REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

MenhexhTekfiri dhe terrorizmi

Tekfiri; sqarimi i rrezikut të tij dhe argumentet për të – Shejh Ahmed en-Nexhmi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

 

  • Tema e parë: domethënia e Tekfirit.

Domethënia e Tekfirit është gjykimi i muslimanit që dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, se Muhamedi është i Dërguari i Tij, i cili falet, jep zekat, agjëron dhe i pohon shtyllat e Islamit, se është kafir (mosbesimtar) dhe e ka të lejuar gjakun dhe pasurinë.

Kjo ndodhe vetëm në rast devijimi në mendim dhe ndryshimi në Akide. Kjo nuk ndodh tek muslimani me Akide dhe mendim të saktë, sepse të gjitha argumentet Islame tregojnë se kush dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, se Muhamedi është i Dërguari i Tij, po ashtu beson obligueshmërinë e pesë namazeve, beson obligueshmërinë e zekatit sipas kuotave të tij të caktuara, beson obligueshmërinë e agjërimit të Ramazanit dhe të haxhit, beson se gjaku, pasuria dhe nderi i muslimanit janë të ndaluara, atëherë ai është musliman që muslimanët duhet të besojnë se e kanë vëlla, se duhet bashkëpunuar me të për kryerjen e obligimeve; cilado të jetë kombësia, ngjyra, afërsia apo largësia e tij fisnore. Argumentet për këtë gjë janë të shumta.

Allahu subhanehu ue teala ka thënë:

وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلَاةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ ۚ وَذَٰلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ

“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.”[1]

Po ashtu ka thënë:

إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ

“Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër.”[2]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Është i ndaluar gjaku i muslimanit që dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, e se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, përveç me një nga tre gjërat: i martuari që bën zina, ai që vret, ai që e lë fenë e tij dhe ndahet nga bashkësia.”

Po ashtu ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bën padrejtësi, nuk e dorëzon dhe nuk e tradhëton.” Andaj, kush i bën tekfir vëllaut të tij musliman pa një shkak që e nxjerr fetarisht nga feja, si shirku i madh apo kufri i qartë që nuk mund të ketë tjetër interpretim; siç është mohimi i një obligimi për të cilin ka ixhma’ (unanimitet), apo lejimi i një harami për të cilin ka ixhma’ se është haram, apo ndalon një hallall për të cilin ka ixhma’ se është hallall, apo mohon një prej gjashtë shtyllave të besimit, pra, them: kush i bën tekfir një muslimani pa një prej këtyre shkaqeve që të nxjerrin nga Islami, atëherë ai është Tekfirs, Havarixh dhe terrorist.

Është e ditur se këto ndodhin vetëm nga persona që janë sprovuar me ndryshimin e besimit dhe mendimit të tyre nga ana e Havarixhëve të devijuar. Kjo gjë është e provuar dhe mirënjohur.

 

  • Tema e dytë: zanafilla e Tekfirit në kohën e Selefëve.

Sa i përket zanafillës së Tekfirit në kohën e Selefëve, fillimi i tij është ajo që transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit, nga Ebu Seid el Hudrij, radijAllahu anhu, se ka thënë: “Kur ishte në Jemen, Aliu radijAllahu anhu dërgoi tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem një copë floriri të përzier me dhè. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ndau mes katër personave: el Ekra’ ibën Habis el Handhalij, Ujejneh ibën Bedër el Fezarij, Alkameh ibën Ulatheh el Amirij bashkë me njërin nga fisi Beni Kilab dhe Zejd el Hajr et-Taij bashkë me njërin nga fisi Beni Nebhan.

Kurejshët u zemëruan dhe thanë: “A po i jep parisë së Nexhdit ndërsa ne po na lë?”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Këtë e bëra që për t’ia afruar zemrat.”

Erdhi një burrë me mjekërr të dendur, me mollëza të me mollëza të dukshme, me sy të futur, me ballë të ngritur, me kokë të rruajtur dhe tha: “Frikësohu Allahut o Muhamed!”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Kush do t’i bindet Allahut nëse unë e kundërshtoj Atë?! A më beson mua Allahu njerëzit e Tokës, ndërsa juve jo?!”

Burri në fjalë iku, ndërsa një tjetër kërkoi leje që ta vriste, mendohet të jetë Halid ibnul Uelidi.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Vërtet nga pasardhësit e këtij do të ketë njerëz që do ta lexojnë Kuranin, mirëpo nuk ua kalon fytet. Ata do të vrasin muslimanët dhe do të lejnë idhujtarët. Do të dalin nga Islami, ashtu siç e tejkalon shigjeta gjahun. Nëse unë i arrij, do t’i vras siç u vra populli i Adit.”[3]

Buhariu[4] gjithashtu transmeton nga Ebu Seid el Hudrij, radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nga lindja do të dalin njerëz që e lexojnë Kuranin, mirëpo nuk ua kalon fytet. Do të dalin nga Islami, ashtu siç e tejkalon shigjeta gjahun, pastaj nuk kthehen më në të, derisa të kthehet shigjeta në harkun e tij.”

Kjo histori, në këtë hadith, është lajmi i parë i transmetuar rreth tyre.

Kjo është vërtetuar në kohën e Uthmanit radijAllahu anhu, tek i cili i tubuan një grup Havarixhësh, e rrethuan në shtëpi dhe pastaj e vranë. Ndërsa në kohën e Aliut radijAllahu anhu, kur ishte lufta mes tij dhe Muavisë radijAllahu anhu, shokët e Muavisë ngritën lart mus’hafet dhe thanë: “Mes nesh dhe jush është Libri i Allahut.” Aliu i urdhëroi shokët e tij që të vazhdonin luftën, ndërsa ata refuzuan. Kur lufta u ndërpre, disa persona u përpoqën që të pajtonin mes Aliut dhe Muavisë dhe ranë dakort që të merrnin për gjykues dy burra. Havarixhët që ishin mes shokëve të Aliut, i thanë Aliut: “Bëre kufër, sepse i more burrat për gjykatësa, ndërsa Allahu thotë:

إِنِ الْحُكْمُ إِلَّا لِلَّهِ

“Me të vërtetë gjykimi i takon Allahut.”[5] Kur u kthyen në Irak, ata shpallën kufrin e Aliut radijAllahu anhu.

Aliu i luftoi ata, a kjo pasiqë i dërgoi Abdullah ibën Abbasin radijAllahu anhume, i cili i debatoi. Një grup i tyre u kthyen[6], ndërsa një numër i madh i tyre u vranë në luftën e Nahravanit.

Havarixhët vazhdojnë të dalin herë pas here dhe prijësaj i luftojnë dhe i vrasin. Nganjëherë Havarixhët forcohen dhe nganjëherë dobësohen, mirëpo që nga koha e Uthmanit radijAllahu anhu e deri tani, nuk kanë patur shtet. Është vërtetuar fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lidhur me ta: “Do të dalë një brez që e lexojnë Kuranin, mirëpo nuk ua kalon fytet. Sa herë që del një brez i tyre ai këputet.” Ibën Umeri ka thënë: kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Sa herë që del një brez i tyre ai këputet, më shumë se njëzet herë, derisa mes (ushtrisë së) tyre të dalë Dexhali.”[7]

 

  • Tema e tretë: zanafilla e Tekfirit në kohën tonë.

Sa i përket zanafillës së Tekfirit në kohën tonë, ata që e kanë ringjallur medh’hebin e Tekfirit në këtë kohë janë xhemati Ikhuanul Muslimin. Ja disa shembuj që e vërtetojnë këtë gjë, në mënyrë që të ruhesh nga ky xhemat.

Sejid Kutubi i ka bërë tekfir umetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, siç thotë në tefsirin e tij “Fij dhilalil Kuran” 4/2122: “Nuk ka mbi faqen e dheut sot ndonjë shtet musliman, as ndonjë shoqëri muslimane që të ketë si bosht të marrëdhënieve të tyre fenë e Allahut dhe dispozitat fetare Islame.”

Përafërt me këtë e ka thënë në tefsirin e sures Junus, madje ka pretenduar se xhamiat e muslimanëve janë faltore idhujtarie. Ai ka nxitur për kryengritje në tefsirin e sures el Enfal duke pretenduar se Islami nxit për të. në tefsirin e sures el En’am 2/1057, ka thënë: “Është rikthyer edhe një herë koha kur është shfaqur kjo fe për njerëzimin me fjalën La ilahe il-lAllah, pasi njerëzimi ka dalë nga feja me adhurimin që i bëjnë njerëzve, e me padrejtësinë e kulteve, duke e lënë fjalën La ilahe il-lAllah. Një pjesë e njerëzve vazhdojnë ta përsërisin fjalën La ilahe il-lAllah nëpër minare, mirëpo pa e kuptuar domethënien e saj.”

Thotë në tefsirin e tij 3/1634: “Sot muslimanët nuk bëjnë xhihad, e kjo sepse sot nuk ka muslimanë. Çështja e prezencës së Islamit dhe muslimanëve është çështja që e cila kërkon kurë.”

Shejh Abdullah ibën Muhamed Nexhmi thotë në librin e tij “Menbaul irhabil muasir”: “Paria e xhematit Ikhuanul Muslimin dëshmojnë se Sejid Kutubi i ka bërë tekfir shoqërive muslimane. Jusuf Kardavi që është prej Ikhuanëve, thotë në librin e tij “Euleuijat el haraketil Islamije” fq. 110: “Në këtë periudhë janë shfaqur librat e Sejid Kutubit, të cilat përfaqësojnë periudhën e fundit të mendimtarisë së tij, e cila përhap tekfirin e shoqërisë dhe shpall xhihadin kundër të gjithë njerëzve.”

Ferid AbdulKhalik, një nga udhëheqësit e Ikhuanul Musliminëve, ka thënë në librin “Mizanul hak” fq. 115: “Me të vërtetë që ideologjia e Tekfirit ka filluar të shfaqet tek disa të rinj në burgjet Kanatir, në fund të viteve 50-të dhe fillimin e viteve 60-të. ata u ndikuan nga mendimet dhe librat e Sejid Kutubit. Ata morën se shoqëritë janë në injorancë (xhahilije), morën Tekfirin që Sejid Kutubi i bënte pushtetarëve për shkak se kishin lënë gjykimin e Allahut duke gjykuar me ligje të tjera veç ligjeve të Tij. [Sipas Sejid Kutubit] i tillë ishte edhe populli, nëse ishin të kënaqur me këtë gjë.”[8]

Them: një grup kamikazësh të cilët janë shfaqur në ekranin e televizionit saudian, e kanë pranuar se mendimet e Tekfirit i kanë marrë nga librat e Sejid Kutubit, veçanërisht nga libri “Fi dhilalil Kuran”. Kjo është edhe kundërpërgjigje ndaj atyre që thonë se shtysa që i ka çuar të bëhen kamikazë është papunësia apo diçka tjetër.

Them: a ka përsëri dyshim se zanafilla e Tekfirit në këtë kohë buron nga Ikhuanul Musliminët? Nëse dëshiron o lexues, apo o dëgjues, do ta shtoj vërtetimin se Ikhuanul Musliminët janë burimi i terrorizmit bashkëkohor.

Lexo vëllimin e parë të librit “Kafiletul Ikhuanil Muslimin” të Abas Sisit që është një prej tyre. Lexo në faqen 258 vrasjen e gjykatësit Ahmed Bej el Hazendarit nga ana e Ikhuanul Musliminëve, në faqen 267 shpërthimin e Kompanisë së Reklamave Orientale, në faqen 269-270 aksidentin e makinave Jeep, në faqen 271 tregohet për lëndët shpërthyese të vendosur nga Ikhuanul Musliminët në stacionin radio, në faqet 272-273 ka përmendur Ikhuanët e dyshuar për ngjarjen e makinave Jeep dhe vendimin e gjykatës ndaj tyre, në faqen 275 urdhërin ushtarak për prishjen e xhematit të Ikhuanëve, në faqen 281 vendimin për prishjen e xhematit të Ikhuanëve, në faqet 281-283 tekstin e vendimit, në faqen 285 përpjekjen për të shpërthyer Gjykatën e Apelit, në faqen 286 vrasjen e Nukrashit në ministrinë e tij nga ana e një prej Ikhuanëve. Të gjitha këto gjinden në fundin e vëllimit të parë të librit “Kafiletul Ikhuanil Muslimin”, të Abas Sisit, i cili është një prej përqafuesve të këtij menhexhi, është shënues i ngjarjeve dhe pohues i tyre. Të gjitha këto dhe të tjera kanë ndodhur gjatë kohës që Hasan el Benna ka qenë gjallë, mes viteve 1947-1948. A nuk janë këto argumenta të qarta se Ikhuanul Musliminët janë grup Tekfiri që përdor dhunën dhe shpërthimet, e të cilat janë po vetë terrorizmi bashkëkohor?

 

  • Tema e katërt: gjykimi i bërjes Tekfir.

Sa i përket gjykimit të bërjes Tekfir muslimanit që nuk kryen obligimet e tija, kjo gjë është haram i prerë, për shkak të argumenteve që tregojnë këtë gjë.

Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, në kapitullin “el Edeb”, tema numër 44 “babu ma junhe anis-sibabi uel-la’ni”, hadithi i Thabit ibën ed-Dahak – i cili ka qenë prej sahabëve prezentë në Besëlidhje er-Riduan – se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë: “Kush betohet rrenjshëm për një fe tjetër veç Islamit, atëherë është (gënjeshtar) si ka thënë. Njeriut nuk e ka për obligim të mbajë zotimin për atë gjë që nuk e posedon. Kush vetëvritet me diçka, atëherë do të dënohet me atë gjë në Ditën e Kiametit. Kush e mallkon besimtarin, është sikur ta ketë vrarë. Kush e akuzon një besimtar me mosbesim (me kufër), është sikur ta ketë vrarë.”

Nga Abdullah ibën Burejde se ka thënë: Jahja ibën Ja’mur më ka thënë se Ebul Esued ed-Dili i ka thënë, se Ebu Dherri radijAllahu anhu e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Çdo personi që e akuzon dikë tjetër për gjynahe të mëdhaja (për fisk) apo për mosbesim (kufër), do t’i kthehet atij mbrapsht nëse nuk është siç ka thënë.”

Hafiz Ibën Haxheri ka thënë: “Në një transmetim të el Ismailit thuhet: “Do t’i kthehet atij” dhe në një tjetër thuhet “do t’i kthehet atij”. Kjo nënkupton se kush i thotë dikujt se është mosbesimtar (kafir), nëse nuk është siç ka thënë, atëherë ai është meritor për përshkrimin në fjalë…”, deri kur hafiz Ibën Haxheri thotë: “Në transmetimin e Muslimin thuhet: “Kush akuzon një person për mosbesim, apo i thotë “armik i Allahut” duke mos qenë i tillë, atëherë fjala do t’i kthehet atij.” Këtë e ka përmendur tek një hadith për qortimin e atij që pretendon se është biri i një tjetri…”, më pas ka thënë hafiz Ibën Haxheri: “Neveviu ka thënë: ka mospajtim rreth shpjegimit të këtij “kthimi”. Është thënë se i kthehet kufri nëse e bën të lejuar, mirëpo ky shpjegim është larg kontekstit. Po ashtu është shpjeguar duke ia përkatësuar Havarixhëve, sepse ata i bëjnë Tekfir besimtarëve.” Përfundoi fjala e tij.

Them: kjo gjë shikohet tek Havarixhët dhe është fakt i pamohueshëm, nga kohët e hershme deri më tani, përndryshe çfarë i shtyu që të vrisnin besimtarët më të mirë?! Ata kanë vrarë Uthman ibën Affanin, po ashtu kanë vrarë pabesisht halifin e katërt të udhëzuar, Ali ibën Ebi Talib. Këtë gjë e kanë bërë vetëm pasi i kanë gjykuar ata me kufër, sepse parimi i tyre është bërja Tekfir nëse njeriu bën gjynah të madh.

Në kohën tonë, kanë vrarë muslimanët dhe njerëzit nën besë vetëm pasi e kanë bërë të lejuar gjakun e tyre, jetët e tyre, pasuritë e tyre, pasi e kanë lejuar frikësimin dhe përhapjen e frikës mes muslimanëve dhe njerëzve nën besë.

Ata e kanë shëmtuar imazhin e Islamit përpara armiqëve – d.m.th. para armiqëve të Islamit dhe muslimanëve – dhe këtë gjë e kanë bërë vetëm për shkak të Tekfirit që i bëjnë gjithë muslimanëve; qeveritarë dhe të qeverisur, dijetarët dhe analfabetë, udhëheqës dhe të udhëhequr.

Duhet patur parasysh se Havarixhët në çdo kohë, ndjekin arsyetime të dobëta në bërjen Tekfir muslimanëve. Ata bëjnë Tekfir për gjynahe, ndërkohë që ata vetë bëjnë të ngjashme me to. Mundet që të bëjnë Tekfir për një gjynah që nuk egziston fare tek i akuzuari, madje është shpifje dhe gënjeshtër ndaj tij. Ata mund të pretendojnë se është gjynah një gjë që nuk është e tillë, apo pretendojnë se diçka të nxjerr nga feja ndërkohë që nuk është ashtu. Këtë gjë e bëjnë nga ëndja dhe dëshira për të bërë Tekfir pa dituri dhe pa hulumtim. Për këtë arsye, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka lajmëruar se ata janë njerëzit më të këqinj, se janë qentë e Zjarrit dhe të vrarët më të këqinj. Pas gjitha këtyre përshkrimeve, a ka fjalë më qortuese se këto?!

Shejhul Islam Ibën Tejmije ka thënë: “Janë të shumta hadithet nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lidhur me luftimin e Havarixhëve, madje ato janë hadithe mutevatir sipas dijetarëve të hadithit. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Hadithi për Havarixhët është vërtetuar nga dhjetë rrugë transmetimi”.  Muslimi e ka transmetuar në Sahihun e tij, po ashtu Buhariu ka transmetuar 3 rrugë; hadithin e Aliut, të Ebu Seidit dhe të Sehël ibën Hanif. Nëpër Sunene dhe Musnede ka edhe rrugë të tjera të ndryshme. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë në përshkrimin e tyre: “Ndonjëri prej jush e nënçmon namazin e tij para namazit të tyre, agjërimin e tij para agjërimit të tyre, leximin e tij para leximit të tyre, mirëpo dalin nga Islami siç del shigjeta nga gjahu. Kudo që t’i shikoni, vritini, sepse për vrasjen e tyre ka shpërblim tek Allahu në Ditën e Kiametit për vrasësin e tyre; po t’i arrij, do t’i vras sikur populli i Adit.”

Ata i ka vrarë Prijësi i Besimtarëve, Ali ibën Ebi Talib bashkë me sahabët që kanë qenë me të. Selefët dhe imamët e umetit kanë rënë në pajtim për vrasjen e tyre dhe nuk kanë rënë në mospajtim për luftimin e tyre siç kanë në mospajtim për luftimin në Ditën e Devesë apo të Siffinit, sepse sahabët gjatë luftës së fitnes kanë qenë në tre grupe: një pjesë kanë luftuar bashkë me Aliun radijAllahu anhu, një pjesë kanë luftuar bashkë me ata që luftuan kundër tij dhe një tjetër nuk ka marrë pjesë me asnjë nga dy palët. Sa i përket Havarixhëve, asnjë sahab nuk ka qenë me ta dhe asnjë prej tyre nuk ka ndaluar që të luftohen”, deri kur ka thënë: “Umeti ka rënë në pajtim për qortimin dhe konsiderimin e tyre të humbur, mirëpo për Tekfirin e tyre kanë rënë në mospajtim në dy mendime të njohura sipas medh’hebit të Malikut dhe Ahmedit. Edhe në medh’hebin e Shafiut ka mospajtim rreth kufrit të tyre.” Përfundoi fjala e tij.

 

  • Tema e pestë: rreziqet e Tekfirit dhe përfundimet e tij të mjera.

Prej rreziqeve të Tekfirit dhe përfundimeve të tij të mjera, janë:

  • Thyerja e marrëveshjeve të bëra nga prijësit me popullin e tyre, sepse kush i bën Tekfir prijësit është i mendimit se nuk meriton që t’i respektohet marrëveshja. Thyerja e marrëveshjes është prej gjynaheve të mëdha. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَالَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ اللَّهِ مِن بَعْدِ مِيثَاقِهِ وَيَقْطَعُونَ مَا أَمَرَ اللَّهُ بِهِ أَن يُوصَلَ وَيُفْسِدُونَ فِي الْأَرْضِ ۙ أُولَٰئِكَ لَهُمُ اللَّعْنَةُ وَلَهُمْ سُوءُ الدَّارِ

“Sa për ata që shkelin marrëveshjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë e, që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!”[9]

  • Lejimi i gjakut të prijësit tek ata që i bëjnë Tekfir, e po ashtu lejimi i gjakut të nëpunësve të tij.
  • Lejimi i konfliktimit me të dhe dalja kundër tij.
  • Lejimi i gjakut të muslimanëve tek ata që i bëjnë Tekfir, po ashtu lejimi i gjakut të njerëzve nën marrëveshje në formë më parësore.
  • Lejimi i vrasjes dhe luftimit të tyre, duke harruar pa dashje apo me dashje Fjalën e Allahut azze ue xhel-le:

وَمَن يَقْتُلْ مُؤْمِنًا مُّتَعَمِّدًا فَجَزَاؤُهُ جَهَنَّمُ خَالِدًا فِيهَا وَغَضِبَ اللَّهُ عَلَيْهِ وَلَعَنَهُ وَأَعَدَّ لَهُ عَذَابًا عَظِيمًا

“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.”[10]

  • Për rrjedhojë të asaj që thamë më lart, do të lejohen nderet e tyre, andaj do t’i gënjejnë, do të shpifin ndaj tyre dhe do t’i mveshin çfarë nuk e kanë.
  • Për rrjedhojë do të lejojnë shkatërrimin apo marrjen e pasurive të atyre që i kanë bërë Tekfir, d.m.th. akuzuesit me Tekfir do të marri pasuritë e të akuzuarve me kufër.
  • Përhapja e kaosit në shoqëritë muslimane, ikja e sigurisë dhe besimit mes tyre.
  • Do të mbillet mospajtimi dhe do të korret përçarja.
  • Do të shtohen lakmitë e armiqve të Islamit dhe muslimanëve për t’i sunduar dhe shfrytëzuar pasuritë dhe resurset e tyre.
  • Kur armiqtë t’i sundojnë muslimanët, atëherë do t’i bëjnë të shijojnë poshtërimin, dënimin dhe do t’i sundojnë me ligjet e tyre të kufrit.
  • Nga këti kuptojmë se Havarixhët terroristë dëmtojnë të gjithë umetin; udhëheqësin dhe të udhëhequrit, të thjeshtin dhe të arsimuarin, mashkullin dhe femrën, të voglin dhe të madhin, duke mos ngelus asnjë pa hisen e tij në dëmtim.

Shpresoj që ky sqarim të ketë qenë bindës për çdo të mençur, se Havarixhët terroristë janë popull i humbur dhe i keq, janë grup shkatërrimi, prishjeje dhe janë thirrës për të keqe, nga veprat shkatërruese e të cilëve rrjedhin dëme të panumërta, përfundime të mjera panumër.

Prej Allahut është suksesi, salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij.

 

Burimi: et-Tekfiru ue bejanu khatarihi ue edil-letu dhalik

Shkroi:

Ahmed ibën Jahja ibën Muhamed en-Nexhmi

03/01/1426 h

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Bejineh: 5.

[2] El Huxhurat: 10.

[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Seid el Hudrij, radijAllahu anhu.

[4] Buhariu 1614.

[5] Jusuf: 40.

[6] Pasi i debatoi Abdullah ibën Abbasi, radijAllahu anhume. (shp)

[7] Transmeton Ibën Maxheh dhe është vlerësuar si hadith hasen nga shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, në es-Silsiletu es-sahihah 2455.

[8] Pra, Sejid Kutubi i bënte Tekfir jo vetëm pushtetarëve ngase gjykonin me ligje të tjera veç ligjeve të Allahut, por i bënte Tekfir edhe popullit ngase ishte i kënaqur me atë çfarë bënin pushtetarët. (shp)

[9] Er-Ra’d: 25.

[10] En-Nisa’: 93.