Allahu i Lartësuar thotë:
قُلۡ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلنَّاسِ (1) مَلِكِ ٱلنَّاسِ (2) إِلَٰهِ ٱلنَّاسِ (3) مِن شَرِّ ٱلۡوَسۡوَاسِ ٱلۡخَنَّاسِ (4) ٱلَّذِي يُوَسۡوِسُ فِي صُدُورِ ٱلنَّاسِ (5) مِنَ ٱلۡجِنَّةِ وَٱلنَّاسِ (6)
“Thuaj: “Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve, Sunduesi i njerëzve, i Adhuruari i njerëzve, nga e keqja e cytësit që tërhiqet, i cili cyt në gjokset e njerëzve, qoftë prej xhinëve, qoftë prej njerëzve.”
Kjo sure përmban kërkimin e mbrojtjes te Zoti i njerëzve, Sunduesi i tyre dhe i Adhuruari i tyre, nga shejtani, i cili është zanafilla dhe burimi i të gjitha të këqijave. Ndër shfaqjet e sprovës dhe të keqes së tij është se ai cyt në gjokset e njerëzve, duke ua paraqitur të keqen si diçka të bukur, duke ua zbukuruar atë në sytë e tyre, duke i nxitur vullnetet e tyre për ta kryer dhe, në të kundërtën, duke ua shëmtuar të mirën, duke i penguar prej saj dhe duke ua paraqitur atë ndryshe nga ç’është në të vërtetë.
Ai vazhdimisht vepron në këtë mënyrë: cyt dhe tërhiqet. Pra, ai tërhiqet dhe zmbrapset kur robi e përmend Zotin e tij dhe kërkon ndihmën e Tij për ta larguar atë.
Prandaj, njeriu duhet të kërkojë ndihmë, të kërkojë mbrojtje dhe të strehohet tek Ai, duke ditur se i Allahut është zotërimi mbi të gjithë njerëzit.
Të gjitha krijesat janë nën zotërimin dhe sundimin e Tij, sepse çdo krijesë e gjallë është nën pushtetin e Tij dhe Ai e ka nën kontroll të plotë.
Gjithashtu, njeriu duhet të kërkojë mbrojtje prej Tij duke ditur të drejtën e Allahut për t’u adhuruar, për shkakun e së cilës Ai i ka krijuar njerëzit. Përmbushja e plotë e kësaj nuk mund të arrihet veçse duke larguar të keqen e armikut të tyre, i cili synon t’i shkëpusë prej adhurimit të Allahut dhe të vendosë pengesë ndërmjet tyre dhe tij. Ai dëshiron t’i bëjë ata pjesë të grupit të vet, në mënyrë që të bëhen banorë të Zjarrit flakërues.
Dhe ky cytës mund të jetë prej xhinëve, ashtu siç mund të jetë edhe prej njerëzve. Për këtë arsye Allahu thotë:
مِنَ ٱلۡجِنَّةِ وَٱلنَّاسِ (6)
“Qoftë prej xhinëve, qoftë prej njerëzve.”
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani