REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

MenhexhMetoda e thirrjes

Vazhdoni me thirrjen për në Teuhid dhe Sunet, me ndalimin nga shirku dhe bidatet – Shejh Salih el Feuzan

Allahu ju shpërbleftë! Pyetësi thotë: kemi disa njerëz të cilët e kërkojnë begatinë (bëjnë teberruk) përmes varreve dhe kremtojnë mevludin. I kam këshilluar duke i thënë se këto gjëra janë prej bidateve, por ata më luftuan dhe më bojkotuan, a të vazhdoj përsëri kështu? Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja: kërkimi i begatisë përmes varreve është shirk, ndërsa kremtimi i mevludit është bidat. Kremtimi i mevludit është bidat dhe jo shirk, përveç nëse njerëzit kërkojnë shpëtimin prej Pejgamberit gjatë kremtimit – sepse ka prej atyre që kërkojnë shpëtimin prej Pejgamberit gjatë kremtimit – dhe kjo është shirk.

Mevludi në origjinë është bidat dhe mund t’i bashkangjitet shirku: si lutja e Pejgamberit, kërkimi i shpëtimit dhe ndihmës prej tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem; këto janë prej shirkut.

Ti vazhdo – Allahu ta shpërbleftë – vazhdo në refuzimin e këtyre gjërave dhe në thirrjen për tek e mira, me urtësi dhe këshillë të mirë. Mos u trishto nëse nuk udhëzohen. Nëse njëri prej tyre udhëzohet, atëherë kjo është një mirësi e madhe.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Pasha Allahun! Sikur Allahu të udhëzojë përmes teje një njeri të vetëm, është më e mirë për ty sesa pasuria më e çmueshme.”

Vazhdo në këtë vepër të mirë: këshillimi, refuzimi i bidatit dhe i shirkut, thirrja për në Teuhid dhe në Sunet. Ti ke shpërblimin tënd inshaAllah, edhe nëse ata të bojkotojnë apo të ngushtojnë. Ti duroji këto gjëra.

يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنكَرِ وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا أَصَابَكَ ۖ

“Biri im! Fale namazin, urdhëro për mirë, ndalo nga e keqja dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet!” Lukman:17

Durimi është i domosdoshëm. Ai që urdhëron për mirë, që ndalon nga e keqja, që thërret njerëzit në Teuhid dhe i ndalon nga shirku, do të dëmtohet nga njerëzit, do të ngushtohet, mirëpo duron sepse janë gjëra në rrugë të Allahut azze ue xhel-le.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani