REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideBesime të gabuara

A është besimi vetëm me zemër? – Shejh Salih el Feuzan

Pyetësi thotë se: po i këshillon disa njerëz për çështjen e lënies së mjekrës, për shkurtimin e rrobës dhe për disa obligime të tjera. Thotë se po ia kthejnë duke i thënë: “Devotshmëria është në zemër, po ashtu korrektësia në fe dhe mirësia janë zemër”. Pyet dhe thotë: cila është metoda më e mirë për t’iu kundërpërgjigjur dhe për t’i bindur? Shpresoj të më jepni një orientim, Allahu ju dhëntë mirësi!

Përgjigjja: besimi nuk është vetëm në zemër. Besimi tek Ehli Suneti dhe Xhemati është: fjalë e gjuhës, besim i zemrës dhe vepër e gjymtyrëve; këto treja duhen patjetër.

Vepra me gjymtyrë do të thotë të punosh sipas Sunetit, d.m.th se prej veprës dhe punës së gjymtyrëve është të punosh sipas Sunetit. Kush nuk e zgjat rrobën (poshtë nyjes) dhe e lë mjekrën, kjo gjë është prej punës së gjymtyrëve.

Thënia e tyre se “besimi është në zemër”, kjo fjalë është ajo e Murrxhive.

Sa i përket thënies së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “Besimi është këtu” duke bërë me shenjë për tek gjoksi i tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tre herë, kjo nuk do të thotë se besimi kufizohet vetëm në zemër, apo të bëjë gjynahet dhe kundravajtjet që dëshiron e më pas të thotë se “besimi është në zemër”.

Jo! Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka për qëllim se kush ka besim në zemër, atëherë ai vepron sipas urdhërave të Allahut subhanehu ue teala, ndërsa kush ka hipokrizi në zemër, atëherë ai i kundërshton urdhërat e Allahut. Pra, veprat janë shenja për prezencën e besimit, apo mangesinë e tij, apo mungesën e tij.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani