REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Moral

Nxitja për sinqeritet dhe distancim nga gënjeshtra – Imam Ibën Hibban

Më ka lajmëruar Ahmed ibën Muhamed ibën Habib el Xhunejdi se ka thënë: Humejd ibën Zenxhavija na ka treguar: Mahasin ibnul Meveddi’ na ka treguar: el Eamesh na ka treguar, nga Ebu Sufjani se ka thënë: Abdullahu ka thënë: Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-le ka thënë: “Bëhuni të sinqertë, pasi sinqeriteti të dërgon për në bamirësi, dhe vërtetë bamirësia të dërgon për në Xhenet. Burri vazhdon të jetë i sinqertë, derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Ruhuni nga gënjeshtra, pasi gënjeshtra të dërgon në keqbërje, dhe vërtetë keqbërja të dërgon në Zjarr. Burri vazhdon të gënjejë, derisa shkruhet tek Allahu gënjeshtar.”

Ebu Hatimi,[1] Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: me të vërtetë Allahu xhel-le ue ala’ e ka vlerësuar gjuhën mbi gjymtyrët e tjera, e ka ngritur gradën e saj dhe e ka treguar vlerën e saj duke e bërë në gjendje të flasë për Teuhidin e Tij në mes të gjymtyrëve të tjera. Njeriu i mençur nuk duhet që këtë mjet të krijuar nga Allahu për Teuhidin e Tij, ta mësojë me gënjeshtër, mirëpo duhet vazhdimisht të kujdeset për të, që të thotë të vërtetën dhe të thotë fjalë që janë në dobi të tij në dy botët. Kjo, sepse gjuha vazhdon dhe flet atë çfarë është mësuar; nëse është mësuar me sinqeritet do të vazhdojë të flasë sinqertë, e nëse është mësuar të flasë gënjeshtra do të vazhdojë të flasë gënjeshtra.

I lumtë atij që ka thënë:

Mësoje gjuhën me fjalë të mira dhe do ta arrish atë

Sepse gjuha flet atë që është mësuar të flasë

Është i ngarkuar të bëjë atë çfarë është mësuar të bëjë

Zgjidh për veten tënde dhe shiko çfarë dëshiron

Na ka lajmëruar Muhamed ibën Seid el Kazzaz se: el Fadl ibnul Abbas el Bagdadi na ka lajmëruar se: el Hejthem ibën Kharixheh na ka lajmëruar se: el Hejthem ibën Imran ka thënë: kam dëgjuar Ismail ibën Ubejdullahin të thotë: “AbdulMelik ibën Mervani më urdhëronte që mos t’i ushqeja fëmijët e tij me yndyrëra, po ashtu më urdhëronte që mos t’i ushqeja pa dalë fillimisht të kryenin nevojat. Ai gjithashtu thoshte: “Mësoji fëmijëve të mi sinqeritetin ashtu siç ia mëson Kuranin! Largoji nga gënjeshtra, pasi gënjeshtra ka kështu dhe kështu”, d.m.th. ka vrasje.”

El Ebrash më pat recituar:

Gënjeshtra të rrëzon edhe nëse ke frikë

Ndërsa sinqeriteti të shpëton në çfarë do rasti

Fol ç’të duash, do të gjesh pasojat e saj

Asgjë nuk do të mangësohet nga ajo ç’ke folur

Ebu Ja’la na ka lajmëruar se: Ebu Khajthemeh na ka treguar se: AbdurRahman ibën Mehdij na ka treguar se: Selim ibën Hajjani na ka treguar nga Katadeh, nga Humejd ibën AbdurRahman el Muhejri, se Umer ibnul Hattabi ka thënë: “Ebu Bekri u ngrit mes nesh të ligjëronte në vitin e parë (hixhri) dhe tha: “Gjëja më e mirë që i është dhënë njerëzve pas besimit është mirëqënia (në fe nga fitnetet dhe në shëndet nga sëmundjet). Me të vërtetë sinqeriteti dhe bamirësia janë në Xhenet, ndërsa gënjeshtra dhe krimet janë në Zjarr.”

Ebu Khalifeh na ka lajmëruar se: Ebul Uelid et-Tajalisi na ka treguar se: Ikrime ibën Ammar na ka treguar se: Tajseletu ibën Ali el behdeli më ka treguar dhe ka thënë: kam qenë me Ibën Umerin tek një pemë në Ditën e Arafatit dhe, para tij ishte një burrë nga Iraku, i cili i tha Ibën Umerit: “O biri i munafikut!” Ibën Umeri iu përgjigj: “Kujdes! Munafik është ai që kur flet gënjen, kur premton e then dhe nëse i besohet (i lihet amanet) nuk e mban.”

Kam dëgjuar Ahmed ibën Muhamed ibnul Ez’herin të thotë: kam dëgjuar Muhamed ibën Khalef ibën Ebil Ez’herin të thotë: kam dëgjuar el Fudajl ibën Ijadin të thotë: “Copa e mishit më e dashur tek Allahu është gjuha e sinqertë dhe, copa e mishit më e urryer tek Allahu është gjuha gënjeshtare.”

Ebu Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: çdo gjë që merret për t’u stolisur është e lehtë që ta gjesh, përveç gjuhës, e cila ngrihet vetëm mbi atë që është mësuar. Sinqeriteti të shpëton, ndërsa gënjeshtra të rrëzon. Gjuha e të cilit është mësuar (me gënjeshtër), duhet ta kontrollojë dhe rregullojë. Kush gënjen shumë, nuk i lë vetes vend për t’i besuar. Vetëm një njeri i ulët mund të gënjejë.

Na ka treguar Ahmed ibën Muhamed ibën Zenxhavija se: Xhaferr ibën Ebi Uthman et-Tajalisi na ka treguar se: Seid ibën Sulejman na ka treguar se: Enes ibën Ijad na ka treguar nga Salih ibën Hasan, e ky nga Muhamed ibën Ka’b el Kuradhij se ka thënë: “Gënjeshtari gënjen pasi është njeri i ulët.”

El Kerizij më pat recituar:

Gënjeve dhe shpërblimi i gënjeshtarit është

Që nëse nuk thotë të vërtetën, atëherë të mos i besohet më

Nëse gënjeshtari njihet me gënjeshtër, atëherë ai vazhdon

Të jetë gënjeshtar për njerëzit, edhe nëse thotë të vërtetën

Fatkeqësia e gënjeshtarit është se e harron rrenën e tij

Dhe do ta gjesh se është i zgjuar, nëse e ka për zanat rrenën

Ebu Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: nëse gënjeshtra do të kishte vetëm faktin e shëmtuar se kur njeriu thotë të vërtetën, atëherë nuk i besohet as ajo, atëherë do të ishte detyrë për të gjithë njerëzit që gjithmonë të sigurohen e të flasin me sinqeritet. Prej fatkeqësive që ka gënjeshtra është se gënjeshtari harrohet, e nëse është kështu, atëherë gënjeshtari sikur po e thërret veten në çdo çast për në greminë.

Kam dëgjuar Ahmed ibën Muhamed ibnul Ez’herin të thotë: kam dëgjuar Nasr ibën Ali el Xhehdami të thotë: “Allahu na ka ndihmuar kundër gënjeshtarëve me harresën (e gënjeshtrave që thonë).”

Muhamed ibën Abdullah el Bagdadi më pat recituar:

Nëse njeriu gënjen tre herë

Atëherë shite qoftë edhe për një grusht me hi

Dëlirësia e kraharorit të tij dhe sinqeriteti i tij

Po ashtu ruajtja e të fshehtës janë në zemër

Na ka lajmëruar Bekër ibën Ahmed et-Tahij në Basra se: Ibrahim ibën Azrah na ka thënë se: Sufjan ibën Ujejneh na ka thënë nga Ma’mer se ka thënë: ez-Zuhri ka thënë: “Veç ta shikoje Tavusin dhe bëheshe me dije që ai nuk gënjen.”

Ebu Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: gjuha është gjitar grabitqar, nëse njeriu e kontrollon, shpëton, e nëse nuk e bën, e kafshon. Gënjeshtari demaskohet me gjuhën e tij. Njeriu i mençur nuk angazhohet me biseda që nuk i di, e pastaj të akuzohet për gjërat që i di; sepse koka e gjynaheve është gënjeshtra, ai i shfaq turpet dhe i fsheh të bukurat. Kur njeriu dëgjon diçka të qortueshme, nuk e ka për detyrë ta tregojë, sepse kush flet për çdo gjë, e zhvlerëson mendjen dhe e prish sinqeritetin e tij.

Na ka lajmëruar Ebu Khalife se: Ibën Kethiri na ka treguar se: Sufjan eth-Theurij na ka lajmëruar nga Ebu Is’haku, e ky nga el Ahuas, e ky nga Abdullahu se ka thënë: “Besimtarit i mjafton si gënjeshtër, që të flasë çdo gjë që e dëgjon.”

Na ka lajmëruar el Hasen ibën Sufjan se: Hibban ibën Musa na ka treguar se: Abdullahu na ka lajmëruar se: Sufjani na ka lajmëruar nga Mansuri, e ky nga Selim ibën Ebil Xha’d se ka thënë: Isai biri i Merjemes ka thënë: “Lum për atë që e përmban gjuhën e tij, që i mjafton shtëpia e tij dhe qan për gjynahun e vet.”

Muhamed ibën Is’hak el Uasitij më pat recituar:

Nëse punët çiftëzohen

Sinqeriteti është fryti i tyre më i mirë

Sinqeriteti vendos mbi kokën

E njeriut të sinqertë një kurorë

Sinqeriteti ndez me drurin e vet

Nga një kandil në çdo vend

El Kattan na ka lajmëruar në Rakkah se: Nuh ibën Habib na ka thënë se: Vekiu na ka thënë se: Sufjani na ka thënë nga Mensuri, e ky nga Rib’ij.. thanë: “Cilin e përmende o Ebu Sufjan?” Tha: “Përmenda Rib’in, a e dini kush ka qenë Rib’ij? Ka qenë burrë nga fisi Eshxha’. Fisi i tij thoshte se nuk ka gënjyer kurrë, andaj dikush shkoi tek Haxhaxhi dhe i tha: “Është një burrë nga fisi Eshxha’ për të cilin fisi i tij thonë se nuk ka gënjyer kurrë, mirëpo ai sot do të gënjejë ty, sepse ti i ke thirrur bijtë e tij dhe ata nuk të kanë ardhur, por janë në shtëpi.” Haxhaxhi i dënonte me vdekje ata të cilët ia thyenin urdhërin. Haxhaxhi e thirri Rib’in, i cili ishte plak i krrusur, andaj Haxhaxhi e pyeti: “A ti je Rib’ij?” Tha: “Po!” Pastaj e pyeti: “Ç’bënë bijtë tuaj?” U përgjigj duke i thënë: “Ata janë në shtëpi.” Kështu që Haxhaxhi e mori, e stolisi dhe porositi që të silleshin mirë me të.”

Amër ibën Muhamed na ka lajmëruar se: el Gal-labij na ka treguar se: Ubejdullah ibën Muhamed et-Temimij na ka treguar nga babai i tij se ka thënë: “Umer ibnul Hattabi ishte në Mina dhe e mori etja, derisa mbërriti tek disa puse dhe kërkoi për të pirë.” Një grua tha: “Nuk kemi.” Umeri pastaj tha: “Qumësht?” Gruaja i tha: “Nuk kemi.” Një vajzë e re ia preu duke i thënë: “Po gënjen, a nuk ke turp?” Pastaj i tha Umerit: “Merre këtë enë me qumësht!” Umeri pyeti për vajzën dhe babai i saj ishte nga fisi Thekafij, andaj e kërkoi për grua për djalin e tij Asim ibën Umerin, të cilin e martoi me të dhe prej të cilëve lindi Ummu Asim, të cilën e mori për grua AbdulAziz ibën Mervani dhe prej tyre dyve lindi Umer ibën AbdulAziz ibën Mervani, Allahu e mëshiroftë.”

Ebu Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: sinqeriteti e ngre njeriun në dy botët, ashtu siç e ulë në dy botët gënjeshtra. Po të kishte sinqeriteti vlerë vetëm faktin se kur njeriu njihet për i sinqertë i pranohet edhe gënjeshtra duke u konsideruar si e vërtetë nga ata që e dëgjojnë, atëherë do të ishte detyrë për njeriun e mençur që të përpiqej në stërvitjen e gjuhës së tij [për të thënë të vërtetën], në mënyrë që gjuha të mësohet me sinqeritet dhe të largohet nga gënjeshtra. Paaftësia (për të folur) në disa kohë, është më e mirë sesa të folurit, sepse për çdo fjalë ku njeriu gabon kohën kur ta flasë, paaftësia është më e mirë.

