REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideBesime të gabuara

Horoskopi – Shejh Salih Aali Shejkh

Prej gjërave që bëjnë pjesë qartazi në astrologji në kohën tonë – edhe pse njerëzit janë të shkujdesur ndaj saj – është edhe horoskopi që e shikojmë shumë nëpër revista. Ato veçojnë një faqe apo më pak se një faqe në gazeta dhe vendosin figurat e shenjave zodiakale; shenjën e luanit, akrepit, demit etj.

Pas çdo shenje vendosin se çfarë ka për të ndodhur. Nëse një burrë apo një grua ka lindur në atë shenjë, i thotë: Në këtë muaj ty do të ndodhë kjo dhe ajo.

Ky veprim është prej tenxhijmit (astrologjisë) dhe gjithashtu është te’thijr (besimi se lëvizja e yjeve ndikon në Tokë). Argumentimi me yjet dhe shenjat zodiakale për ndikimin e tyre në Tokë dhe për atë që do të ndodhë, bën pjesë tek fallit.

Prezenca e këtyre gjërave në revista dhe gazeta, do të thotë se në to gjendet falli. Duhet pra që ato të kundërshtohen si kundërshtim i shirkut, si kundërshtim i pretenditmit të fshehtës, i magjisë, i astrologjisë; sepse astrologjija është pjesë e magjisë, sikurse e përmendëm. Kjo duhet kundërshtuar në çdo vend. Po ashtu, ato nuk duhet të hyjnë në shtëpinë e asnjë muslimani, nuk duhet t’i lexojë as t’ia hedhë shikimin, sepse leximi i shenjave të horoskopit – thjeshtë për njohuri – bën pjesë tek ndalesa e vajtjes tek fallxhori, nga aspekti se nuk e ka kundërshtuar.

Nëse njeriu e lexon faqen e horoskopit duke e ditur shenjën në të cilën ka lindur apo duke ditur shenjën që i përshtatet, është sikur ai të ketë pyetur fallxhorin, kështu që nuk i pranohet namazi dyzet ditë, e nëse beson atë që shkruhet në horoskop atëherë ka mohuar çfarë i është shpallur Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Kjo të tregon sa i panjohur është bërë Teuhidi mes pjesëtarëve të tij, të tregon sa pak kuptohet ky libër – libri i Teuhidit – qoftë edhe nga njerëzit me natyrshmëri të pastër dhe pjesëtarët e këtij daveti.

Duhet që këto gjëra të kundërshtohen në çdo vend. Nuk duhet të bëjmë gjynah as ne dhe as pjesëtarët e familjeve tona duke i futur këto revista në shtëpi, sepse kjo do të thotë të fusësh fallin, dhe falli – Allahu na ruajtë – është prej gjynaheve të mëdha. Është detyrë që këto gjëra të kundërshtohen, të grisen dhe të përpiqemi në këtë rrugë derisa ato revista të ndalen, sepse astrologët janë fallxhorë.

Astrologjia ka institute të saja në Liban dhe tjera vende, ku njerëzit mësojnë në to lëvizjet e yjeve dhe çfarë do të ndodhë përmes disa llogaritjve të njohura dhe tabelave të caktuara.

Me anë të këtyre llogaritjeve, ata lajmërojnë se çfarë do t’u ndodhë njerëzve të filan shenje horoskopi. E gjithë kjo bëhet përmes një mësimi me hamendje, me anë të cilit krerët dhe fallxhorët e tyre i mashtrojnë.

Është detyrë për nxënësin e dijes që të përpiqet t’i sqarojë njerëzit rreth këtij realiteti në fjalimet që mbajnë, pas namazeve dhe në hytbet e xhumasë, sepse kjo është një e keqe shumë e  përhapur, ndërsa kundërshtimi dhe paralajmërimi prej saj është i paktë dhe i dobët.

 

Burimi: Sherhu Kitab et-Teuhid, babu ma xhe’e fit-tenxhijm.

Përktheu: Besmir Cacani