Allahu i Lartësuar thotë:
قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ (1) مِن شَرِّ مَا خَلَقَ (2) وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ (3) وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ (4) وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ (5)
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Thuaj: “Kërkoj mbrojtje te Zoti i agimit, nga e keqja e çdo gjëje që Ai ka krijuar; dhe nga e keqja e natës kur bie terri; dhe nga e keqja e atyre që fryjnë në nyje; dhe nga e keqja e smirëziut kur shfaq smirën e tij.”
Domethënë: “Thuaj”, duke kërkuar mbrojtje: “Kërkoj mbrojtje”, pra strehohem, i drejtohem dhe mbështetem fort “te Zoti i agimit”, domethënë te Ai që çan farën dhe bërthamën, si dhe te Ai që çan errësirën e agimit.
مِن شَرِّ مَا خَلَقَ
“Nga e keqja e çdo gjëje që Ai ka krijuar” – kjo përfshin gjithçka që Allahu ka krijuar: njerëzit, xhinët dhe kafshët. Prandaj, kërkohet mbrojtje tek Krijuesi i tyre nga e keqja që gjendet tek ato. Më pas, pasi përmendi kuptimin e përgjithshëm, teksti veçon disa raste të veçanta duke thënë:
وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ
“Dhe nga e keqja e natës kur bie terri”, domethënë nga e keqja që shfaqet gjatë natës, kur ajo i mbulon njerëzit me errësirën e saj dhe kur përhapen shumë prej krijesave të liga dhe kafshëve të dëmshme.
وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ
“Dhe nga e keqja e atyre që fryjnë në nyje”, domethënë nga e keqja e magjistareve, të cilat, për ushtrimin e magjisë së tyre, përdorin fryrjen mbi nyjet që i lidhin gjatë kryerjes së magjisë.
وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ
“Dhe nga e keqja e smirëziut kur shfaq smirën e tij”. Smirëziu është ai që dëshiron që begatia t’i hiqet personit ndaj të cilit ushqen smirë dhe përpiqet ta largojë atë begati duke përdorur çdo mjet që ka në dispozicion. Për këtë arsye, është e nevojshme të kërkohet mbrojtje tek Allahu nga e keqja e tij dhe nga mënyrat me të cilat ai përpiqet të dëmtojë.
Në kuptimin e smirëziut përfshihet edhe ai që shkakton ‘ajn-in’ (shikimin e dëmshëm, të merr mësysh), sepse ‘ajni’ zakonisht buron nga një smirëzi me natyrë të keqe dhe shpirt të lig.
Kësisoj, kjo sure përfshin kërkimin e mbrojtjes nga të gjitha llojet e të këqijave, në mënyrë të përgjithshme dhe të veçantë.
Ajo gjithashtu dëshmon se magjia është reale dhe se ekziston rreziku i dëmit të saj, prandaj duhet kërkuar mbrojtje tek Allahu prej saj dhe prej atyre që merren me të.
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani