REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideImani dhe Teuhidi

Llojet e Teuhidit – Shejh Muhamed es-Subejjil

Pyetja: cilat janë llojet e Teuhidit?

Përgjigja: dijetarët – Allahu i mëshiroftë – e kanë ndarë Teuhidin në tre lloje:

Lloji i parë: Teuhidi err-Rrububije: që do të thotë të veçosh Allahun subhanehu ue teala në veprimet e Tij; Ai është Krijuesi i Qiejve dhe tokave, Ai është Krijuesi i krijesave, Ai është Furnizuesi. Këto janë veprimet e Tij, kështu që Allahu duhet veçuar [në këto veprime]; Ai është i vetmi që vepron në këto çështje, askush përveç Tij nuk krijon, askush përveç Tij nuk furnizon, të gjitha çështjet janë në Dorë të Allahut. Ky lloj është emërtuar si Teuhid err-Rrububije, sepse Ai subhanehu ue teala është er-Rab (Zoti), është Kujdestari, është Krijuesi që ka krijuar krijesat dhe është kujdesur për ta me mirësitë e Tij.

Lloji i dytë: Teuhidi el Ibadeh, apo Teuhidi el Ubudije dhe po ashtu quhet Teuhid el Uluhije. Ky lloj Teuhidi ka lidhje me ty o njeri, dhe do të thotë ta veçosh Allahun me veprimet e tua; namazin që ti e fal, duhet ta falësh për Allahun, e jo ta falësh për Allahun dhe për dikë tjetër, përkundrazi duhet që ta veçosh Allahun me namaz dhe të falesh vetëm se për Atë subhanehu ue teala. Po ashtu adhuron vetëm Allahun, i bën lutje vetëm Allahut, kërkon vetëm prej Tij, mbështetesh vetëm tek Allahu, kërkon shpëtim vetëm prej Allahut dhe kërkon ndihmë vetëm prej Tij subhanhu ue teala. Allahu i Lartësuar thotë:

قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿١٦٢﴾ لَا شَرِيكَ لَهُ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

“Thuaj: vërtetë namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e krijesave, Ai është i pashok  (dhe ska të barabartë), me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari prej muslimanëve.”[1]

Lloji i tretë: Teuhidi el Esma ues-Sifat. Allahu i Lartësuar ka emra dhe cilësi me të cilat Ai duhet veçuar me to. Nuk duhet që disa cilësi të Allahut t’ia përkatësosh krijesave të Tij, sepse kjo gjë është devijim (ilhaad), ndërsa Allahu i Lartësuar thotë:

وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ فَادْعُوهُ بِهَا وَذَرُوا الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي أَسْمَائِهِ سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ

“Allahut i përkasin emrat e bukur, kështu që luteni me ato (emra), dhe braktisini ata të cilët devijojnë (duke pakësuar, shtuar apo manipuluar) emrat e Tij.”[2] Psh siç kanë bërë njerëzit në kohën e Xhahiljetit (Injorancës), ata morën emrin e idhullit “Menat” të cilin e adhuronin në vend të Allahut, e morën nga emri i Allahut “el Mennan”. El Mennan (Mirëbërësi) është Allahu subhanehu ue teala, i Cili i bën mirë krijesave të Tij, i Cili i krijon dhe i furnizon. Ata gjithashtu e morën emrin e idhullit “el Uzza” të cilin e adhuronin në vend të Allahut, e morën nga emri i Allahut “el Azijz” (i Plotfuqishmi). Kjo padyshim që është devijim (ilhaad) në emrat e Allahut.

Cilësitë e Allahut subhanehu ue teala janë edhe emra për Të. Allahun e cilëson me mëshirë, dhe Ai është më i Dituri rreth mënyrës së kësaj mëshire, siç thotë Allahu i Lartësuar:

وَكَانَ بِالْمُؤْمِنِينَ رَحِيمًا

“Ai është i mëshirshëm me besimtarët.”[3] Mirëpo, çfarë është “mëshira”, dhe a i ngjason ajo mëshirës së krijesave? Kurrën e kurrës! Asgjë nuk i ngjason Atij, dhe Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi. Allahut subhanehu ue teala i përket një mëshirë e veçantë për Të.

Detyra që ka besimtari, është që t’i pohojë Allahut subhanehu ue teala atë çfarë Ai e ka pohuar për veten e Tij prej emrave dhe cilësive. Poashtu (besimtari duhet të pohojë) atë çfarë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka pohuar, pa bërë manipulime, krahasime, pa dhënë forma, pa bërë përngjasime dhe pa i mohuar ato [pjesërisht apo tërësisht]; asgjë nuk i ngjason Atij, dhe Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi, dhe Allahu është më i Ditur.

 

Burimi: Fetaua Muhamed es-Subejjil vll.1 fq. 41-42.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El En’am: 162-163

[2] El Earaf: 180.

[3] El Ahzab: 43.