REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Asketizëm

A fukarallekun keni frikë?! – Shejh AbdulMuhsin el Abbad

Ebu Derda thotë se: “Doli Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërsa ata po bisedonin rreth fukarallekut dhe po frikësoheshin prej tij”. D.m.th. kishin frikë fukarallekun, i mundonte çështja e furnizimit dhe frikoheshin mos t’i zinte fukaralleku.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “A fukarallekun keni frikë?! Dynjaja do të vërshojë drejt jush me vrull.” D.m.th. do të arrijnë dynjanë dhe do të ndodhin sprova për dynjanë. Siç është transmetuar që “sprovat janë prej pasurisë” dhe se “sprova e umetit tim është pasuria”. Njerëzit do ta duan shumë pasurinë. Ka prej tyre që do të sprovohet me grumbullimin e pasurisë me çfarëdo mënyre, qoftë ajo e lejuar apo e ndaluar. Edhe sikur njeriu të ketë shumë pasuri, ajo që ka në duar nuk do t’i mjaftojë, mirëpo do të përpiqet ta shtojë pasurinë me rrugë të ndaluara.

Tha: “A fukarallekun keni frikë?! Pasha Allahun! Dynjaja do të vërshojë drejt jush me vrull.” Do të thotë se kjo që keni frikë ju, do t’ju vijë shumë prej saj, “saqë vetëm ajo do ta devijojë zemrën e ndonjërit prej jush”, d.m.th. dynjaja, për shkak të sprovës së pasurisë, për shkak të dëshirës për ta arritur dhe faktit që njeriu përpiqet ta arrijë me çfarëdo mënyre. Nuk do t’i kushtojë rëndësi nëse e arrin pasurinë me hallall apo haram, andaj bëhet sprovë, zemrat devijojnë nga rruga e drejtë me ndjekjen e epsheve dhe përpjepjen për të arritur pasurinë me çfarëdo mënyrë, të lejuar apo të ndaluar.

Dihet se e lejuar është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë lejuar, ndërsa e ndaluar është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar, mirëpo ai që është sprovuar me pasurinë dhe ka dynjanë si angazhim kryesor, për të e lejuara është ajo që i bie në dorë, ndërsa e ndaluara është ajo që nuk i ka rënë në dorë. Allahu na ruajttë!

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dynjaja do të vërshojë drejt jush me vrull.” Do të thotë se do të arrijnë shumë pasuri.

Kjo që ka lajmëruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lidhur me arritjen e pasurisë dhe faktit se dynjaja do të vërshojë drejt tyre me vrull, kjo ka ndodhur siç ka lajmëruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Shumë njerëz janë sprovuar me pasuri, kanë devijuar për shkak të tij, zemrat kanë devijuar si shkak i pasurisë, kanë devijuar nga rruga e drejtë për shkak të pasurisë, duke u bërë pasuria shkak i tejkalimit të kufijve, siç thotë Allahu azze ue xhel-le:

إِنَّ الْإِنسَانَ لَيَطْغَىٰ (6) أَن رَّآهُ اسْتَغْنَىٰ

“Por vërtet që njeriu shkel çdo kufi, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.” El Alak: 6-7. D.m.th. që arritja e pasurisë është bërë shkak që të shkelë kufijtë, të kalojë caqet, të shpenzojë pasurinë aty ku nuk është urdhëruar që ta shpenzojë, duke e shpenzuar në hallall dhe haram. Në këtë mënyrë ka ndodhur sprova për të cilën ka lajmëruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, po ashtu zemrat kanë devijuar për shkak të pasurisë dhe punëve për të arritur tek pasuria me çdo kusht, edhe sikur të jetë e ndaluar rruga që të dërgon tek ajo.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani