REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Moral

Si e shëron njeriu veten nga moralet e këqia sikur gënjeshtra? – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: Allahu ju dhëntë mirësi! Ummu Mus’abi nga Rijadi thotë: cili është shërimi i gënjeshtrës, syfaqësisë, mllefit, smirës dhe vetëmashtrimit nëse njeriu është i sprovuar me to?

Përgjigjja: shërimi i tyre është i lehtë; ta lërë gënjeshtrën, ta lërë mllefin dhe urrejtjen e muslimanëve, ta lërë syfaqësinë dhe të angazhohet me përkushtimin ndaj Allahut azze ue xhel-le gjatë adhurimit që bën. Edhe pse kjo është e rëndë për njeriun që është mësuar me to, mirëpo nëse njeriu i kërkon ndihmë Allahut subhanehu ue teala, nëse bën si synim dhe e vendos, atëherë çështja ka për t’iu lëhtësuar.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

المؤمن القوي خير وأحب إلى الله من المؤمن الضعيف وفي كل خير، احرص على ما ينفعك واستعن بالله

“Besimtari (me besim) të fortë, është më i mirë dhe më i dashur sesa besimtari (me besim) të dobët; dhe tek secili prej tyre ka mirësi. Bëhu i zellshëm për gjërat që të bëjnë dobi dhe kërko ndihmën e Allahut!”

Pra, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që të kërkohet ndihmë nga Allahu, sepse nuk mjafton vetëm të kesh zell. Kërkimi i ndihmës nuk bën dobi nëse nuk ke zell, sepse kërkimi i ndihmës pa patur zell, nuk është realisht kërkim ndihme, pasi ai që i kërkon Allahut ndihmë duhet patjetër të bëjë shkaqet dhe t’i kërkojë Allahut azze ue xhel-le ndihmë.

احرص على ما ينفعك، واستعن بالله ولا تعجز، أي لا تكسل، وإن أصابك شيء فلا تقل: لو أني فعلت كذا لكان كذا؛ فإن لو تفتح عمل الشيطان

“Bëhu i zellshëm për gjërat që të bëjnë dobi dhe kërko ndihmën e Allahut dhe mos përto. Nëse të godet diçka, mos thuaj “sikur të bëja kështu do të ndodhte kështu”, sepse fjala “sikur” i hap shejtanit rrugë.”

Le të përpiqet njeriu që të largohet nga moralet e ulëta. Prej gjërave që ndihmojnë në këtë pikë është që njeriu të njohë çfarë fatkeqësie dhe përfundimi të keq ka gënjeshtra.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

إياكم والكذب؛ فإن الكذب يهدي إلى الفجور، وإن الفجور يهدي إلى النار، ولا يزال الرجل يكذب ويتحرى الكذب حتى يكتب عند الله كذاباً

“Keni kujdes nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra të dërgon për në krime dhe krimet të dërgojnë për në Zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë dhe të përpiqet që të gënjejë, derisa të shkruhet tek Allahu gënjeshtar.” Po!

 

Burimi: Fetaua nurun alad-derb nr.341.

Përktheu: Besmir Cacani