REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Moral

Katër shtyllat e kufrit: mendjemadhësia, inati, zëmërimi dhe epshi – Imam Ibën Kajjim

Shtyllat e kufrit janë katër: mendjemadhësia, inati, zëmërimi dhe epshi.

Përsa i përket mendjemadhësisë (kibrit) ajo i pengon nënshtrimin, inati (hasedi) i pengon pranimin e këshillës dhe ofrimin e saj, zemërimi (el gadab) i pengon drejtësinë kurse epshi (esh-shehua) i pengon preokupimin me adhurim.

Nëse rrënohet shtylla e mendjemadhësisë i lehtësohet nënshtrimi, nëse rrënohet shtylla e inatit i lehtësohet pranimi i këshillës dhe ofrimi i saj, nëse rrënohet shtylla e zemërimit i bëhet e lehtë drejtësia e thjeshtësia dhe nëse rrënohet shtylla e epshit i lehtësohet durimi, ndershmëria e adhurimi.

Lëvizja e maleve nga vendi është më e lehtë se zhdukja e këtyre të katra nga ai që vuan me to, sidomos kur janë bërë tipare të thella, veti dalluese dhe cilësi të përhershme. Puna e tij nuk mëkëmbet asnjëherë me to dhe nuk i pastrohet vetvetja kur ndodhen në të. Sa herë përpiqet për ndonjë punë, këto të katërta ja prishin. Të gjitha sëmundjet lindin prej tyre dhe nëse sundojnë zemrën ia bëjnë ta shohë të kotën në pamjen e të vërtetës e të vërtetën në pamjen e së kotës, të mirën në pamjen e së keqes dhe të keqen në pamjen e së mirës. Ja afrojnë atij dynjanë e i largojnë ahiretin (botën tjetër). Nëse mediton në mohimin (kufrin) e popujve do ta gjesh të dalë prej tyre. Për to ndodh dënimi, i lehti apo e rëndi i tij vlerësohet nga pesha e lehtë apo e rëndë e tyre.

Kush hap derën e vetes për to, herët a vonë i ka hapur derën gjithë ligësive dhe kush ja mbyll vetes ka mbyllur dyert e sherrit, sepse ato pengojnë nënshtrimin, pendimin, kthimin, pranimin e të vërtetës e këshillën e muslimanëve dhe thjeshtësinë për Allahun e ndaj krijesave të Tij.”

 

Burimi: El Feuaid e Ibën Kajjimit 157.

Përktheu: Jusuf Kapidani