REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Historia e Nuhut alejhis-selam – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Pas vdekjes së Ademit, njerëzit vazhduan të jenë në një fe dhe në udhëzim për disa shekuj. Më pas, ata patën kundërshtime dhe shejtanët i futën të këqijat e ndryshme, me mënyra të ndryshme. Tek populli i Nuhut, disa njerëz të devotshëm patën vdekur dhe ata u pikëlluan, kështu që shejtani shkoi dhe i urdhëroi që t’i bënin disa statuja, më mënyrë që të largonin mërzinë dhe të përkujtonin gjendjen e tyre.

Ky ishte edhe fillimi i së keqes. Kur vdiqën njerëzit që i bënë statujat me këtë qëllim, pas tyre erdhën njerëz të paditur dhe shejtani i tha: “Këta – Veddi, Suvai, Jeguthi, Jauku dhe Nesri – janë lutur nga të parët tuaj, po ashtu kërkonin ndërmjetësim (shefat) prej tyre, kërkonin prej tyre shiun dhe shërim nga sëmundjet.” Kështu vazhdoi shejtani, derisa nisën t’i adhuronin, megjithëse këshillave të njerëzve këshillues. Më pas, Allahu dërgoi tek ta Nuhun alejhis-selam, të cilin e njihnin dhe njihnin besnikërinë, besueshmërinë dhe moralin e tij të plotë. Ai tha:

يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُ

“O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Tij!”[1]

Po ashtu, ai i nxiti për të mirat e Dynjasë dhe Ahiretit duke i thënë:

قَالَ يَا قَوْمِ إِنِّي لَكُمْ نَذِيرٌ مُّبِينٌ (2) أَنِ اعْبُدُوا اللَّهَ وَاتَّقُوهُ وَأَطِيعُونِ (3) يَغْفِرْ لَكُم مِّن ذُنُوبِكُمْ وَيُؤَخِّرْكُمْ إِلَىٰ أَجَلٍ مُّسَمًّى ۚ إِنَّ أَجَلَ اللَّهِ إِذَا جَاءَ لَا يُؤَخَّرُ ۖ لَوْ كُنتُمْ تَعْلَمُونَ

“O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë: që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua, me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar.”[2]

Kur Nuhu nisi t’i bënte thirrje për përkushtim të adhurimit për Allahun, të tregonte absurditetin e mendimeve të tyre, t’i frikësonte nga dënimet e Dynjasë dhe Ahiretit, ata thanë:

مَا نَرَاكَ إِلَّا بَشَرًا مِّثْلَنَا وَمَا نَرَاكَ اتَّبَعَكَ إِلَّا الَّذِينَ هُمْ أَرَاذِلُنَا بَادِيَ الرَّأْيِ وَمَا نَرَىٰ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍ بَلْ نَظُنُّكُمْ كَاذِبِينَ

“Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje mendojmë se jeni gënjeshtarë.”[3]

Ata kërkuan që Nuhu t’i dëbonte besimtarët që ishin bashkë me të, duke treguar mendjemadhësinë e tyre dhe përbuzje ndaj të vërtetës dhe krijesave. Nuhu i bëri të qartë së nuk ishte në devijim, mirëpo përmes tij largohet devijimi ndaj krijesat, se ai është i dërguar besnik me fakte dhe argumente të qarta nga Zoti i tij, se nuk lejohet dëbimi i besimtarëve, mirëpo besimtarët duhen nderuar dhe respektuar, po ashtu ai nuk po pretendon se është duke konkuruar Zotin në ndonjë gjë. Ai ka thënë:

وَلَا أَقُولُ لَكُمْ عِندِي خَزَائِنُ اللَّهِ وَلَا أَعْلَمُ الْغَيْبَ وَلَا أَقُولُ إِنِّي مَلَكٌ وَلَا أَقُولُ لِلَّذِينَ تَزْدَرِي أَعْيُنُكُمْ لَن يُؤْتِيَهُمُ اللَّهُ خَيْرًا

“Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të fshehtën. As nuk them se unë jam melek e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire.”[4]

Ai vazhdoi t’i thërriste ditën dhe natën, në mënyrë të hapur dhe të fshehur, mirëpo thirrja e tij vetëm se shtoi tek populli i Nuhut largimin, shmangien dhe porositjen e ndërsjellë që të vazhdonin në atë rrugë që ishin; në adhurimin e të tjerëve veç Allahut dhe kapjen për këtë gjë. Nuhu tha:

قَالَ نُوحٌ رَّبِّ إِنَّهُمْ عَصَوْنِي وَاتَّبَعُوا مَن لَّمْ يَزِدْهُ مَالُهُ وَوَلَدُهُ إِلَّا خَسَارًا (21) وَمَكَرُوا مَكْرًا كُبَّارًا (22) وَقَالُوا لَا تَذَرُنَّ آلِهَتَكُمْ وَلَا تَذَرُنَّ وَدًّا وَلَا سُوَاعًا وَلَا يَغُوثَ وَيَعُوقَ وَنَسْرًا

“O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe u dhanë pas atyre njerëzve, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë sjellë gjë tjetër, veç shkatërrimit. Ata kurdisën një kurth të madh dhe thanë: Mos i lini kurrsesi të adhuruarit tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin!”[5]

Kur e shikoi që ky përkujtim nuk bën aspak dobi për ta dhe, se sa herë vjen një brez bëhet më i keq se pararendësi, tha:

وَقَالَ نُوحٌ رَّبِّ لَا تَذَرْ عَلَى الْأَرْضِ مِنَ الْكَافِرِينَ دَيَّارًا (26) إِنَّكَ إِن تَذَرْهُمْ يُضِلُّوا عِبَادَكَ وَلَا يَلِدُوا إِلَّا فَاجِرًا كَفَّارًا

“O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!”[6]

Allahu ia pranoi lutjen, kështu që e urdhëroi të ndërtonte anijen nën kujdesin, mbikqyrjen dhe mësimin e Tij, me anë të këtij zanati që Allahu i ka begatuar njerëzit. Nuhut i takon vlera dhe nisma e këtij zanati, me të cilin ka patur dobi të panumërta në të gjitha kohët, si në çështjet e fesë, ashtu dhe në ato të dynjasë. Allahu e lajmëroj se ata do të mbyteshin patjetër, e të mos i flasë Zotit të tij lidhur me ta, sepse janë të padrejtë. Ai nisi të ndërtonte anijen, sa herë që dikush nga populli i tij kalonte pranë tij, ia niste të tallej me të. Nuhu i përgjigjej duke i thënë se nëse talleni sot me ne, atëherë ne do të tallemi me ju kur të vijë dënimi juaj. Allahu i shpalli Nuhut se kur të vijë koha dhe toka të shpërthejë me burime uji nga çdo anë, edhe vendet që zakonisht kanë zjarr, atëherë e urdhëroi që të merrte një çift nga çdo kafshë; mashkull dhe femër, në mënyrë që riprodhimi i tyre të vazhdojë, sepse ishte e pamundur bartja e të gjithë kafshëve dhe sepse ishte urtësi e Allahut, që ato krijesa të cilat i kishte krijuar, t’i linte në përdorim për dobi të njerëzimit. Allahu gjithashtu e urdhëroi Nuhun që të hipte në anije të gjithë burrat dhe gratë që kishin besuar, e mesa duket besimtarët kanë qenë të paktë. Allahu gjithashtu e urdhëroi që të hipte në anije familjen e tij, përveç atyre që kishte vendosur të dënonte. Kur Nuhu i hipi të gjithë ata që Allahu e kishte urdhëruar, i tha atyre që të përmendnin Allahun sa herë që anija të lëvizte apo të ndalej. Kjo, sepse sado të mëdhaja që jenë sebepet, ato janë prej butësisë së Allahut dhe vetëm Ai mund t’i plotësojë [t’i bëjë të dobishme].

Kështu Allahu e hapi tokën dhe rrodhën burimet e ujit, e urdhëroi qiellin që të lëshonte shi të dendur dhe të shumtë, andaj u bashkuan ujërat e qiellit me ato të tokës. Uji rrodhi në vendet e ulëta, pastaj u ngrit pak nga pak mbi çdo vend të lartë, derisa majat e maleve të larta u mbuluan, ndërsa anija lëvizte bashkë me ta nëpër dallgët e larta sikur malet, të cilat godisnin djathtas-majtas. Në atë gjendje të vështirë, Nuhu shikoi djalin e tij mosbesimtar, i cili ishte në fenë e popullit të tij dhe u largua nda babai i tij edhe në këtë gjendje. Nuhu e shikoi se djali i tij ishte larguar prej ujërave të furishme sikur pjesa tjetër e popullit, andaj e thërriti me dhembshuri dhe i tha:

يا بُنَيَّ ارْكَب مَّعَنَا وَلَا تَكُن مَّعَ الْكَافِرِينَ

“O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit (mosbesimtarët)!”[7]

Mirëpo vetëmashtrimi vazhdoi edhe në atë gjendje në të cilën largohet errësira, përveçse nga zemrat e errësuara dhe tha:

سَآوِي إِلَىٰ جَبَلٍ يَعْصِمُنِي مِنَ الْمَاءِ

“Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji.”[8]

Nuk i shkoi në mendje se ujërat do të ngrihen mbi majat e maleve, andaj Nuhu i tha:

لَا عَاصِمَ الْيَوْمَ مِنْ أَمْرِ اللَّهِ إِلَّا مَن رَّحِمَ

“Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!”[9]

Nuk të mbron mali, as fortesa dhe asgjë tjetër, përveç atij që e mëshiron Allahu. Mëshira e Allahut në atë rast ishte detyrimisht në hipjen e anijes bashkë me Nuhun:

وَحَالَ بَيْنَهُمَا الْمَوْجُ

“Një valë në mes tyre i ndau.”[10] Kështu që ai djalë ishte prej të fundosurve.

Allahu i fundosi të gjithë mosbesimtarët dhe shpëtoi Nuhun bashkë me gjithë besimtarët. Ky ishte argument se ajo me të cilën erdhi Nuhu – si Teuhidi, shpallja, ringjallja dhe feja – ishin të vërteta dhe se ata që e kundërshtuan ishin në të kotë. Kjo ishte argument për shpërblimin e besimtarët në këtë dynja me shpëtim dhe nderim, po ashtu argument për shkatërrimin dhe poshtërimin e mosbesimtarëve.

Kur u bë ky qëllim i madh, Allahu urdhëroi qiellin që të ndalte shiun, ndërsa toka të përpinte ujin dhe iku pak nga pak. Pasi iku uji, anija u ndal mbi malin Xhudij, një mal i lartë dhe i njohur në rrethinat e Mosulit.

Ky është argument se uji dhe stuhia i mbuluan të gjitha malet. Nuhu u mërzit për djalin e tij, andaj e thirri Zotin e tij, me dhembshuri dhe përulje tha:

إِنَّ ابْنِي مِنْ أَهْلِي وَإِنَّ وَعْدَكَ الْحَقُّ

“O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë!”[11] Pra, ma bashkangjit mua familjen time dhe Ti je më i Mëshirshmi ndër mëshiruesit. Zoti i tij i tha:

نُوحُ إِنَّهُ لَيْسَ مِنْ أَهْلِكَ

“Vërtet ai nuk është nga familja jote.”[12] D.m.th. nuk është prej atyre që u është premtuar shpëtimi, sepse Allahu e ka kushtëzuar këtë gjë me thënien e Tij:

إِلَّا مَن سَبَقَ عَلَيْهِ الْقَوْلُ

“Përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit.”[13]

إِنَّهُ عَمَلٌ غَيْرُ صَالِحٍ

“Vërtet kjo është punë e keqe.”[14] D.m.th. kjo lutje për shpëtim për djalin tënd, i cili është në fenë e popullit të tij.

فَلَا تَسْأَلْنِ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ ۖ إِنِّي أَعِظُكَ أَن تَكُونَ مِنَ الْجَاهِلِينَ

“Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit.”[15]

Ky është qortim nga Allahu për Nuhun, është mësim dhe këshillë lidhur me tillë lutje, për të cilën e shtyu dhembshuria prindërore që ta bënte. Në lutje është për detyrë që shtysa të jetë dituria dhe përkushtimi për të arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, andaj Nuhu tha:

قَالَ رَبِّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ أَنْ أَسْأَلَكَ مَا لَيْسَ لِي بِهِ عِلْمٌ ۖ وَإِلَّا تَغْفِرْ لِي وَتَرْحَمْنِي أَكُن مِّنَ الْخَاسِرِينَ (47) قِيلَ يَا نُوحُ اهْبِطْ بِسَلَامٍ مِّنَّا وَبَرَكَاتٍ عَلَيْكَ وَعَلَىٰ أُمَمٍ مِّمَّن مَّعَكَ ۚ وَأُمَمٌ سَنُمَتِّعُهُمْ ثُمَّ يَمَسُّهُم مِّنَّا عَذَابٌ أَلِيمٌ

(Nuhu) tha: “O Zoti im, mbështetem tek Ti për Të të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit. Atëherë iu tha: “O Nuh, zbrit me përshëndetje prej Nesh dhe me bekime për ty dhe pasardhësit e atyre që gjenden me ty. Disa popujve (pas teje), Ne do t’u japim kënaqësi e pastaj do t’i godasë nga Ne dënimi i dhembshëm!”[16]

Nuhu zbriti dhe Allahu i bekoi pasardhësit e tij dhe i la në jetë të vetëm. Nga fëmijët e tij, Jafithi e mbushi lindjen me pasardhës, Hami e mbushi perëndimin, ndërsa Sami mbushi vendet mes tyre. Nuhu qëndroi nëntëqind e pesëdhjetë vite mes popullit të tij, e pas dënimit të tyre jetoi aq sa dëshiroi Allahu. Ai është prej Ulul azm dhe është një prej pesë pejgamberëve që shefati do të sillet mes tyre në Ditën e Gjykimit. Nuhu është pejgamberi i parë i dërguar tek njerëzit dhe është babai i dytë i njerëzimit, sal-lAllahu alejhi ue sel-leme teslimen.

 

Dobitë e përfituara nga kjo histori

  • Prej dobive, është se të gjithë pejgamberët, nga Nuhu deri tek Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kanë qenë të pajtuar në thirrjen për në Teuhidin e pastër dhe ndalimin nga shirku. Nuhu dhe pejgamberët e tjerë i thonin popujve të tyre:

يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُ

“Adhuroni Allahun, ju nuk keni tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Tij!”[17] Këtë parim e përsërisnin me forma të shumta.

  • Prej dobive është edukata thirrjes dhe plotësimi i saj. Nuhu i bëri thirrje popullit të tij natën dhe ditën, në në mënyrë të hapur dhe të fshehur.. në çdo kohë, në çdo gjendje që mendonte se thirrja mund të kishte rezultat. Ai nxiste interesin e tyre duke i treguar për shpërblimin e shpejtë dhe atë të mëvonshëm, për shpëtimin nga dënimi, për pasuritë dhe fëmijët që do t’i gëzonin, për furnizimin që do t’i mbulonte nëse ata do të besonin. Po ashtu, ai i paralajmëroi nga e kundërta e tyre dhe bëri durim të madh për këtë gjë, siç bënë edhe pejgamberët e tjerë. Ai gjithashtu i foli popullit të tij me fjalë të buta dhe të mëshirshme, me çdo fjalë që e afron zemrën dhe arrin qëllimin, duke i sjellë njëkohësisht prova dhe sqaruar argumentet.
  • Prej dobive është se dyshimet me të cilat armiqtë e pejgamberëve akuzonin pejgamberinë (mesazhin) e tyre, janë argumente për kotësinë e fjalëve të përgënjeshtruesve. Fjalët që ata kanë thënë dhe që nuk kanë patur të tjera veç tyre, për çdo njeri të mençur, nuk janë të bazuara mbi dituri dhe realitet. Populli i Nuhut ka thënë:

مَا نَرَاكَ إِلَّا بَشَرًا مِّثْلَنَا وَمَا نَرَاكَ اتَّبَعَكَ إِلَّا الَّذِينَ هُمْ أَرَاذِلُنَا بَادِيَ الرَّأْيِ وَمَا نَرَىٰ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍ بَلْ نَظُنُّكُمْ كَاذِبِينَ

“Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ju keni diçka më të mirë se ne, madje mendojmë se jeni gënjeshtarë.”[18] Mendo rreth këtyre fjalëve dhe do t’i shikosh se janë deformime që tregojnë se janë në të kotë dhe mendjemëdhenj ndaj të vërtetës.

Thënia e tyre: مَا نَرَاكَ إِلَّا بَشَرًا مِّثْلَنَا  “Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne”, a tregon ky dyshim se Nuhu nuk është në të vërtetë vetëm sepse ajo ka ardhur përmes një njeriu?! Kjo fjalë nënkupton se çdo fjalë e thënë nga njerëzit është e kotë; nga çfarë do burimi të vijë. Kjo fjalë e tyre hedh poshtë të gjitha dituritë e njeriut që i ka përfituar nga njeriu. Pa dyshim që kjo fjalë i hedh poshtë të gjitha dituritë. A ka dituri në mesin e njerëzve që mos ta kenë përfituar nga njeri-tjetri. Dituritë janë të ndryshme, ku më madhështorja, më e vërteta dhe e dobishmja është ajo  që njerëzit e kanë mësuar nga pejgamberët, e të cilët e kanë diturinë prej shpalljes nga Allahu.

Edhe thënia e tyre:

وَمَا نَرَىٰ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍ

“Ne nuk shohim se ju keni diçka më të mirë se ne”, pra d.m.th. ne dhe ju jemi njerëz, ndërsa të gjithë pejgamberët i janë përgjigjur kësaj gjëje duke thënë:

إِن نَّحْنُ إِلَّا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ وَلَٰكِنَّ اللَّهَ يَمُنُّ عَلَىٰ مَن يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ

“Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu ia dhuron shpalljen (dhe pejgamberinë) e Tij kujt të dojë prej robërve të Vet.”[19]

Allahu ia ka dhënë këtë mirësi pejgamberëve dhe i ka dalluar me shpallje. Megjithatë, kundërshtimi i mosbesimtarëve ndaj pejgamberëve në këtë pikë, është injoranca më e madhe dhe akuza më e madhe ndaj mirësisë së Allahut, pasi nga mëshira dhe urtësia e Allahut, pejgamberët rrjedhimisht do të ishin prej njerëzve, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të mësonin prej tyre, që ta kishin të lehtë këtë mirësi. Përgënjeshtruesit e mohuan origjinën e kësaj mirësie dhe po ashtu mohuan rrugën e drejtë dhe të dobishme që i pat ardhur.

Gjithashtu thënia e tyre:

مَا نَرَاكَ اتَّبَعَكَ إِلَّا الَّذِينَ هُمْ أَرَاذِلُنَا

“Shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne.”[20] Është e ditur nga çdokush se e vërteta njihet ngase është e vërtetë dhe jo nga pasuesit e tij. Gjithashtu këtë fjalë e kanë thënë nga mendjemadhësia dhe devijimi. Mendjemadhësia është pengesa më e madhe për njeriun që ta njohë të vërtetën dhe ta pasojë atë.

Po ashtu thënia e tyre:

أَرَاذِلُنَا

“Më të pavlerët nga ne.”[21] Nëse kanë për qëllim varfërinë, atëherë varfëria nuk është e metë, e nëse kanë për qëllim se janë më të pavlerët në moral, atëherë kjo është gënjeshtër dhe dihet qartë. Mirëpo, të pavlerët janë ata që e thanë këtë fjalë. A janë besimi në Allahun, në pejgamberët e Tij, bindja ndaj Allahut, ndaj pejgamberëve të Tij, nënshtrimi ndaj të vërtetës dhe dëlirësia nga çdo cilësi e qortuar, a është ky përshkrim i pavlerë dhe tillë njerëz a janë të pavlerë? Apo e pavlerë është e kundërta e saj.. si lënia e obligimit më të madh, Teuhidit të Allahut, falenderimit të Tij, lëvdimin e Tij dhe mbushja e zemrës me mendjemadhësi para të vërtetës dhe njerëzve? Pasha Allahun kjo është më e pavlera, mirëpo ata shpifin dhe e vetmja gjë për të cilën i urrejnë këta njerëz të mirë është sepse ata kanë besuar Allahun e Plotfuqishëm dhe të Shumëlëvduarin.

Thënia e tyre:

بَادِيَ الرَّأْيِ

Pa menduar fare.”[22] Çfarë do nisme e marrë nga ata për të besuar ty o Nuh, nuk e kanë bërë me konsultë, nuk janë treguar të matur dhe nuk janë menduar nëse kjo është e vërtetë. Kjo është prej argumenteve të vërtetës, sepse e vërteta ka aq fakte, dritë, madhështi, shkëlqim, besnikëri dhe qetësi, sa që nuk ka nevojë për t’u konsultuar me dikë për ta pasuar, mirëpo gjërat që kanë nevojë për konsultë, janë ato të fshehtat, të cilave nuk u dihet esenca dhe dobia.

Sa i përket besimit i cili është më i qartë se Dielli dhe më i ëmbël se çdo gjë, atëherë vetëm një mendjemadh kryelartë sikur këta të pabindur dhe kriminelë mund të mos e pranojnë.

Thënia e tyre:

وَمَا نَرَىٰ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍ

“Ne nuk shohim se ju keni diçka më të mirë se ne.”[23] A janë këto fjalë të drejta?! Sepse ata po tregojnë për vetet e tyre dhe fjalët e tyre mund të supozohet se dalin nga zemra, po ashtu mund të supozohet se thonë çfarë nuk e besojnë, andaj cila do të jetë prej këtyre dy çështjeve, e vërteta duhet pranuar, edhe nëse e thotë një njeri me vlerë, por edhe nëse e thotë një më pak i vlefshëm. E vërteta është më lart se çdo gjë.

Thënia e tyre:

بَلْ نَظُنُّكُمْ كَاذِبِينَ

“Madje mendojmë se jeni gënjeshtarë.”[24] Dihet se hamendja është gënjeshtra më e madhe. Po të thonin “madje ju njohim se jeni gënjeshtarë”, këtë të fundit mund ta thotë çdo njeri i të kotës, mirëpo me çfarë gjëje jeni argumentuar se ata janë gënjeshtarë? Pra, këto janë argumentet dhe faktet e tyre, të cilat siç e shikon hedhin poshtë vetet e tyre, e si është puna kur ato janë përballur me argumentet dhe faktet e larmishme të pejgamberëve, të cilat nuk i lejnë askujt kurrëfarë dyshimi për kotësinë e tyre?

  • Prej dobive është se: prej vlerave të pejgamberëve dhe argumenteve të pejgamberisë së tyre është përkushtimi i tyre i plotë ndaj Allahut të Lartësuar, qoftë në adhurimin e Allahut, qoftë në bërjen dobi të krijesave, sikur thirrja, mësimi dhe çfarë bën pjesë në to. Kjo është arsyeja pse e bëjnë këtë gjë dhe secili prej tyre i përsërit popullit të tij fjalët:

وَيَا قَوْمِ لَا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ مَالًا ۖ إِنْ أَجْرِيَ إِلَّا عَلَى اللَّهِ

“O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu.”[25]

Për këtë arsye, një nga virtytet më fisnike që kanë pasuesit e pejgamberëve është virtyti i përkushtimit ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar i jep atyre prej mirësisë së Tij, duke i ngritur në këtë botë dhe në tjetrën, më shumë se ajo për të cilën garojnë kërkuesit e dynjasë.

  • Prej dobive është se: akuzimi i qëllimeve të besimtarëve, për mirësitë dhe virtytet që ua ka dhënë Allahu, po ashtu betimi për Allahun se nuk do t’i japë besimtarëve prej mirësive të Tij, kjo gjë është prej trashigimisë së armiqve të pejgamberëve. Për këtë, Nuhu i ka thënë popullit të tij kur u betuan për Allahun dhe nisën të qortonin besimtarët me këtë gjë:

وَلَا أَقُولُ لِلَّذِينَ تَزْدَرِي أَعْيُنُكُمْ لَن يُؤْتِيَهُمُ اللَّهُ خَيْرًا ۖ اللَّهُ أَعْلَمُ بِمَا فِي أَنفُسِهِمْ

“As do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre.”[26]

  • Prej dobive është se: duhet kërkuar ndihmë Allahut dhe të përmendet emri i Tij në hipje, në zbritje, në të gjitha ndryshimet dhe lëvizjet. Po ashtu duhet lavdëruar Allahu dhe duhet shtuar përmendja e Tij në raste mirësish, sidomos në rast shpëtimi nga fatkeqësitë dhe vështirësitë, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

 وَقَالَ ارْكَبُوا فِيهَا بِسْمِ اللَّهِ مَجْرَاهَا وَمُرْسَاهَا

“Ai tha: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet!”[27]

Po ashtu ka thënë:

فَإِذَا اسْتَوَيْتَ أَنتَ وَمَن مَّعَكَ عَلَى الْفُلْكِ فَقُلِ الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي نَجَّانَا مِنَ الْقَوْمِ الظَّالِمِينَ

Kur të hipësh në anije ti dhe ata që janë me ty, thuaj: “Qoftë lavdëruar Allahu, i cili na shpëtoi prej popullit keqbërës.”[28]

Duhet lutur për begati nëse zbret në vende të papritura; sikur në bujtinat e udhëtimit dhe në banesa; sikur shtëpitë. Allahu ka thënë:

وَقُل رَّبِّ أَنزِلْنِي مُنزَلًا مُّبَارَكًا وَأَنتَ خَيْرُ الْمُنزِلِينَ

“Dhe thuaj: “Zoti im, më zbrit në vend të bekuar, se Ti je më i miri për të na zbritur.”[29]

Të gjitha këto përmbajnë shoqërim me përkujtimin e Allahut, fuqi në lëvizje dhe pushim, siguri në bindje të Allahut dhe zbritje të begative të Tij të cilat janë gjërat më të mira që mund ta shoqërojnë njeriun në gjitha gjendjet e tij, pa të cilat njeriu nuk mund të bëjë pa to asgjë.

  • Prej dobive është se: devotshmëria ndaj Allahut dhe kryerja e obligimeve të besimit, janë prej shkaqeve me të cilat arrihet dynjaja, fëmijët e shumtë, furnizimi dhe fuqia trupore; e gjithashtu kanë edhe të tjera shkaqe. Ato janë shkaqet e vetme – dhe s’ka të tjera – për të arritur të mirën e Botës Tjetër dhe mbrojtjen nga dënimi i saj.
  • Prej dobive është se: shpëtimi prej dënimeve të kësaj bote në përgjithësi i takon besimtarëve, të cilët janë pejgamberët dhe pasuesit e tyre. Sa i përket dënimeve të kësaj bote në përgjithësi, atëherë ato janë të veçanta për kriminelët dhe bashkë me ta futen edhe ata që janë pjesëtarë të tyre, sikur fëmijët dhe kafshët edhe pse nuk kanë gjynahe, ngase gjendja në të cilën Allahu i ka goditur mohuesit përfshin edhe fëmijët dhe kafshët. Ajo që përmendet në disa transmetime të çifutëve, se populli i Nuhut apo të tjerë.. kur Allahu dëshiroi t’i dënonte i bëri të shterpë që mos të përfshiheshin edhe fëmijët e tyre, kjo nuk ka bazë dhe bie në kundërshtim me atë çfarë dihet mirë. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَّا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنكُمْ خَاصَّةً

“Ruajuni fatkeqësive (sprovava), të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq!”[30]

 

Burimi: Tejsirul Latif el Mennan fq. 181-190.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] El Earaf: 59.

[2] Nuh: 2-4.

[3] Hud: 27.

[4] Hud: 31.

[5] Nuh: 21-23.

[6] Nuh: 26-27.

[7] Hud: 42.

[8] Hud: 43.

[9] Hud: 43.

[10] Hud: 43.

[11] Hud: 45.

[12] Hud: 46.

[13] Hud: 40.

[14] Hud: 46.

[15] Hud: 46.

[16] Hud: 47-48.

[17] El Earaf: 59.

[18] Hud: 27.

[19] Ibrahim: 11.

[20] Hud: 27.

[21] Hud: 27.

[22] Hud: 27.

[23] Hud: 27.

[24] Hud: 27.

[25] Hud: 29.

[26] Hud: 31.

[27] Hud: 41.

[28] El Mu’minun: 28.

[29] El Mu’minun: 29.

[30] El Enfal: 25.