REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Disa fjalë me rastin e hyrjes së muajit Ramazan – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: cila është fjala juaj që ia drejtoni umetit Islam me rastin e muajit të Ramazanit?

Përgjigja: me emrin e Allahut. Lavdi Allahut, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që udhëzohen me udhëzimin e tij. Pas kësaj:

Unë i këshilloj vëllezërit e mi muslimanë në çdo vend me rastin e hyrjes së muajit të begatë të Ramazanit për vitin 1413 h, që t’i frikësohen Allahut azze ue xhel-le, të garojnë në vepra të mira, të këshillohen në mënyrë të ndërsjelltë për të vërtetën, të këshillohen në mënyrë të ndërsjelltë për durim në të vërtetën, të bashkëpunojnë në vepra të mira dhe devotshmëri, të ruhen kudo që të jenë nga çdo gjë që e ka ndaluar Allahu prej gjynaheve, veçanërisht në këtë muaj të begatë; sepse ky është një muaj në të cilin veprat e mira shtohen, kurse i falen gjynahet atij që e agjëron me besim dhe shpresë për t’u shpërblyer nga Allahu.

Kjo, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

من صام رمضان إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدم من ذنبه

“Kush e agjëron Ramazanin me besim (tek Allahu) dhe duke shpresuar shpërblimin (e Allahut), atëherë atij i falen gjynahet e mëparshme.”[1]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë:

إذا دخل رمضان فتحت أبواب الجنة وغلقت أبواب جهنم، وسلسلت الشياطين

“Nëse hyn muaji Ramazan, dyert e Xhenetit hapen, dyert e Xhehenemit mbyllen, ndërsa shejtanët lidhen.”[2]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë:

الصيام جنة فإذا كان يوم صوم أحدكم فلا يرفث ولا يجهل فإن سابه أحد أو قاتله فليقل إني صائم

“Agjërimi është mburojë, kështu që nëse ndonjëri prej jush është agjërueshëm, mos të kryej marrëdhënie me gruan, mos të flasë keq apo të sillet si injorantat, e nëse ofendohet apo goditet nga dikush, atëherë le të thotë: unë jam agjërueshëm.”[3]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu ka thënë:

يقول الله: كل عمل ابن آدم له، الحسنة بعشر أمثالها، إلا الصيام فإنه لي وأنا أجزي به، ترك شهوته وطعامه وشرابه من أجلي، للصائم فرحتان، فرحة عند فطره، وفرحة عند لقاء ربه، ولخلوف فم الصائم عند الله أطيب من ريح المسك

“Allahu azze ue xhel-le thotë: “Çdo vepër i përket njeriut, ku çdo e mirë dhjetëfishohet, përveç agjërimit, ai më përket Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjëruesi e braktis epshin, ushqimin dhe pijen e tij për Mua”. Agjëruesi ka dy gëzime; një kur bën iftar dhe një kur e takon Zotin e tij. Vërtet era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu sesa aroma e parfumit.”[4]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i përgëzonte shokët e tij me rastin e hyrjes së Ramazanit dhe u thoshte:

أتاكم شهر رمضان شهر بركة، ينزل الله فيه بالرحمة، ويحط الخطايا، ويستجيب الدعاء، ويباهي الله بكم ملائكته، فأروا الله من أنفسكم خيراً فإن الشقي من حرم فيه رحمة الله

“Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, muaj i begatë. Allahu zbret në këtë muaj mëshirë, i fal gjynahet, i përgjigjet lutjeve dhe i krenohet melaikeve me ju, andaj tregojini Allahut të mirën nga ju, sepse i trishtuar është ai që privohet në Ramazan nga mëshira e Allahut.”[5]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë:

من لم يدع قول الزور والعمل به والجهل فليس لله حاجة في أن يدع طعامه وشرابه

Kush nuk e braktis gënjeshtrën, veprimin me të dhe injorancën, atëherë Allahu nuk ka nëvojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.”[6] Hadithet lidhur me vlerën e Ramazanit dhe që nxisin për shtimin e veprave gjatë këtij muaji janë të shumta.

Vëllezërit e mi muslimanë i porosis për istikameh (të jenë të drejtë dhe të vendosur në Fe) gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit, po ashtu të garojnë në të gjitha punët e mira, ku prej tyre (përmendim): leximin e Kuranit me meditim, shtimin e tesbihit, tahmidit, tehlilit, tekbirit[7], kërkimit të faljes, kërkimit të Xhenetit nga Allahu, kërkimit mbrojtje Allahut nga Zjarri dhe të tjera lutje të bukura.

Gjithashtu i porosis që të shtojnë dhënien e lëmoshës (sadakasë), të solidarizohen me fukarenjtë dhe nevojtarët, të përpiqen të japin zekatin dhe dorëzimi i tij tek ata që kanë të drejtë ta marrin. Po ashtu të përpiqen të thërrasin për tek Allahu duke mësuar të paditurin, duke urdhëruar për mirë dhe ndaluar nga e keqja me butësi, urtësi dhe formë të bukur, duke u ruajtur nga gjitha të ligat, duke vazhduar me pendim, duke qenë të vendosur në të vërtetë e duke vepruar sipas thënies së Allahut të Lartësuar:

وَتُوبُوا إِلَى اللَّهِ جَمِيعاً أَيُّهَا الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ

Të gjithë ju o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”[8]

Dhe sipas thënies së Tij azze ue xhel-le:

إِنَّ الَّذِينَ قَالُوا رَبُّنَا اللَّهُ ثُمَّ اسْتَقَامُوا فَلا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلا هُمْ يَحْزَنُونَ*  أُولَئِكَ أَصْحَابُ الْجَنَّةِ خَالِدِينَ فِيهَا جَزَاءً بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ

“Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melaiket (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.”[9]

Allahu i dhëntë sukses të gjithëve drejt asaj që e kënaq, i mbroftë të gjithë nga trazirat devijuese dhe nga pëshpëritjet e shejtanëve, vërtetë Ai është Dhurues dhe Bujar.

 

Burimi: Mexhmu’ fetaua ue makalat esh-shejh Ibni Baz 15/48.

Përktheu: Besmir Cacani

______________________

[1] Transmeton Buhariu, salatu et-tarauih, babu fadli lejletil Kadr nr. 2014 dhe Muslimi, salatul musafirine ue kasruhe, babu et-tergibi fi kijami Ramadan nr. 760.

[2] Transmeton Buhariu, es-saumu, babu hel jukalu Ramadanu eu shehru Ramadan nr. 1899 dhe Muslimi, es-sijam, babu fadli shehri Ramadan me nr. 1079.

[3] Transmeton Buhariu, es-saumu, babu hel jekulu inni saimun idhe shutime nr. 1904.

[4] Transmeton Buhariu, es-saumu, babu hel jekulu inni saim nr. 1904 dhe Muslimi, es-sijam, babu fadli es-sijam me nr. 1151.

[5] E ka përmendur el Mundhiri në librin “et-Tergib uet-terhib”, kapitulli “et-tergibu fi sijami Ramadan” numër 1490 dhe ka thënë: “E ka transmetuar Taberani”.

[6] Transmeton Buhariu, es-saumu, babu men lem jeda’ kaul ez-zur nr. 1903.

[7] Dmth të thuash: subhanAllah, elhamdulil-lah, la ilahe il-lAllah dhe Allahu ekber. (shp)

[8] Surja en-Nur: 31.

[9] Surja el Ahkaf: 13-14.