilët janë krijuar prej nurit janë melekët alejhimus-selam. Me të vërtetë, Allahu i ka krijuar xhindët prej zjarrit:
وَخَلَقَ الْجَانَّ مِن مَّارِجٍ مِّن نَّارٍ
“Ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit.”[2] D.m.th. prej zjarrit flakërues. Ndërsa melekët i ka krijuar prej nurit, siç është vërtetuar në hadith. Ademin dhe bijtë e tij i ka krijuar prej asaj që e dini; Ademin prej dheut, ndërsa bijtë e tij prej ujit të dobët. Këtu bëjnë pjesë edhe pejgamberët dhe të tjetër, ku ndër ta edhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Vetëm bidatçitë sufi thonë se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është krijuar prej nurit, e ky është ekstrem ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe nxjerrje e tij nga të qenit njeri për në gradë të melekëve. Ky pretendim është i kotë dhe është besim i prishur.
Po! Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është krijuar prej dy prindërve, prej babait të tij Abdullah ibën Abdulmuttalibit dhe nënës së tij Amine bintu Uehb, ashtu siç krijohen edhe njerëzit e tjerë, prej një mashkulli dhe një femre.
Përktheu: Besmir Cacani
______________________
[1] El Mu’minun: 12-14.
[2] Er-Rahman: 15.