REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Hadith

Shpjegim i hadithit: “Ndihmoje vëllain tënd kur bën, apo kur i bëhet padrejtësi” – Shejh Salih el Feuzan

“Ndihmoje vëllain tënd kur bën, apo kur i bëhet padrejtësi.”

Kur i bëhet padrejtësi, e dimë, mos lejo të ndodhë aq sa ke mundësi, me fjalë apo vepër, aq sa mundesh pengo padrejtësinë ndaj tij. Mos e jep, mos e tradhëto, mos e lër në duart e padrejta me aq sa mundesh.

P.sh. prej padrejtësive që e godasin vëllain tënd, kur dëgjon dikë që e përgojon, apo flet keq për të në një tubim, nga ndihma jote që mund t’i japësh është t’a mbrosh dhe të qortosh përgojuesin. Kjo është prej ndihmës që i jep vëllait tënd.

“Kush mbron nderin e vëllait të vet, Allahu e mbron fytyrën e tij nga Zjarri, Ditën e Gjykimit.”

Kurse përsa i përket ndihmës ndaj të padrejtit (zullumqarit), këtu ka problem. Si t’a ndihmoj zullumqarin? T’a ndihmoj atë në kryerjen e padrejtësisë?! Jo!

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka sqaruar kur ka thënë se ndihma e zullumqarit është t’a ndihmosh të mos bëjë zullum. Kjo është ndihma. Nëse sheh dikë që bën padrejtësi njerëzve, apo përgojon dikë dhe flet keq, atëherë mos e lejo. Nëse sheh vëllain që po rreh dikë tjetër me të padrejtë, prej ndihmës ndaj këtij vëllai, është që t’a ndihmosh të ndaloj nga zullumi, sepse ai është po ashtu vëllai yt, padrejtësia nuk e nxjerr nga vllazëria apo Islami, ai është vëllai yt, ndihmoje të ndalojë padrejtësinë .

“Ndihmoje vëllain tënd kur bën, apo kur i bëhet padrejtësi” pra, na tregon se zullumqari është vëllai yt, prandaj e ke detyrë t’a ndalosh nga zullumi, kjo është ndihma që mund të japësh. Kurse nëse e ndihmon në zullum atëherë e ke tradhëtuar.

 

Burimi

Përktheu: Jusuf Kapidani