REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Gjykimi i agjërimit për gjidhënësen dhe gruan shtatzënë – Shejh Muhamed Nasirudin el Albani

Thotë pyetësi: kam lexuar në librin “Agjërimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjatë Ramazanit” i autorit Selim el Hilali, se gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja, nëse frikësohen për fëmijët apo për vetet e tyre, atëherë ushqehen dhe për secilën ditë ushqejnë nga një të varfër dhe nuk e kanë për obligim kompesimin e ditëve; sa është e saktë kjo fjalë? Shpresojmë një sqarim! Allahu jua shpërbleftë me të mira!

Përgjigjja: ajo nuk e ka për obligim t’i kompesojë ditët, mirëpo ushqen për secilën ditë nga një të varfër (bën kefaret); kjo është përgjigjja e saktë.

Sa i përket kushtëzimit të lartpërmendur, kusht i cili është: “Nëse frikësohen për fëmijët apo për vetet e tyre”, ky kusht është mendim (ixhtihad) i disa dijetarëve me të cilin gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja nuk ngarkohen me të.

Kjo, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet Allahu tebareke ue teala e ka hequr (obligimin) e agjërimit për shtatëzënen dhe gjidhënësen.”

Ibën Abbasi ka thënë në komentimin e Fjalës së Allahut të Lartësuar:

فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ

“Cili prej jush është i sëmurë, apo është në udhëtim, atëherë (mund të ushqehet dhe) i kompeson ato ditë me të tjera. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si kompesim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.”[1]

Ibën Abbasi radijAllahu anhume ka thënë se: “Gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja duhet të ushqejnë (për çdo ditë nga një të varfër).” D.m.th. kushti i lartpërmendur nuk gjendet, pra kushti: “Nëse frikësohen për fëmijët apo për vetet e tyre.”

Përmbledhja e përgjigjes: gruas shtazënë dhe gjidhënëses u lejohet të ushqehen dhe të ushqejnë nga një të varfër për secilën ditë dhe nuk e kanë për obligim të kompesojnë ditët me agjërim, përveç këtij kompesimi.

 

Burimi: Fetaua Xhiddeh kaseta 25 min 13.45.

Përktheu: Besmir Cacani

______________________

[1] El Bekareh: 184.