REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhNamazi

Vendimi i Komitetit të Dijetarëve të Mëdhenj lidhur me mosprezantimin e namazit të xhumasë në rast përhapje epidemie

Lavdi Allahut, Zotit të krijesave, salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij. Më pas:

Komiteti i Dijetarëve të Mëdhenj ka shikuar në seancën e saj të jashtëzakonshme numër 24 që është zhvilluar në qytetin e Rijadit, ditën e mërkurë datë 16.07.1441 h, lidhur me çështjen që i është parashtruar për mosprezantimin e namazit të xhumasë dhe namazit me xhemat në rast përhapje epidemie, apo në rast frike se mos përhapet, duke parë argumentet e fesë Islame, qëllimet e tij, rregullat e tij dhe fjalët e dijetarëve lidhur me këtë çështje, atëherë Komiteti i Dijetarëve të Mëdhenj sqaron çështjet e mëposhtme:

Së pari: personi i infektuar e ka të ndaluar (haram) që të prezantojë namazin e xhumasë dhe me xhemat, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I sëmuri të mos përzihet me të sëmurin.” Muttefekun alejhi. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu ka thënë: “Nëse dëgjoni që murtaja ka rënë në një vend, atëherë mos shkoni për në atë vend. Nëse bie murtaja në një vend në të cilin jeni, atëherë mos dilni prej tij.” Muttefekun alejhi.

Së dyti: atij që i është caktuar masa e izolimit nga organet kompetente, atëherë e ka për detyrë që ta zbatojë këtë gjë, duhet të lejë prezantimin e namazit me xhemat dhe të xhumasë, e t’i falë namazet në shtëpinë e tij apo në vendizolimin e tij. Kjo, për shkak të asaj që ka transmetuar esh-Sherid ibën Suvejd eth-Thekafij radijAllahu anhu se ka thënë: “Në ekspeditën e Thekifit ishte një person me lebrozë, andaj Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i çoi fjalë se ta kemi marrë besën, andaj kthehu.” Transmeton Muslimi.

Së treti: kush frikësohet se dëmtohet apo se dëmton të tjerët, atëherë i lejohet që mos të prezantojë namazin e xhumasë dhe atë me xhemat, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka vetëdëmtim dhe as dëm i të tjerëve.” Transmeton Ibën Maxheh. Të gjithë ata që u përmendën më lart, nëse nuk prezantojnë namazin e xhumasë, atëherë falin namazin e drekës katër rekate.

Komiteti i Dijetarëve të Mëdhenj porosit të gjithë që t’i përmbahen udhëzimeve, orientimeve dhe rregullave të nxjerra nga organet kompetente. Po ashtu, i porosit të gjithë për devotshmëri ndaj Allahut azze ue xhel-le dhe për t’iu kthyer Atij subhanehu ue teala me lutje dhe me përulje që t’ia largojë këtë fatkeqësi. Allahu i Lartësuar thotë:

وَإِن يَمْسَسْكَ اللَّهُ بِضُرٍّ فَلَا كَاشِفَ لَهُ إِلَّا هُوَ ۖ وَإِن يُرِدْكَ بِخَيْرٍ فَلَا رَادَّ لِفَضْلِهِ ۚ يُصِيبُ بِهِ مَن يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ ۚ وَهُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.” Et-Teubeh: 107.

Po ashtu ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ ۚ

Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir: 60.

Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani