REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhNamazi

Çfarë bën ai që dyshon a është falur apo jo? – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: nëse namazliu dyshon a është falur apo jo, çfarë bën? Qoftë ky dyshim brenda kohës apo jashta saj?

Përgjigjja: nëse muslimani dyshon për cilindo namaz farz, se a e ka falur apo jo, atëherë ai e ka për detyrë që ta falë atë, sepse në origjinë obligimi mbetet, andaj ai duhet ta falë atë, pasi Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

مَن نام عن الصلاة أو نسيها فليُصلها إذا ذكرها، لا كفارةَ لها إلا ذلك

“Kush fle ndaj një namazi apo e harron, atëherë le ta falë kur ta kujtojë; nuk ka kompesim tjetër veç saj.”[1]

Muslimani e ka për detyrë që t’i kushtojë rëndësi të madhe namazit, të përpiqet që ta falë me xhemat dhe mos të angazhohet me diçka që ta bëjë ta harrojë atë, sepse namazi është shtylla e Islamit dhe farzi më i rëndësishëm pas dy dëshmive (Shehadeteve). Allahu i Lartësuar ka thënë:

حَافِظُوا عَلَى الصَّلَوَاتِ وَالصَّلَاةِ الْوُسْطَى وَقُومُوا لِلَّهِ قَانِتِينَ

“Falini namazet dhe falni namazin e iqindisë, po ashtu ngrihuni (në namaz) të përulur për Allahun.”[2]

Allahu i Lartësuar po ashtu ka thënë:

وَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ وَارْكَعُوا مَعَ الرَّاكِعِينَ

“Faleni namazin, jepeni zekatin dhe faluni bashkë me namazlitë.”[3]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

رأس الأمر الإسلام، وعموده الصلاة، وذروة سنامه الجهاد في سبيل الله

“Kapitali është Islami, shtylla e tij është namazi ndërsa pika kulmore është xhihadi në rrugë të Allahut.”[4]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë:

بُنِيَ الإسلامُ على خمسٍ: شهادة أن لا إله إلا الله، وأن محمدًا رسول الله، وإقام الصلاة، وإيتاء الزكاة، وصوم رمضان، وحج البيت

“Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: Shehadeti (dëshmia) se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe bërja e haxhit.”[5]

Ajetet dhe hadithet që tregojnë rëndësinë e namazit dhe obligueshmërinë e faljes së tij, janë të shumta.[6]

 

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Transmeton Buhariu në “mauakijt es-salah” nr. 562 dhe Muslimi në “el mesaxhid ue meuadius-salah” nr. 1103.

[2] El Bekareh: 238.

[3] El Bekareh: 43.

[4] Transmeton Tirmidhiu në “el iman” nr. 2541 dhe Ahmedi në “musnedul ensar” nr. 21054.

[5] Transmeton Buhariu në “el iman” nr. 7, Muslimi në “el iman” nr. 22 dhe Tirmidhiu në “el iman” nr. 2534 dhe teksti është i tij.

[6] Publikuar në kapitullin “ed-Dauah” vll. 1 fq. 80. Mexhmmu’u fetaua ue makalat esh-shejh Ibni Baz 11/255.