Allahu i Lartësuar thotë:
إِذَا جَآءَ نَصۡرُ ٱللَّهِ وَٱلۡفَتۡحُ (1) وَرَأَيۡتَ ٱلنَّاسَ يَدۡخُلُونَ فِي دِينِ ٱللَّهِ أَفۡوَاجٗا (2) فَسَبِّحۡ بِحَمۡدِ رَبِّكَ وَٱسۡتَغۡفِرۡهُۚ إِنَّهُۥ كَانَ تَوَّابَۢا (3)
“Kur të vijë ndihma e Allahut dhe fitorja, dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë lavdëroje Zotin tënd duke e madhëruar dhe kërko falje prej Tij. Vërtet, Ai është shumëpranues i pendimit.”
Në këtë sure të begatë gjendet një përgëzim dhe një urdhër për të Dërguarin e Allahut ﷺ pas realizimit të këtij përgëzimi, gjithashtu gjendet një tregues (aludim) dhe paralajmërim për atë që pason prej tij.
Përgëzimi është lajmi i mirë për ndihmën e Allahut ndaj të Dërguarit të Tij, çlirimin e Mekës dhe hyrjen e njerëzve në fenë e Allahut grupe-grupe, aq sa shumë prej tyre u bënë pjesë e kësaj feje dhe përkrahës të saj, pasi më parë kishin qenë kundërshtarë të saj. Pikërisht kështu ndodhi ajo për të cilën ishte dhënë përgëzimi.
Sa i përket urdhrit pas arritjes së fitores dhe çlirimit, Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që ta falenderonte Zotin për këtë mirësi, ta madhëronte duke e lavdëruar dhe të kërkonte falje prej Tij (bënte istigfar).
Ndërsa sa i përket treguesit (aludimit), në këtë sure gjenden dy të tillë:
Treguesi i parë është se fitorja e kësaj feje do të vazhdonte dhe do të shtohej kur i Dërguari i Allahut ﷺ ta madhëronte Zotin e tij duke e lavdëruar dhe t’i kërkonte falje.
Kjo, në vetvete, është një formë falenderimi. Allahu thotë:
لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ
“Nëse jeni mirënjohës (falenderues), padyshim që do t’jua shtoj begatitë.”
Kjo u dëshmua në kohën e kalifëve të drejtë dhe pas tyre. Ndihma e Allahut vazhdoi të shoqëronte këtë umet, derisa Islami arriti në vende ku asnjë fe tjetër nuk kishte arritur dhe u përqafua nga popuj e njerëz në përmasa që nuk i kishte arritur asnjë fe tjetër.
Më pas, kur në këtë umet ndodhën shkelje të urdhrit të Allahut, Allahu i sprovoi ata me përçarje në fjalë e qëndrime dhe me shpërbërje të çështjeve të tyre, dhe si rrjedhojë ndodhi ajo që ndodhi.
Megjithatë, për këtë umet dhe për këtë fe – me mëshirën dhe mirësinë e Allahut – ka ende mirësi e begati që nuk mund të përfytyrohen dhe as të imagjinohen.
Ndërsa treguesi i dytë është se koha e jetës së të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte afruar dhe po i vinte fundi. Arsyeja për këtë është se jeta e tij ishte një jetë e begatë dhe e përsosur, për të cilën Allahu ishte betuar.
Dihet se veprat e mira e të përsosura zakonisht përmbyllen me kërkim falje, siç ndodh me namazin, haxhin dhe vepra të tjera të adhurimit.
Prandaj, urdhërimi i Allahut ndaj të Dërguarit të Tij për ta lavdëruar Atë dhe për të kërkuar falje në këtë rrethanë, ishte një tregues se përfundimi i jetës së tij ishte afruar, ndaj duhej të përgatitej dhe të bëhej gati për takimin me Zotin e tij, duke e përmbyllur jetën me veprën më të mirë që mund të bënte.
Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ e zbatonte këtë udhëzim kuranor dhe e shprehte atë në namazin e tij. Ai e përsëriste shpesh gjatë rukusë dhe sexhdes (lutjen):
سبحانك اللهم وبحمدك، اللهم اغفر لي
“I Lartësuar je, o Allah, dhe Ty të takon lavdërimi; o Allah, më fal!”
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani