REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Grupacionet

Argumentet nga Ungjilli se Isai alejhis-selam është rob adhurues dhe nuk ka hise në adhurim (pjesa 2)- Shejh Muhamed Takijuddin el Hilali

Përmbledhje lidhur me argumentet që tregojnë se historia e kryqëzimit është e shpikur

Argumenti i parë: Ungjilli dëshmon se Isai ishte i njohur për njerëzit. Ai ligjëronte në xhaminë Aksa të cilën e quanin “Tempulli i Sollomonit”[1], andaj çifutët nuk kishin nevojë të paguanin dikë me tridhjetë dirhemë për t’i treguar se cili ishte.

Argumenti i dytë: tregojnë se Judë Iskarioti, nxënësi i dymbëdhjetë, ka marrë tridhjetë dirhemë nga çifutët në këmbim që t’i tregonte ku ishte Isai dhe, kur e vranë, ai i ktheu dirhemët, u pendua, u distancua nga vepra e tyre dhe pastaj vrau veten; e gjithë kjo ka ndodhur në më pak se njëzet e katër orë. Kjo gjë po ashtu përmban kundërshtime të qarta.

Argumenti i tretë: i cili është edhe më i madhi, madje vetëm ky është i mjaftueshëm për të treguar kotësinë e këtij tregimi. Kur çifutët dhanë vendimin me vdekje për Isain dhe donin miratimin e perandorit – Pilatit –, e dërguan për tek ai. Në kapitullin 27 sipas Mateut, verseti 11, thuhet se perandori e pyeti Isain “A je ti mbreti i Judenjve? Ai u përgjigj duke thënë: “Ti po thua!” Kur krerët e çifutëve dhe priftërinjtë u ankuan tek perandori se Isai kishte dalë nga feja dhe ka folur fjalë që meritojnë dënim me vdekje, perandori Pilat e pyeti: “A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?” Por ai nuk u përgjigj me asnjë fjalë të vetme.

Të krishterët do ta interpretojnë këtë gjë duke thënë se Isai dëshironte të kryqëzohej me qëllim që të flijohej për njerëzit dhe për faljen e gjynaheve të tyre. Mirëpo, pse Isai i kërkoi Allahut që t’ia largonte dënimin me vdekje?! Pse thërriti në kryq dhe tha: “Pse më tradhëtove Zoti im?” Si mund të heshtë nga sqarimi i të vërtetës – edhe nëse nuk bëhet fjalë për shfajësim të vetes, të pasuesve apo qartësim i të vërtetës – ndërkohë që ai është gojëtari i cili mbante ligjëratat e gjata dhe i mbushte me qortime ndaj dijetarëve çifutë?! Asnjë i mençur nuk mund ta besojë këtë. Nëse bie poshtë historia e kryqëzimit dhe e flijimit, atëherë bien poshtë që në themel të gjitha gjërat mbi të cilat i bazojnë besimet e tyre të krishterët.

 

Fanatizmi i të krishterëve dhe amiqësimi i tyre ndaj muslimanëve

Ajo që lexova në gazetën ‘el Mithak el Garra’, më kujtoi fanatizmin e të krishterëve, padrejtësinë e tyre dhe shikimin e Islamit me një sy të verbër, duke e deformuar realitetin këmbë e kokë. Ajo më kujtoi një ngjarje që më ka ndodhur mua.

Kam qenë mësues në Indi në fakultetin ‘Nedvetul Ulemala’ me ftesë të zotëri Sulejman en-Nedevi dhe dr. Abul elAlij, Allahu i mëshiroftë. E pashë që patjetër duhet të mësoja një gjuhë të huaj, pasi në këtë kohë nuk plotësohet kultura pa një gjë të tillë. Gjuha mbizotësuese në Indi është ajo angleze, kështu që nisa të mësoj anglisht me nxënësit e mi dhe nga të tjerë.

E pashë – ndërkohë që isha akoma në fillim – se anglishtja e banorëve të Indisë nuk përputhej me shqiptimin dhe gojëtarinë e anglezëve, andaj shkova tek një ekspeditë të krishterë që kryesohej nga një kanadez, prej të cilit kërkova të më jepte leksione në gjuhën angleze kundrejt një pagese. Ai më tha: “Unë nuk marr pagesë, mirëpo nëse je i rregullt në prezantimin e predikimeve që i mbaj në ekspeditë, atëherë do të ecësh në gjuhën angleze”. I thashë: “Jam akoma fillestar dhe nuk e kuptoj predikimin”. Ndërsa ai më tha: “Prezanto dhe unë do të jap tre leksione në javë, ku çdo lekson do të zgjasë gjysmë ore”. Kështu prezantoja rregullisht në predikim dhe kanadezi e kishte kaluar moshën pesëdhjetë vjeçare; nuk kishte zell dhe as pasion për propagandë, mirëpo përpiqej për jetesën e tij, andaj vetëm pak iu përgjigjën. Predikimet e tij i prezantonin vetëm tre persona, me gruan e tij bëheshin katër dhe unë u bëra e i pesti. Kur ishte fundviti dhe ajo që e quajnë krishtlindje, përhapi lajmërime në gazeta se do të paraqiste me një lloj projektori historinë e jetës së Isait, birit të Merjemes. Prezantuan shumë njerëz, derisa ekspedita u mbush plot, madje thirri edhe një prift tjetër që ta ndihmonte në predikim. Ata e ndërronin njëri-tjetrin në podin e predikimit dhe në shpjegimin e fotografive, derisa përfundoi kremtimi. Prifti tjetër m’u vërsul. Ai ishte djalosh i ri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe quhet Smith. Kjo ndodhi në vitin 1349 h që përkon me vitin 1930 g.

 

Hedhja poshtë e një prej dyshimeve të krishterëve

Smithi më pyeti: “Musliman je?” I thashë: “Po!” Më pas tha: “Muhamedi nuk e njihte historinë!” I thashë: “E nga e di këtë?!” Më tha: “Ai ka thënë në Kuran, tek surja Merjem 28:

يَا أُخْتَ هَارُونَ مَا كَانَ أَبُوكِ امْرَأَ سَوْءٍ وَمَا كَانَتْ أُمُّكِ بَغِيًّا

O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.”

I thashë: “Me diturinë tënde, nuk arrin kurthet dhe armiqësinë ndaj Islamit siç ka arritur George Sale, i pari që ka përkthyer Kuranin Fisnik në anglisht. Ai pat thënë në fundnotën e përkthimit të këtij ajeti: “Kundërshtimi që bëjnë miqtë tanë të krishterë lidhur me çfarë përmendet në këtë ajet është i kotë, sepse asnjë prej muslimanëve nuk e ka shpjeguar se Haruni i përmendur në këtë ajet është vëllai i Musait, e të thuhet se koha e Musait dhe vëllaut të tij Harun ka shumë shekujt para kohës së Isait dhe nënës së tij”.

Më pas tha: “Seit Ahmet Khan, themeluesi i Universitetit Islam Aligarh, e ka pranuar këtë kundërshti.” Kështu që iu përgjigja: “Unë nuk e pranoj dhe nuk e njoh Seit Ahmet Khanin, ndërkohë që përgjigjen e dëgjove nga një prej paraardhësve tuaj në armiqësimin e Islamit, andaj nuk ke ç’tu thuash.”

Pastaj tha: “Në Kuran ka kundërshtime, sepse thotë në suren el Maideh:

وَلْيَحْكُمْ أَهْلُ الْإِنجِيلِ بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ فِيهِ

Le të gjykojnë ithtarët e Inxhilit ashtu siç ka shpallur Allahu në të.” Ndërsa në suren Aal Imran, ajeti 85, thuhet:

وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ

“Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” Si mund të veprojmë me secilën prej tyre?!”

U mendova pak, pastaj thashë me frymëzim nga Allahu i Lartësuar: “Para se t’i përgjigjemi kundërshtimit tënd, duhet të mendojmë rreth mospajtimit që ishte mes Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të krishterëve; për çfarë ka qenë?” Ai tha: “Thuaje ti!”

I thashë: “Ka qenë rreth Isait, birit të Merjemes, sepse të krishterët e Nexhranit shkuan tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe e akuzuan se kishte ofenduar mikun e tyre. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i pyeti se cili ishte miku i tyre, ndërsa ata iu përgjigjën se ishte Isai, biri i Merjemes. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i pyeti se çfarë e kishte ofenduar? Ata thanë se kishte mohuar të jetë bir i Allahut, mirëpo ke thënë se është njeri sikur njerëzit e tjerë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i debatoi për atë gjë dhe i ngriti argumentin, mirëpo ata u treguan kokëfortë dhe Allahu i Lartësuar zbriti për çështjen e Isait ajete 59-60 të sures Aal Imran:

إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ اللَّهِ كَمَثَلِ آدَمَ ۖ خَلَقَهُ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُ كُن فَيَكُونُ (59) الْحَقُّ مِن رَّبِّكَ فَلَا تَكُن مِّنَ الْمُمْتَرِينَ

“Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë. E vërteta është nga Zoti yt, andaj mos u bëj nga ata që dyshojnë!”

Kur ata vazhduan në kokëfortësi dhe pretenduan se Isai është bir i Allahut dhe pjesë e trinitetit, Allahu e urdhëroi Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për mubahele.[2] Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem doli për mubahele, ata u frikësuan që të bëjnë mubahele me të dhe u pajtuan me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Me rastin e këtij mospajtimi, Allahu i Lartësuar zbriti:

وَلْيَحْكُمْ أَهْلُ الْإِنجِيلِ بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ فِيهِ

Le të gjykojnë ithtarët e Inxhilit ashtu siç ka shpallur Allahu në të.” Historia e ardhjes së delegacionit nga Nexhrani për tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe falja e tyre – sipas riteve të krishtere – në xhaminë e tij me lejen e tij alejhis-salatu ues-selam është e përmendur në librat e hadithit dhe historisë.[3]

Smithi tha: “Mirëpo ungjillet tregojnë se Isai është bir i Allahut dhe pjesë e trinitetit.”

I thashë: “Unë nuk e kam lexuar Ungjillin, mirëpo kam besim të prerë se Ungjilli është i vërtetë, se është prej Allahut[4] dhe ajo që është prej Allahut nuk ka kundërshtime, andaj patjetër do të jetë në pajtim me Kuranin në lidhje me Teuhidin e Allahut dhe se Isai biri i Merjemes është rob i Tij.”

Ai më tha: “Kjo është çështja e juaj.. fanatizmi ju pengon nga leximi i Torës dhe Ungjillit, ndërsa unë e kam Kuranin në tre gjuhë.” I thashë: “Sa i përket Ungjillit në gjuhën arabe, ai ka një gjuhë të dobët të pakuptueshme, e sa i përket anglishtes, unë po e mësoj që ta lexoj Ungjillin.”

Ai tha: “Ma premto se do ta lexosh, ndërsa unë do të kërkoj një kopje për ty që do të vijë pas një muaji.”

I premtova dhe kur më erdhi kopja, ai më kishte shkruar një letër në anglisht, ku shkruhej: “Lus Allahun që të japë shumë begati në këtë libër.” Nisa ta lexoj dhe fjalët që nuk i kuptova i nxorra nga fjalorët. Pastaj e lexova për së treti dhe i kam përmendur çështje në një shkrim me titull “Fusnota të ndryshme rreth Ungjillit të Mateut”. Shkrimin në fjalë e publikova në revistën “Rinia muslimane” që publikohet në Basra nga një shok i imi, Taha el Fejad, Allahu e mëshiroftë. Kur i tregova Emir Shekib Arslanit – Allahu e mëshiroftë – për këto fusnota, më pyeti për to dhe i thashë: “Më kanë humbur në shtypshkronjë”, ndërsa atij i erdhi shumë keq për humbjen e tyre. Tani jam gati të shkruaj fusnota të ngjashme me to, apo edhe më të mira, mirëpo shumë prej vëllezërve tanë muslimanë nuk i kushtojnë rëndësi mbrojtjes së fesë së tyre, as nuk e ndihmojnë atë që dëshiron të mbrojë fenë, madje e tradhëtojnë. Për të tillë vlejnë të përmenden vargjet:

Po të isha nga fisi Mazin, nuk do m’i merrnin devetë

Hajdutët e Dhuhl ibën Shejbanit

Njerëz që kur e keqja tregon dhëmbët

Ata nxitojnë grumbull dhe veç e veç për tek ajo

Nuk kërkojnë nga vëllau i tyre kur ai thërret

Në rast nevoje, a ka ndonjë provë

Ndërsa fisi im i shpërblen ata që i bëjnë padrejtësi

Dhe njerëzve të poshtër i bëjnë të mira

Ah, të kisha një fis që kur është nevoja

Ngrihen dhe vërsulen si kalorësit dhe këmbësorët

Kur mbërrit libri, iu përgjigja Smithit me falenderim. Kur e lexova dhe kuptova domethënien e tij, i shkrova përsëri dhe i thashë: “Allahu i është përgjigjur lutjes tënde dhe më ka dhënë shumë begati në këtë libër, mirëpo ai e kundërshton dhe e hedh poshtë atë çfarë ke. Me ke thënë gjatë debatit kështu dhe kështu, ndërsa në libër, në filan kapitull, me numër kaq dhe kaq, gjeta se është e pasaktë ajo çfarë me ke thënë. Po ashtu gjeta se Ungjilli tregon ashtu siç tregon edhe Kurani për Teuhidin e Allahut të Lartësuar dhe se Isai ka qenë rob adhurues. Kjo tregohej shumë qartë në shumë vende.” I përmenda shtatë vende dhe kjo ishte e fundit me të.

Unë dëshmoj se ky prift i ri ishte i përkushtuar në propagandën e tij dhe shumë i zellshëm. Sa herë i thoja se kjo gjë e kundërshton logjikën, ai thoshte se mendja është e mangët, ndërsa Fjala e Allahut është e plotë dhe Ai di atë çfarë nuk e dimë.

Një herë, para se të më mbërrinte libri, e vizitova në ekspeditë dhe e gjeta që nuk ushqehej me mish, as fshehurazi dhe as përpara njerëzve. Ai urdhëronte kuzhinierin e tij që t’i përgatiste ushqim vegjetarian, ndërsa për gruan dhe vajzën t’i përgatiste ushqime me mish. I fola rreth kësaj dhe ai më tha se: “Këta idhujtarët që unë i thërras të hyjnë në krishterim, e urrejnë shumë konsumimin e mishit, andaj unë mundohej t’i pajtoj. E kam braktisur konsumin e mishin për hir të Krishtit.” I thashë: “Mirëpo ata nuk të shohin në shtëpinë tënde!” Më tha: “Nuk mund t’i gënjej dhe të pretendoj se nuk e konsumoj mishin, ndërkohë që unë e bëj.”

Për këtë arsye, propaganda e tij ndikoi tek ta. Kam parë me të tridhjetë burra bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre të cilët i praktikonin urdhërat e tij. Ai i urdhëroi të ndërtonin një kishë dhe ata e ndërtuan me duart e tyre, megjithëse ishin të varfër; e kundërta e priftit që më mësonte anglisht në qytetin Lukno, pasi askush nuk e besoi, sepse ai vetë nuk ishte besimtar. Sinqeriteti është sekreti i suksesit, edhe nëse bëhet fjalë për të kotën.

 

Hedhja poshtë e një dyshimi të dytë i të krishterëve

Prej gjërave ku gabojnë thirrësit e krishterimit në këtë kohë, është se i thonë të rinjve muslimanë të papërvojë, se Kurani i ka garantuar atyre fitoren dhe krenarinë. Në suren Aal Imran, ajeti 55, thuhet:

إِذْ قَالَ اللَّهُ يَا عِيسَىٰ إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَيَّ وَمُطَهِّرُكَ مِنَ الَّذِينَ كَفَرُوا وَجَاعِلُ الَّذِينَ اتَّبَعُوكَ فَوْقَ الَّذِينَ كَفَرُوا إِلَىٰ يَوْمِ الْقِيَامَةِ

“(Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit.”

Një djalosh maroken më ka treguar se në Rabat gjendet një prift, i cili posedon dhoma të arreduara, në të cilat banojnë falas të rinjtë marokenë, në mënyrë që t’i tërheqë nga vetja dhe t’i sprovojë në fe. Prifti i kishte thënë atyre: “Nëse i shikoni të krishterët se janë krenarë, të pasur, të fortë, të lumtur dhe kanë pushtet në çdo vend, mos u habisni nga kjo, sepse Kurani ia ka premtuar këtë gjë” dhe i ka përmendur ajetin më lart. Ata e besuan dhe asnjëri prej tyre nuk e dinte domethënien e ajetit. I thashë se: “Ju ka gënjyer dhe mashtruar! Po të ishte çështja siç ju ka thënë, atëherë të krishterët e Nexhranit do të fitonin, ndërkohë që kishin 120.000 luftëtarë, mirëpo preferuan të bënin marrveshje me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të paguanin xhizjen. Po të ishte siç ka thënë ai, atëherë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk do të fitonte në betejën e Tebukut, romakët nuk do të frikësoheshin dhe nuk do të largoheshin nga luftimi i tij. Po të ishte e vërtetë ajo që ka thënë, atëherë bizantët e Shamit – që e quajnë Siri – nuk do të humbisnin dhe nuk do ta linin pasiqë e kanë udhëhequr për një kohë të gjatë.  Po të ishte e vërtetë ajo që ka thënë, atëherë shokët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk do të triumfonin kunder banorëve të Egjiptit që ishin të krishterë. Po të ishte e vërtetë ajo që ka thënë, atëherë banorët e Magrebit nuk do të triumfonin kundër banorëve të Spanjës dhe jugut të Francës, po ashtu nuk do ta udhëhiqnin Spanjën për 800 vjet bashkë me arabët. Po të ishte e vërtetë ajo që ka thënë, atëherë të krishterët e Kontandinopojës nuk do të humbisnin dhe muslimanët nuk do t’i çlironin; ajo vazhdon të jetë në duart e bijve të tyre akoma sot. Domethënia e ajetit:

وَجَاعِلُ الَّذِينَ اتَّبَعُوكَ

Dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty”, janë muslimanët që e veçojnë Allahun me adhurim, të cilët besojnë të gjithë pejgamberët dhe të gjithë Librat.

فَوْقَ الَّذِينَ كَفَرُوا إِلَىٰ يَوْمِ الْقِيَامَةِ

“Përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit”, janë ata të cilët nuk e besojnë Allahun, as e veçojnë Atë me adhurim, ose i mohojnë disa Libra apo pejgamberë. Ajeti është argument pro muslimanëve në këtë kohë dhe jo pro armiqve të tyre.” Djaloshi u habit. Ai ishte i hutuar dhe hutia iu largua. Gjendja e shumicës së muslimanëve sot, thotë: “Njerëzit po thonë se jam i hutuar.. kjo është e vërtetë, mirëpo hutia ime s’po ikën.”

Është për t’u çuditur me të krishterët, sepse kur shikojnë në Kuran, kurrë nuk e bëjnë me qëllim që të njihen me të vërtetë, mirëpo e shikojnë me qëllim që të gjejnë ndonjë të metë – siç pretendojnë –. Për shembull, ata thonë: “Nga e solli këtë histori Muhamedi?” Vazhdojnë e kërkojnë, e nëse gjejnë ndonjë histori të ngjashme në Torë, në Ungjill apo Talmud, ata gëzohen shumë, mendojnë se kanë gjetur atë çfarë kërkonin dhe pohojnë në mënyrë te prerë se është marrë nga ato burime, pa i kushtuar rëndësi kundërshtimeve të shumta mes dy historive, apo mes dy legjislaturave (sheriateve).

 

Hedhja poshtë i një tjerër dyshimi i të krishterëve

Për shembull historia e Nuhut. Ata pohojnë në mënyrë të prerë se Kurani e ka marrë nga Tora, megjithëse kur është zbritur, nuk ka patur asnjë çifut në Mekë. Njerëzit që dinin shkrim dhe lexim ishin në numër shumë të vogël; mes tyre dhe Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kishte vetëm armiqësi dhe urrejtje, ndërsa Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk dinte as shkrim, as lexim dhe armiqtë e tij ishin në pritë. Po ta shikonin armiqtë e tij duke u takuar me ndonjë person që dinte lexim apo shkrim, atëherë do ta qortonin. Historia e Nuhut tregohet në Torë në mënyrë të detajuar, ku përshkruhet gjatësia e anijes, gjërësia dhe lartësia e saj. Njerëzit e pafe e kanë marrë këtë gjë si shkak për akuzimin e Torës dhe kanë thënë se një anije e tillë nuk mund të qëndrojë asnjë minutë në det. Sa i përket përshkrimit që Kurani i ka bërë historisë, të pafetë nuk kanë mundur të hedhin akuza.

Përshkrimin që Tora i bën pjesëve të Tokës dhe gjeografisë së saj, të pafetë e kanë marrë shkak për të hedhur akuza rreth vërtetësisë së saj. Ata nuk kanë gjetur diçka në Kuran që mund ta merrnin shkak për akuzë. Ti e lexon historinë në Kuran, po ashtu e lexon të ngjashmen e saj në Torë dhe mes tyre gjen dallim të madh. Metoda e historisë në Kuran është metodë Hyjnore, tërheqëse, që përmban këshillat, paralajmërimet, përgëzimet dhe është larg metodës që kanë njerëzit në të folur, ndërsa tek Tora është e kundërta e kësaj gjëje.

Nëse [të krishterët] nuk gjejnë ndonjë gjurmë të historisë Kuranore as në Torë, as në Ungjill dhe as në Talmud si në rastin e historisë së Lukmanit, atëherë thonë se është prej miteve dhe përrallave arabe. Mbi Torën dhe Ungjillin shkruajnë me bojë floriri “Libri i Shenjtë”, duke ia bërë lexuesit punë të kryer, mirëpo kjo gjë nuk i pëlqen armiqve të kishës, pasi ata i kritikojnë ashpër librat e çifutëve dhe të krishterëve.

 

Fanatizmi kundër islamit i njerëzve injorantë, mosbesimtarë dhe armiqësimi i tyre

Kam qenë në Universitetin e Bonit si nxënës dhe lektor, e aty ishte një nxënës që quhej Jakup dhe ishte gjysmë çifut. Ky ishte term hitlerian i përdorur për atë që njërin prind e kishte çifut dhe tjetrin gjerman. Në kohën që çifutët kishin ngushtime në liri, gjysmë çifutët nuk e kishin këtë gjë. Prej ligjeve që praktikoheshin mbi çifutët ishte moslejimi që ata të studionin në shkollat gjermane, ndërsa për gjysmë çifutët kjo nuk vlente, mirëpo shumica e drejtorëve të shkollave e praktikoni  këtë ndalesë edhe mbi gjysmë çifutët nga urrejtja dhe nënçmimi, e jo nga ligji, kurse drejtorët tolerantë i pranonin. Drejtori i seksionit lindor në Universitetin e Bonit ishte prej tolerantëve. Nuk isha unë që nisa ta armiqësoj Jakupin dhe i lejoja që të prazantonte leksionet e mia të arabishtes dhe Islamit, mirëpo ai nisi të më armiqësonte vetëm për faktin se isha arab. Zëvendës drejtori i seksionit ishte një profesor katolik me emër Hafning dhe më urrente për dy arsye: e para, sepse kishim patur një mospajtim lidhur me dhomën e studimit dhe drejtori i mëparshëm më pat gjykuar në favorin tim, kështu që e mbajti në vetvete. E dyta, ai ishte profesor në hebraisht, mirëpo nxënësi Jakup ishte mësues i tij, sepse e njihte hebraishten më mirë se ai dhe po ashtu ishte gjysmë çifut. Ka patur edhe një arsye të tretë, se katolikët gjatë kohës së nazismit kanë qenë të solidarizuar me çifutët. Jakupi e ndjeu se mund të më dëmtonte kështu që nisi ta bënte. Një herë kemi qenë duke studiuar në seksionin e biblotekës dhe Jakupi u ngrit, e mori Kuranin, e vendosi mbi tavolinë dhe i tha njerëzve prezentë: “Shikoni! Kjo është fjala e Allahut!” Pastaj nisi të qeshte që edhe të tjerët të qeshnin me të, mirëpo asnjëri nuk qeshi me të.

U ngrita dhe mora disa Tora dhe Ungjille mbi të cilat shkruhej në gjermanisht “Libri i Shenjtë”, ndërsa mbi Kuran shkruhej “Kurani i Muhamedit”. Torat dhe Ungjillet i vendosa pranë Kuranit, pastaj iu ktheva dhe i thashë: “O çifut! Nëse këta janë fjalë e Allahut – dhe bëra me shenjë nga Tora dhe Ungjilli – atëherë edhe ky është fjalë e Allahut – dhe bëra me shenjë nga Kurani -. Ne nuk jemi fëmijë, as njerëz të rëndomtë, mirëpo jemi studentë në fakultet dhe mësojmë hulumtimin dhe recenzimin. Me këta dy libra kanë ardhur dy burra prej njerëzve, po ashtu edhe me këtë (Kuranin); pse këta dy duhet të jenë fjalë e Allahut në mënyrë të prerë, ndërsa ky tjetri na qënka gënjeshtër mbi Allahun në mënyrë të prerë?! Ndërkohë që këta libra kanë ardhur me të njëjtën formë. Ky është mentalitet i vjetëruar.” Jakupi më tha: “Dije çfarë thua! Unë jam i krishterë protestant dhe nuk jam në asnjë mënyrë çifut. Ligji do të dënojë për këtë akuzë.” I thashë: “Nëse ti nuk je çifut, atëherë qenkam unë.” Njerëzit prezentë qeshën, ndërsa ai nuk ia arriti qëllimit për t’i bërë të qeshnin, madje iu kthye kundër.

Allahu u hakmor ndaj Hafningut shumë ashpër. Ai banonte në Këln dhe mbi shtëpinë e tij ra një bombë angleze duke ia shkatërruar. Të gjithë pjesëtarët e shtëpisë vdiqën. Nëse thua “shtëpi” në qytetet e mëdhaja, është sikur të thuash “fshat” në vendet tona, sepse banorët e tij numërohen me qindra.

Prej armiqësisë së tij ndaj meje është se kur mori kryesinë e seksionit, nuk e pranoi tezën e doktoraturës që e kishte propozuar pararendësi i tij, ndërkohë që kisha punuar më shumë se një vit nën kujdesin e tij. Erdhi Hafningu dhe pretendoi se një shkencatar anglez nga Kembrixhi kishte shkruar rreth asaj teme. I thashë: “Nuk ka njohuri rreth shkrimit të anglezit, ndërkohë që ai nuk e ka shkruar në gjermanisht në të cilën unë po e shkruaj tezën.” Të gjithë profesorët e seksionit lindor e kundërshtuan për këtë gjë. Gjatë kësaj kohe, më erdh një ftesë nga radioja gjermane në Berlin përmes drejtorit të radios së Këlnit, për të qenë opinionist lidhur me themelimin e një radioje arabo-gjermane. U zhvendosa në Berlin si nxënës, lektor dhe korigjues i radios, ose referencë gjuhësore siç i thonë në gjermanisht, kështu që i përfundova studimet me profesor Hartmanin dhe Allahu më ruajti nga e keqja e Hafningut dhe mikut të tij, Jakupit.

 

Temë: lidhur me demantimin e pretendimit nga ana e të krishterëve se isai është kryqëzuar

Kjo është prej pasimit të verbër që fetë e tjera ia bëjnë njëra-tjetrës. Vazhdoj të kem tregime të këndshme lidhur me këtë. Prej këtyre tregimeve është se një prej vëllezërve të rinj të cilët prezantonin mësimet e mia, ishte inxhinier në Drejtorinë e Vakëfeve në Bagdad dhe më duket se quhej Hysen, ndërsa babai i tij jam i sigurtë se quhej AbdulKadir, ndodhi se më pat thënë në vitin 55’ apo më duket 1956, se babai i tij ishte nëpunës në administratën shtetërore dhe bashkë me të punonte një i krishterë. I krishteri gjithmonë ofendonte Islamin që ta zemëronte AbdulKadirin. Një ditë prej ditëve, i krishteri i tha: “Nuk kam parë njerëz më mendjevegjël se ju muslimanët.” Tha: “Po si kjo?!” Ai tha: “Ju pretendoni se çifutët nuk e kanë vrarë Isain, ndërsa çifutët janë unanimë se e kanë vrarë. Ne të krishterët, me gjithë grupacionet e shumta që kemi, jemi unanimë se ata e kanë vrarë. Të gjithë grupet në botë pajtohen me këtë dhe e besojnë, sepse është lajm i përcjellë brez pas brezi, ndërsa ju e mohoni këtë. Ju jeni sikur ai që i bie murit me kokë.” AbdulKadiri nuk kishte me çfarë t’i përgjigjej, kështu që u kthye i mërzitur në shtëpi. I shtruan darkën dhe ai nuk hëngri gjë. I tregoi familjarëve çfarë kishte ndodhur, kështu që i biri më kërkoi argument nga Ungjilli që ata pretendojnë se e besojnë për gënjeshtrën e të krishterëve dhe çifutëve dhe se muslimanët flasin të vërtetën. Unë iu përgjigja me çështjet e mëposhtme:

Në Ungjillin e Mateut, në kapitujt 26 dhe 27 tregohet se priftërinjtë çifutë e kishin shpallur Isain, birin e Merjemes si të pafe që meriton të vritet sipas dispozitës së Torës. Rrëfimi i historisë së vrasjes së Isait dëshmon për pretendimin e tyre të kotë. Kjo përmblidhet në disa pika që i krishteri i cili e ofendon Islamin duhet t’i përgjigjet atyre:

  • Ata të cilët e kapën Isain – sipas pretendimit tuaj – e njihnin apo nuk e njihnin si person? Ungjilli i Mateut dëshmon se ata nuk e njihnin.
  • A ka ndodhur ditën apo natën? Ungjilli i Mateut thotë se ka qenë natën.
  • Kush ua tregoi Isain? Ungjilli i Mateut thotë se ua tregoi dishepulli i dymbëdhjetë, Judë Iskarioti.
  • A ua tregoi me shpërblim apo pa shpërblim? Ungjilli i Mateut thotë se ua tregoi me shpërblim dhe vlera ishte prej 30 monedhave të argjendit.
  • Si ishte gjendja e Isait atë natë? Ungjilli i Mateut thotë se ishte i shqetësuar, i frikësuar dhe e luste Allahun duke thënë: Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë!” Është e pamundur që një besimtar i Allahut ta thotë këtë fjalë, e jo më ta thotë një pejgamber i Tij, sepse besimtarët besojnë se Allahu është Fuqiplotë të bëjë gjithçka.
  • Si ishte gjendja e njëmbëdhjetë dishepujve? Ungjilli i Mateut thotë se i kishte zënë gjumi atë natë, megjithëse mësuesi i tyre – sipas pretendimit tuaj – ishte i frikësuar.
  • A ishte i kënaqur Isai me gjendjen e tyre? Ungjilli i Mateut thotë se ishte i pakënaqur. Ai shkonte për t’i zgjuar dhe i thoshte rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim”. Pastaj shkonte përsëri, i gjente tek flinin, i zgjonte dhe ia përsëriste çfarë i kishte thënë. Këto nuk janë cilësi të nxënësve të njërezve të mirë, edhe po të jenë nxënës të një dijetari të devotshëm, e si mund të jetë me nxënësit e Isait alejhis-selam?!
  • A e ndihmuan dishepujt kur turma e kapi Isain? Ungjilli i Mateut thotë se ata e tradhëtuan dhe u larguan.
  • A kishte mendim të mirë Isai atë natë për dishepujt e tij? Ungjilli i Mateut thotë se Isai i lajmëroi se do ta tradhëtonin. Kur Pjetri – njëri prej dishepujve – i tha: “Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi”, Isai i tha: “Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri here.” Ungjilli i Mateut thotë se kështu ndodhi.
  • Si e kapi turma Isai? Ungjilli i Mateut thotë se erdhën me shpata dhe shkopinj. Pasi Judë Iskarioti i tregoi ku ishte Isai, ata kapën dhe e dërguan tek kryeprifti, i cili e gjykoi me vdekje, ndërsa priftërinjtë çifutë u pajtuan me të. Më pas, turma e morën, e pështynë në fytyrë, e qëlluan, pastaj e ç’veshën nga rrobat e tij dhe e veshën me një rrobë të kuqe, më pas i vendosën një kurorë me ferra dhe nisën të talleshin me të. Ata i thanë: “Ti je mbreti i Izraelitëve sipas pretendimit tënd” dhe e poshtëruan rëndë.
  • Kush e dha vendimin e prerë në gjykimin me vdekje? Ungjilli i Mateut thotë se ishte Pilati, greko-romaku që asokohe ishte perandor në Palestinë.
  • Kur turma erdhi tek perandori me Isain dhe e lajmëruan se priftërinjtë çifutë e kishin gjykuar sipas Torës, me vdekje të kryqëzuar, a i besoi perandori pa bërë hulimtime? Ungjilli i Mateut thotë se perandori nuk i besoi atyre, mirëpo e pyeti Isain a ishte e vërtetë ajo që thonin? Ai heshti dhe nuk iu përgjigj. Perandori e përsëriti pyetjen, mirëpo ai vazhdoi në heshtje. Ai heshti nga të thënit të vërtetën, ndërkohë që e kishte për detyrë – edhe po të mos ishte pejgamber – që të tregonte të vërtetën dhe të mohonte pretendimet e çifutëve. Gruaja e perandorit i çoi fjalë që mos të përzihej me çështjen e atij burri të drejtë, sepse kishte vuajtur në ëndërr për shkak të tij. Në Ungjillin e Mateut thuhet se Isai mbante ligjërata të gjata në mesin e çifutëve dhe i mbushte me qortime sa mund të arrinin ofendimin dhe akuzën në nder,[5] e si mund të heshtë sot, ndërkohë që perandori po e pyet dhe dëshiron të ndihmojë të vërtetën?!
  • Si ishte kryqëzimi i tij? Ungjilli i Mateut thotë se e kryqëzuan mes dy hajdutëve të cilët e ofendonin dhe i thonin: “Shpëto veten, nëse po thua të vërtetën!”
  • Kjo është fatkqësia më e madhe: çfarë tha sipas pretendimit tuaj ndërsa ishte i kryqëzuar? Ungjilli i Mateut thotë se e dëgjuan të thotë me zë të lartë: “Eli, Eli, lama sabaktani?” Në sirianisht kjo do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” Të gjitha fetë pajtohen unanimisht se kjo fjalë është kufër (dalje nga feja) dhe kush ia m’vesh këtë fjalë një prej pejgamberëve, atëherë ai është mosbesimtar sipas të gjitha feve qiellore.

Hyseni shkoi tek babai i tij, ia dha pyetjet dhe i tha: “Profesori ynë, doktor Hilali të thotë që t’i thuash: “Nëse thua të vërtetën në atë çfarë pretendon, atëherë përgjigju këtyre pyetjeve me përgjigje që mendja i pranon, ndërsa njerëzit e mençur janë të kënaqur! Nëse kërkon debat më të gjatë se ky, atëherë mirësevjen!” AbdulKadiri babai i Hysenit, pasi i lexoi me gëzim pyetjet disa herë bashkë me të birin, i mori, shkoi tek i krishteri dhe ia dha. Kur i krishteri i lexoi, letra i ra nga dora dhe u duk se ishte bërë pishman, kështu që i premtoi AbdulKadirit se nuk do ta ofendonte kurrë më Islamin.

Kaq sa mbaj mend me atë çfarë kam lexuar para shumë kohësh në Ungjillin e Mateut.

Lavdi Allahut, salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin e Allahut, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që e ndjekin deri në Ditën e Gjykimit.

 

Burimi: El Berahinul Inxhilijeh ala enne Isa alejhis-selam dakhilun fil ubudijeh ue la hadh-dha fil uluhijeh fq. 8-20.

Përktheu: Besmir Cacani

____________________

[1] Apo “Faltorja e Sulejmanit”. (shp)

[2] Mubahele është që njerëzit të tubohen të shoqëruar me fëmijët dhe gratë e tyre nëse janë në mospatim, e pastaj e lusin Allahun e Lartësuar që të mallkojë dhe dënojë atë që gënjen prej dy palëve. (Shejh Muhamed Xhemil Hammamij, Allahu e ruajtë).

[3] Historia e ardhjes së ekspeditës së krishterë nga Nexhrani për tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, diskutimi i tij me ta dhe thirrja e tij që të bëjnë mubahele është e saktë dhe bazën e ka tek Sahihul Buhari dhe në libra të tjerë të hadithit. Sa i përket lejimit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ata të faleshin në xhaminë e tij, kjo nuk është e saktë dhe Allahu është më i Dituri. (Shejh Muhamed Xhemil Hammamij).

[4] D.m.th. se Inxhili në origjinë është prej Allahut azze ue xhel-le, përpara se të ndryshohej dhe falsifikohej. Megjithë falsifikimet e shumta që i janë bërë Inxhilit, ai vazhdon të ketë të vërteta, po ashtu edhe Teurati, si në rastin kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka nxjerrë Teurati i çifutëve dispozitën e zinasë për burrin e martuar. (Shejh Muhamed Xhemil Hammamij, Allahu e ruajtë).

[5] Kështu, mirëpo kjo fjalë është e rrezikshme prej së cilës distancohen besimtarët, e jo më pejgamberët e nderuar alejhimus-salatu ues-selam. Ndoshta shejhu e ka gjetur këtë gjë tek fjalët që të krishterët ia m’veshin Isait, mirëpo autori duhet të ishte shmangur nga kjo, ose ta refuzonte dhe të sqaronte kotësinë e saj. (Shejh Rabi’ el Medkhali, Allahu e ruajtë).