El Muntesir ibën Bilal më pat recituar:

Nëse flet, fol me sinqeritet dhe le të jetë

Çdo fjalë e ytja në kohën e duhur

Fjalët janë sikur rrobat dhe disa prej tyre

Janë veshja yte dhe disa tjera janë të ruajtura

AbdulAziz ibën Sulejman el Ebrash më pat recituar:

Sa njerëz fisnikë kanë qenë të nderuar

Mirëpo gënjeshtra i poshtëroi mes njerëzve kur e bënë me qëllim

Ndërsa të tjerë kanë qenë të pavlerë mirëpo u bënë të nderuar

Përmes sinqeritetit dhe fjalëve larg të kotës

Ky i fundit u bë më fisnik sesa i pari

I cili u bë kokëulur përgjithmonë

Ebu Khalifeh na ka lajmëruar se: Muhamed ibën Kethiri na ka treguar se: Sufjan eth-Theurij na ka lajmëruar nga Habib ibën Ebi Thabit, e ky nga Mejmun ibën Ebi Shebijb se ka thënë: Umeri ka thënë: “Njeriu nuk e gjen esencën e besimit derisa ta lërë debatin (e kotë) edhe nëse është në të drejtë, derisa ta lërë gënjeshtrën kur bën shaka, duke e ditur se po të dojë mund ta bëjë.”

Ibën Seid el Kazzaz na ka lajmëruar se: Jusuf ibën Seid ibën Muslim më ka treguar se: Ali ibën Bekkar na ka treguar nga Junus ibën Ubejd, e ky nga Humejd ibën Hilal, e ky nga Abdullah ibën Amër se ka thënë: “Lëre çfarë nuk është në dorën tënde, mos fol për gjëra që nuk të përkasin dhe ruaje gjuhën ashtu siç e ruan pasurinë tënde!”

Muhamed ibnul Mundhir ibën Seid el Herauij më pat recituar:

Fjala është si qumështi që milet, nuk mund të kthehet

E si mund të kthehet qumështi i mjelur në gjirin e tij

E tillë është edhe fjala që del nga fyti

Qoftë fjalë e mirë apo e keqe që mund të ketë dalë

Ebu Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: njeriu i mençur duhet ta lërë shkujdesjen ndaj ruajtjes së gjuhës, sepse kush flet shumë, gabon shumë. Këto gabime ndoshta kalojnë tek të tjerët dhe njeriun e zhysin në një situatë të pa zgjidhshme dhe pa rrugëdalje, sepse plagët që i shkakton gjuha nuk mbyllen, as nuk ndreqen ato çfarë i prish gjuha. Nëse plaga e shkaktuar nga gjuha arrin zemrën, ajo shërohet vetëm pas një kohe të gjatë dhe përpjekjeje të madhe. Ka njerëz që respektohen vetëm për shkak të gjuhës së tyre, e të tjerë që poshtërohen vetëm për shkak të saj. Njeriu i mençur duhet që mos të jetë prej atyre që poshtërohen për shkak të gjuhës.

Abdullah ibën Muhamed el Enmatij el Hamdanij na ka lajmëruar se: Muhamed ibën Umerj na ka treguar se: Abdullah ibnul Husejn el Ukajli na ka treguar se: Ebu Selemeh el Khuzaij na ka treguar se: Shebijjb ibën Shubbeh na ka treguar se ka dëgjuar Ibën Sirinin të thotë: “Fjalët janë të shumta që i mençuri mund t’i zgjedhë në vend që të zgjedhë të gënjejë.”

 

Burimi: Reudatul ukala fq. 51-56.

Përktheu: Besmir Cacani

___________________

[1] Ai është Ebu Hatim Muhamed ibën Hibbah el Bustij, pra shkruesi i këtyre rreshtave, i cili në mënyrë të përsëritur do të flasë në vetën e tretë.  (shp)