REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Aktuale

Mbrojtja nga epidemitë dhe ligësitë – Shejh Umer Felatah

Prej imanit të plotë të njeriut është bërja e shkaqeve të ligjëruara dhe të lejuara për t’u mbrojtur nga çfarë do epidemie, sëmundje dhe ligësie, ashtu siç është porositur Ebu Ubejde radijAllahu anhu nga prijësi i besimtarëve Umer ibnul Hattabi, që t’i zbresë njerëzit në vend të ngritur. Kjo është ajo që bëri Amër ibnul Asi radijAllahu anhu, derisa Allahu e largoi epideminë nga muslimanët.

O njerëz! Prej shkaqeve më madhështore të mbrojtjes nga kjo epidemi, nga sëmundjet dhe rreziqet e tjera, është mbrojtja me dhikret fetare, me të cilat ka ardhur kjo Fe madhështore. Pasha Allahun! Kush i thotë ato dhikre me bindje, duke patur qëllim adhurimin e Allahut fillimisht dhe para çdo gjëje, atëherë s’ka për ta dëmtuar asgjë nëse i lexon ato.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo rob që thotë në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje:

بِسْمِ اللَّهِ الَّذِي لاَ يَضُرُّ مَعَ اسْمِهِ شَيْءٌ فِي الأَرْضِ وَلاَ فِي السَّمَاءِ، وَهُوَ السَّمِيعُ العَلِيمُ

“Me emrin e Allahut, me emrin e të Cilit nuk të dëmton gjë në as Tokë, as në qiell dhe Ai është Dëgjuesi, i Gjithëdituri” dhe e thotë tre herë, atë nuk e dëmton gjë.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush thotë kur del nga shtëpia e tij:

بسمِ اللهِ توكَّلْتُ على اللهِ لا حَوْلَ ولا قوَّةَ إلَّا باللهِ

“Me emrin e Allahut, i jam mbështetur Allahut, s’ka forcë as fuqi përveçse nëpërmjet Allahut, atëherë atij i thuhet: “U mjaftove, u mbrojte, u udhëzove” dhe shejtani largohet prej tij.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, po ashtu ka thënë: “Kush hyn në një vendbanim dhe thotë:

أَعُوذُ بِكلِمَاتِ الله التّامّاتِ مِن شَرّ مَا خَلَقَ

“Kërkoj mbrojtje me fjalët e plota të Allahut nga e keqja që ka krijuar, nuk e dëmton gjë derisa të ikë nga ai vend.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: Allahu ka thënë në një hadith kudsij: “O bir i Ademit! Fali katër rekate në fillim të ditës dhe do të mbroj me to pjesën e mbetur të saj.”

Shejhul Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë se ato katër rekate janë namazi i sabahut bashkë me sunetet e tij.

Allahu ekber!

Këto o robër të Allahut janë mbrojtje hyjnore madhështore, në të cilat – pasha Allahun – ka mbrojtje nga çdo epidemi, nga çdo ligësi apo gjë tjetër. Ne duhet t’i mësojmë ato o njerëz, duhet t’ia mësojmë fëmijëve tanë, vajzave tona, grave tona dhe Allahu i Lartësuar do të na mbrojë me to.

Ne o njerëz duhet t’i mbështetemi Allahut në çdo çështje të jetës sonë, për çdo fatkeqësi që na godet. Ne gjithashtu duhet të largohemi nga shqetësimi, ankthi dhe nga frika demoralizuese e mërzitëse.

Pasha Allahun! Çdo gjë që i ndodh njeriut, edhe ndalja e mushkonjës në fytyrën e tij është shkruar nga lapsi mbi shtatë qiejt dhe para se të krijohej Toka dhe qiejt, madje lapsi ka shkruar të mirat e njeriut në Fenë dhe dynjanë e tij, e pse pra duhet mërzitur dhe frikësuar o robër të Allahut?

Pasha Allahun! Nëse njeriut do t’i tregoheshin përfundimet e caktimit dhe kaderit, atëherë ai do të zgjidhte atë çfarë ka zgjedhur Allahu për të, si do që të jetë ai caktim.

Jini të kënaqur o robër të Allahut! Jini të kënaqur o robër të Allahut me caktimin dhe kaderin e Allahut! Qetësohuni o robër të Allahut me caktimin dhe kaderin e Allahut, me rregullimin dhe zjedhjen e Tij! Jini optimista o robër të Allahut, kini mendim të mirë për Zotin tuaj dhe përhapni optimizmin!

Vërtetë Allahu i Lartësuar do të largojë epideminë nga ne dhe nga vendet muslimane, madje do të largojë nga ne çdo sprovë, ligësi dhe fatkeqësi.

O Allah, o Zoti im, ne mbështetemi tek Ti dhe kemi mendim të mirë për Ty!

O Allah! Largoje nga ne epideminë dhe fatkeqësinë. O Allah! Largoje nga ne epideminë dhe fatkeqësinë. O Allah! Largoje nga ne epideminë dhe fatkeqësinë.

O Allah! Vërtetë ne kërkojmë mbrojtje tek Ti nga albinizmi, çmenduria, lebroza dhe sëmundjet e këqija! O Zoti i krijesave!

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani